Puthja e gurit të zi në Qabe

August 16, 2017

Puthja e gurit të zi në Qabe.

Umer bin el-Hatabi (radijAllahu anhu) shkoi te Guri i Zi, e puthi dhe tha: “Unë e di se ti je vetëm një gur që s’të bën dëm dhe as të sjell dobi. Nëse nuk do e kisha parë të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të të puthte edhe unë s’do të puthja.”

“e puthi” – si dashuri dhe madhërim për Allahun e Lartësuar.

“që s’të bën dëm dhe as të sjell dobi” – nuk posedon diçka për t’i bërë dëm dikujt apo t’i bësh dobi atij. Prandaj, unë të putha jo nga frika prej dëmit tënd apo duke shpresuar dobinë tënde.

Dobitë e hadithit:

1. Ligjshmëria e puthjes së gurit të zi gjatë kryerjes së tavafit, nëse kjo është e mundur dhe nuk i dëmton muslimanët.
2. Umeri (radijAllahu anhu) e puthi gurin e zi jo nga frika e dëmit të tij apo duke shpresuar dobinë prej tij, por një veprim i tillë është dorëzim ndaj ligjeve të Allahut dhe pasim i Profetit.
3. Vepra e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është argument i cili duhet pasuar, përveç rastit ku saktësohet se një veprim i tillë është prej veçorive të tij.
4. Detyra e muslimanit është që t’i dorëzohet ligjeve të Allahut edhe nëse nuk arrin ta konceptojë thelbin e urtësisë që gjendet në të.
5. Puthja e diçkaje tjetër pos gurit të zi prej gjërave të ngurta dhe pemëve, konsiderohet risi (bidat).
6. Kush bën një vepër të drejtë e cila mund të sjell pështjellim tek të tjerët, del si detyrë që ta sqarojë një gjë të tillë derisa të largohet ky pështjellim nga njerëzit.
7. Virtytet dhe pozita e Umer bin el-Hatabit (radijAllahu anhu) dhe kujdesi i tij në mbrojtjen e teuhidit.
8. Lejimi i përshkrimit (cilësimit) të gurit të Qabes me emrin “El-Esued – الأسود”. Në të kundërtën e asaj që mendojnë disa njerëz të cilët i kalojnë kufijtë e vendosur nga Allahu duke e cilësuar atë “El-Es’ad – الأسعد”.

 

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

Loading...