Shpjegimi i hadithit: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla” – Pjesa e fundit

October 19, 2017

Shpjegimi i hadithit: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla!” 

-Pjesa e fundit-

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Tha: “…kryerjen e haxhit.” Haxhi është shtylla e pestë nga shtyllat e Islamit. Kryerja e tij është detyrë për muslimanin një herë në jetë.

El-Haxh” nga ana gjuhësore do të thotë synim.

Ndërsa në legjislacionin Islam do të thotë: Të kesh synim Shtëpinë e Shenjtë për kryerjen e adhurimit me kryerjen e tavafit, sa’jit (ecjen me Safas dhe Merves), qëndrimit në Arafat, qëndrimit në Mina dhe gjuajtjen e guralecave.[1]

Meqë ai përmban vështirësi ku njerëzit vijnë nga çdo anë e botës nga afër e të tjerë nga larg, Allahu i Lartësuar e bëri detyrë atë për çdokënd që ka mundësi me pasurinë e tij, pasuri që i mjafton për udhëtimin vajtje-ardhje dhe u mjafton fëmijëve dhe familjes së tij derisa ai të kthehet nga haxhi. Personi i tillë e ka detyrë kryerjen e haxhit.

Nëse personi ka mundësi ta kryej haxhin me veten e tij (është i shëndetshëm fizikisht), atëherë e kryen vetë haxhin (dhe nuk cakton dikë tjetër ta kryej për të). E nëse s’mundet ta kryej vet fizikisht për shkak të ndonjë sëmundje të vazhdueshme, atëherë ai cakton dikë tjetër ta kryej haxhin për të.

Nëse vdes dhe s’e ka kryer haxhin – duke pasur mundësi – është detyrë për familjarët e tij që nga pasuria që ka lënë të kryejnë haxhin për të, sepse haxhi është shtyllë prej shtyllave të Islamit.

Ndërsa ai që s’ka mundësi për shkak se s’ka pasuri, ai s’e ka detyrë kryerjen e haxhit. E nëse mundet nga ana financiare por nuk mundet fizikisht dhe shpreson se arsyeja që e pengon të largohet, ai duhet të presë derisa të ketë mundësi nga ana fizike e pastaj ta kryej haxhin. Në të kundërtën, nëse nuk shpreson diçka të tillë për shkak të moshës së thyer apo është i sëmurë me sëmundje kronike, ai cakton dikë tjetër ta kryej haxhin për të.

Ky hadith është plotësues i hadithit të Umerit (radijAllahu anhu) dhe sqarues i tij, prandaj dhe autori (Allahu e mëshiroftë) e ka sjellë (përmendur) pas tij.

 

“El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

Përktheu: Unejs Sheme

—————————————–

[1] Gjykimi i tij: Haxhi është detyrë sipas Kuranit, Sunetit dhe konsensusit të dijetarëve. Ai është një prej shtyllave të fesë islame.

Argument nga Kurani: Allahu i Lartësuar thotë: “…. dhe vizita (për haxh) e kësaj faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën.” Al-Imran: 97.

Argument nga Suneti: Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Feja Islame ngrihet mbi pesë (shtylla) …” – e prej tyre përmendi; “…. kryerja e haxhit në Shtëpinë e Shenjtë për atë që ka mundësi.”

Konsensusi: Ibën el-Mundhiri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Umeti është i një mendimi se kryerja e haxhit është detyrë një herë në jetë.”

Kur është bërë detyrë haxhi? Disa dijetarë thonë se ai është bërë detyrë para hixhretit, porse kjo fjalë konsiderohet “shadh”. (Fet’hul-Barij). Kanë thënë se është bërë detyrë pas hixhretit, por janë në kundërshtim se në cilin vit është bërë. Shumica janë të mendimit se ai është bërë detyrë në vitin e gjashtë hixhri, sepse në lidhje me këtë ka zbritur fjala e Allahut të Lartësuar: “Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut!“El-Bekare: 196. Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë) thotë se kjo është e sakta. Kanë thënë: Është bërë detyrë në vitin e nëntë. Imami Ibnul-Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) mendon se kjo është e sakta kur thotë: “Përsa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar “ue etimmu…” ka zbritur në vitin e gjashtë, vitin e Hudejbies/besëlidhja e Hudejbies. Në këtë ajet nuk tregohet obligueshmëria e haxhit, por në të tregohet urdhëri për plotësimin e tij dhe të umres kur fillon ritualin e tyre. Kjo është fjala më e saktë. Ky është edhe mendimi i shejh Ibën Uthejminit (Allahu e mëshiroftë) në “Sherh Sahih el-Buhari” dhe “Sherh bulugil-Meram”. Imam Ibnul-Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!): “Nuk ka kundërshtim në mesin e dijetarëve se Profeti (alejhi selam) ka kryer vetëm një haxh, i cili njihet si “Haxhi i Lamtumirës” në vitin e dhjetë hixhri.”

Haxhi i pranuar: Hafidh Ibën Abdulberr (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Haxhi i pranuar është ai në të cilin nuk ka syfaqësi, famë (njeriu nuk kërkon famë me anë të tij), fjalë të pahijshme, vepra të turpshme, dhe ai kryet me pasuri hallall.”

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Haxhi i pranuar është ai në të cilin përmblidhen:

Së pari: Të jetë i sinqertë vetëm për Allahun.

Së dyti: Të kryet me pasuri hallall (të lejuar).

Së treti: Njeriu të kryejë në të gjërat që janë detyrë në mënyrë që të konsiderohet adhurim.” Haxhi i pranuar është që gruaja ta kryejë haxhin me mahremin e saj. Nëse ajo e kryen haxhin pa mahrem ai nuk konsiderohet haxh i pranuar.

Loading...