Shpjegimi i hadithit: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla” – Pjesa e parë

October 9, 2017

Transmetohet nga Abdullah bin Umeri (radijAllahu anhuma) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): Mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit, dhe në agjërimin e muajit të Ramazanit.” Hadithin e transmetojnë Buhariu (8 dhe 4514) dhe Muslimi (16).

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Ky hadith është i njëjtë si hadithi para tij – hadithi i Umer bin Hatabit – përsa i përket sqarimit të shtyllave të Islamit. Porse ky hadith përmban një shtesë, e ajo është fjala e tij: “Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla).”

Ndërsa në hadithin e Umerit (radijAllahu anhu) thuhet: “Më trego çfarë është Islami?”

Dhe Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut…” deri në fund të hadithit.

Hadithi i Umerit (radijAllahu anhu) nga konteksti i jashtëm tregon se Islami përbëhet vetëm nga këto pesë kushte. Ndërsa ky hadith tregon se këto të pesta nuk janë i gjithë Islami, por Islami është ndërtuar mbi to. Pra, këto janë ndërtesa dhe shtyllat e tij ngase Islami përfshin (përbëhet nga) shumë gjëra. Të gjitha veprat e mira janë Islam: vaxhibet, mustehabet, të gjitha aktet e adhurimeve dhe lënia e mëkateve janë (konsiderohen) Islam. Prandaj dhe Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Musliman është ai nga i cili muslimanët e tjerë janë të qetë nga gjuha dhe dora e tij.” Hadithin e transmeton Buhariu (6484) dhe Muslimi (14). Pra, e konsideroi mosdëmtimin e tjetrit (me gjuhë apo dorë) prej Islamit.

Pra, Islami është i gjerë por këto të pesta (që përmenden në këtë hadith) janë bazat e tij, janë shtyllat e tij dhe ndërtesa mbi të cilën ai ngrihet. Me humbjen (lënien) e tyre apo të diçkaje prej tyre njeriu nuk konsiderohet musliman. Ndërsa pjesa tjetër e veprave nëse njeriu humbet (nuk vepron) diçka prej tyre ai konsiderohet musliman, por islami i tij është i mangët në varësi të asaj (veprës) që ai ka lënë.

Vijon…

“El-Minhetu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...