O njeri, nderoje veten tënde!
Thotë i Lartësuari mbi shtatë qiejt:
“Dhe Ne i nderuam bijtë e Ademit dhe i mbartëm ata në tokë dhe në det, dhe i privilegjuam ata mbi shumë prej atyre që kemi krijuar me një privilegjim të madh.” (Isra: 70)
Ky është nderimi i parë si njeri. Që në origjinë je i nderuar si njeri, nuk je kafshë, as pasardhës kafshe, por të janë nënshtruar të gjitha krijesat. Sillesh si dëshiron duke levizur në qiell, tokë dhe në det. Të është nënshtruar çdo gjë për shkak të mendjes që të është dhuruar, mendje që u mungon krijesave të tjera përreth teje. Përveç kësaj, engjëjt që në fillim të respektuan dhe t’u përulën dhe me dituri u ngrite mbi ta.
Në një ajet tjetër thuhet:
“S’ka dyshim se ata që thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’, pastaj qëndruan në këtë rrugë deri në fund të jetës, u zbresin engjëjt (në momentet e fundit të jetës dhe i qetësojnë me këto fjalë:) ‘Mos kini frikë (nga vdekja dhe çfarë vjen pas saj) dhe as mos u brengosni (për ata/atë që latë pas në këtë dynja). Përkundrazi, gëzohuni dhe lumturohuni sepse do të hyni në Xhenetin që ju premtohej. Ne (engjëjt) kujdeseshim për ju (me urdhër prej Allahut) në jetën tuaj në këtë botë dhe do të kujdesemi për ju edhe në Ahiret, dhe ju aty (në botën tjetër) do të keni atë që ua do shpirti dhe atë që u premtohej. Mikëpritje prej Atij që fal shumë dhe që është i Gjithëmëshirshëm.” (Fussilet: 30-32)
Nderimi i dytë si besimtar.
Dhe thotë po ashtu i Lartësuari, Zoti i Fronit madhështor:
“… dhe (kur dalin nga varret) i presin engjëjt duke u thënë: Kjo është dita juaj që u ishte premtuar (dita në të cilën do të hyni në Xhenetin që u ishte premtuar).” (Enbija: 103)
Nderimi i tretë!
Kur je krijuar je nderuar. Kur je duke shkuar për në varr të përcjellin engjëjt duke të qetësuar, kur del nga varri të presin engjëjt duke të përgëzuar! Kush është më shumë se ti o besimtar është i nderuar?
O Allah na ndero!
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve