Kështu e pret besimtari muajin e Ramazanit

May 15, 2017

Tregtarët bëhen gati dhe i presin sezonet e tregtisë me përgatitjet më të plota, dhe këtë e bëjnë për të realizuar fitimet më të mëdha. Ndërsa besimtarët përgatiten dhe e  presin muajin e Ramazanit, këtë mysafir të begatë dhe të mbushur me mirësi me shumë lloje adhurimesh.

Para së gjithash ata  shtojnë agjërimin në muajin Shaban, si parapërgatitje për agjërimin e Ramazanit.

E presin me pendim të sinqertë, largim nga mëkatet dhe kthim të të drejtave atyre që u takojnë.

E presin atë me shpirtin e tolerancës, faljes, zgjidhjes së kundërshtive dhe problemeve.

E gjithë kjo me qëllim që të meritojmë mëshirën dhe faljen e Zotit.

Gjithashtu, e presin duke mësuar dispozitat dhe normat e agjërimit, gjërat që e prishin dhe ato që lejohen apo i ndalohen një agjëruesi.

Këtë e bëjnë për të fituar një agjërim të saktë dhe të pranuar. Pa lënë mënjanë dhe faktin se duhen mënjanuar angazhimet e tjera (gjatë Ramazanit) sa  të kemi mundësi, me qëllim që shumicën e kohës ta kursejmë për Ramazanin.

Sufjan eth Theuri, Allahu e mëshiroftë, kur fillonte muaji i Ramazanit linte gjithçka dhe jepej pas leximit të Kuranit.

Agjërimi është një rast i artë për t’iu dhënë fund një herë e mirë zakoneve të këqija, si dhe për të kultivuar moralet e lavdëruara.

Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” | Bekare: 183 |

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...