Shpjegimi i hadithit: “Kush shpik në çështjen tonë…” – Pjesa e dytë

October 22, 2017

Shpjegimi i hadithit: “Kush shpik në çështjen tonë…” – Pjesa e dytë.

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “… ajo është e refuzuar” d.m.th. i refuzohet dhe nuk pranohet te Allahu i Lartmadhëruar, sado që njeriu e ka lodhur veten e tij (në bërjen e saj) dhe sado të jetë i sinqertë në të. Ngase nuk shihet (vetëm) te qëllimi i mirë por patjetër duhet që të shoqërohet (dhe) me pasimin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Nëse njëra nga këto dy kushtet nuk gjendet atëherë ajo (vepra, adhurimi etj.) i refuzohet bërësit (nuk i pranohet).

Në të ka argument në kotësinë e të gjitha bidateve dhe se bërësi i tyre konsiderohet mëkatar dhe nuk shpërblehet, ngase ai ka shpikur në fenë e Allahut të Lartësuar diçka që s’është prej saj.

Në të ka argument se të gjitha bidatet në fe janë të refuzuara (nuk pranohen).

Në të ka kundërpërgjigje ndaj atij që thotë se ka dhe bidate të mira.[1]

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në një hadith tjetër thotë: “Me të vërtetë çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.”[2] Ndërsa dikush thotë se ka dhe bidate të mira!!

Ky ka kundërshtuar fjalën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Nuk ka bidate të mira por të gjitha bidatet janë të këqija dhe refuzohen me tekstin e këtij hadithi, por disa dëshirojnë t’i bëjnë të lejuara bidatet dhe t’i zbukurojnë ato.

Për bidatin e festimit të ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thonë: Festimi i saj është bidat i mirë sepse ai është argument për dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Sipas fjalës së tyre i bie që; Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu dhe sahabët e mëdhenj ((radijAllahu anhum) nuk e duan të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Sahabët nuk e kanë festuar ditëlindjen e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), madje – sipas fjalës së tyre – të gjithë brezat e artë nuk e duan të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) sepse nuk e kanë festuar ditëlindjen e tij!

Shpikja e bidateve nuk është argument për dashurinë ndaj të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Përkundrazi, shpikja e tyre është argument për urrejtjen e tij. Kush e do të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e pason atë, nuk e kundërshton dhe nuk shpik bidate.

“El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

Përktheu: Unejs Sheme

———————————————–

[1] Shih “El-I’tisam” (1/188-193) të imam Shatibiut (Allahu e mëshiroftë).

[2] Muslimi (867) prej hadithit të Xhabirit (radijAllahu anhu) dhe prej hadithit të Ibën Abasit (radijAllahu anhuma) (868), Ahmedi në “Musnedin” e tij (1/392-393) prej hadithit të Ibën Mesudit (radijAllahu anhu), Ebu Daudi në “Sunenin” e tij (1097), Tirmidhiu në “Sunenin” e tij (1105), Nesaiu në “El-Kubra” (1/550) dhe (3/449), dhe Ibën Maxhe (1892). Po ashtu transmetohet dhe nga Irbad bin Sarijeh (radijAllahu anhu).

Loading...