Ky popull do dallohet me shkëlqimin e gjymtyrëve të abdesit në ditën e Kiametit

July 9, 2017

Transmetohet se Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të thotë: “Me të vërtetë populli (umeti) im do të vijë ditën e Kiametit me fytyrë dhe gjymtyrë që shkëlqejnë nga rrezet e dritës prej gjurmëve të abdesit. Prandaj kush mundet prej jush ta shtojë rrezen e dritës (shkëlqimin), le ta bëjë atë.” Mutefekun alejhi. Teksti është i Muslimit.

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Me të vërtetë populli (umeti) im” d.m.th. umeti i përgjigjes të cilët i janë përgjigjur të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe e kanë besuar atë. Këta quhen umeh ixhabeh[1].

Ndërsa umeti i thirrjes (umeh ed-daueh) janë të gjitha krijesat prej njerëzve dhe xhinëve, muslimanët dhe jobesimtarët. Kjo ngase thirrja e tij është e përgjithshme dhe i përfshin të gjitha krijesat.

Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) “do të vijë ditën e Kiametit” është për qëllim dita e Ringjalljes. Është quajtur El-Kijameh për shkak të daljes së njerëzve nga varret e tyre për te Zoti i botëve. Njerëzit do të ringjallen dhe do dalin nga varret e tyre, pastaj do të tubohen në Mahsher, pastaj do të merren në llogari për punët që kanë vepruar. Do të peshohen veprat e tyre dhe do u jepet rregjistri i veprave nga e djathta ose nga e majta, dhe në fund ose për në xhenet ose për në zjarr.

Populli (umeti) i Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në ditën e Kijametit kur të tubohen të gjitha krijesat do të kenë shenja dalluese me anë të së cilave do të njihen, e ajo është bardhësia e fytyrave të tyre. Siç thotë Allahu i Lartësuar: “Atë ditë kur disa fytyra do të zbardhen e të tjera do të nxihen. Sa për ata që do t’u nxihen fytyrat (do t’u thuhet): A mohuat pas besimit tuaj?![2] Atëherë, shijoni dënimin për shkak se mohuat! Kurse ata të cilëve do t’u zbardhen fytyrat,[3] do të jenë në mëshirën e Allahut[4] ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” Al-Imran: 106-107.

Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) “prej gjurmëve të abdesit”, tregon për ata që kanë marrë abdes në jetën e kësaj bote. Kjo tregon për vlerën e abdesit dhe se ai është adhurim madhështor, gjurmët e të cilit mbesin te besimtarët dhe që shfaqen në ditën e Kijametit.

Prandaj kush mundet prej jush ta shtojë rrezen e dritës (shkëlqimin), le ta bëjë atë.” Dijetarët kanë mendime të ndryshme përsa i përket kësaj fjalie; A është prej hadithit apo është prej fjalëve të Ebu Hurejrës (radijallahu anhu)? E sakta është se kjo është prej fjalëve të Ebu Hurjerës (radijAllahu anhu).

Ky hadith tregon për disa çështje:

E para: Në të tregohet vlera e abdesit dhe se ai është dritë në ditën e Kiametit, dhe me anë të tij do njihen muslimanët nga popujt e tjerë.

E dyta: Në të tregohet se abdesi është prej veçorive të këtij populli (umeti) ngase ai është shenjë dalluese për ta (muslimanët) në mesin e të gjithë popujve. Nëse abdesi do kishte qenë legjitim dhe për popujt e tjerë, atëherë ky popull (umet) nuk do specifikohej me këtë shenjë dalluese. Ky është argument se kjo shenjë dalluese është e veçantë vetëm për këtë popull (umet). Kjo është fjala më e saktë. Ka dijetarë që mendojnë se abdesi është (ka qenë) për të gjithë popujt.

E treta: Pasi e mësuam se fjala “Prandaj kush mundet prej jush ta shtojë rrezen e dritës (shkëlqimin), le ta bëjë atë”, është prej fjalëve të Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) dhe ky është ixhtihad nga ana e tij. Nga kjo (fjala e Ebu Hurejrës) nuk merret (nxirret) gjykimi legjislativ.

E katërta: Në hadith ka argument për kujdesin që duhet treguar në plotësimin e abdesit, perfeksionin (marrjen në formën më të mirë) dhe shtimin e tij, në mënyrë që muslimani të fitojë në këtë dallim madhështor e ajo është drita në ditën e Kijametit.

Shkëputur me disa shkurtime nga “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram”, vëll. 1.

 

Përktheu: Unejs Sheme

———————————————–

[1] Që i janë përgjigjur thirrjes së Profetit (alejhis-selam).

[2] Si zgjodhët mohimin dhe humbjen para besimit dhe udhëzimit?! Si zgjodhët rrugën e gabuar dhe braktisët rrugën e drejtë?! Si e mohuat njësimin e Allahut dhe shkelët besën që u ka marrë se; nuk do t’i bëni shok Atij por do të adhuroni vetëm Atë?! Të gjitha këto pas besimit se Allahu është Zoti juaj i Vetëm dhe se nuk ka zot tjetër përveç Tij.

[3] Ata të cilët e përmbushën besën që i dhanë Allahut dhe e njësuan Atë, iu bindën Atij dhe ndoqën të Dërguarin e Tij.

[4] Në Xhenetin e Allahut dhe në të mirat e Xhenetit që Allahu ka përgatitur për banorët e Tij.

Loading...