Ekuilibri mes leximit dhe marrjes së diturisë prej dijetarëve.
Dituria merret në dy mënyra:
E para: Gojarisht, dhe ajo është marrja e diturisë prej njerëzve që janë të ditur rreth saj. Kjo është origjina (kështu duhet të merret dituria normalisht) dhe ky është themel i fortë në marrjen e diturive të ndryshme. Gjithashtu, kjo është rruga që kanë ndjekur selefët (të parët tanë të mirë) përpara shkrimit të diturive nëpër libra dhe pas saj, por këtu nuk është vendi për të folur rreth kësaj pike.
E dyta: Marrja e saj prej librave të cilët janë depot e diturisë. Këtu duhet tërhequr vëmendja për disa çështje:
1. Duhet të ketë një ekuilibër dhe ndërthurje mes marrjes së diturisë prej librave dhe marrjes së saj prej dijetarëve, sepse dituria edhe pse është vendosur në brendësinë e librave përsëri çelësat e saj janë në duart e burrave (dijetarëve), siç thuhet në shprehjen e famshme.
Prandaj, së paku të merret një përmbledhje në çdo lëmi prej lëmive të dijes prej një dijetari të specializuar në atë fushë. E pasi të ketë përvetësuar studenti bazat e asaj shkence dhe themelet e saj, më pas le të vazhdojë të ngrejë ngrehinën e diturisë së tij duke u zgjeruar në atë fushë në mënyrë të përshkallëzuar, duke u ngritur me lexim në librat voluminozë të saj dhe në shpjegimet e detajuara. Përgjatë kësaj të tregohet i kujdesshëm që të pyesë specialistët e asaj fushe dhe të ulet për t’u konsultuar me ta, sepse siç ka thënë imam Neueuij: “Konsultimi me një mjeshtër të fushës një orë është më i dobishëm sesa shfletimi i librave me orë të tëra, madje edhe me ditë!”
Studenti nuk duhet ta teprojë në masën e marrjes së dijes dhe leximit para dijetarëve, dhe të përpiqet të matet në këtë fushë me ata që e kanë paraprirë në kohët e largëta (sh.p. siç u përmendën në shembujt e kaluar që kalonin gjithë natën në lexim). Në atë kohë si shejhu ashtu edhe studenti ishin të fokusuar totalisht në lexim dhe mësimdhënie, s’kishin angazhime e as gjëra të tjera nëpër këmbë e as pengesa. Për më tepër, të dyja palët ishin të afta plotësisht gjë që mungon sot, dhe kjo është mangësia e dijes dhe largimi i saj, largim që vjen si pasojë e vdekjes së dijetarëve. Përkundër kësaj, librat sot janë më të përhapur dhe më lehtë të arritshëm se më parë.
2. Duhet zgjedhur me kujdes përmbledhja që duhet mësuar përmendësh apo studjuar në mënyrë që të jetë e përshtatshme për studentin nga sa më shumë pikëpamje, dhe të mos zhvendoset nga njëri libër tek tjetri (brenda së njëjtës shkencë pa mbaruar të parin). Zhvendosja e shpeshtë nëpër libra (lexo njërin, lëre në mes dhe fillo tjetrin) është tregues i bezdisjes së studentit dhe mossuksesit të tij në të shumtën e rasteve.
3. Studenti duhet të tregojë interes maksimal për librat e të hershmëve prej dijetarëve saktësues. Përsa u përket të hershmëve kjo është e qartë, e sa u takon saktësuesve kjo për shkak se në çdo kohë ekziston dikush që sqaron argumentet e Allahut prej dijetarëve saktësues të çështjeve, autorë të librave të shumtë dhe të dobishëm në çdo shkencë të Islamit. Këta libra dallohen për dituri të ndërtuar mbi baza shkencore dhe gjykime të mbështetura mbi argumente sipas rregullave që kërkon hulumtimi. Po ashtu, ata janë larg diskutimeve filozofike boshe të cilat nuk kanë ndikim te vet dituria. Këta janë disa shembuj nga periudha të ndryshme kohore me të cilët mund të orientohesh tek të tjerët:
Ibn Xheriri (v. 310), Hatib el Bagdadi (v. 463), Ibn Abdulberri (v. 463), Begauij (v. 516), Ibën Kudameh (v. 620), Neueuij (v. 676), Ibn Dekijk el Iid (v. 702), Shejhul Islam Ibn Tejmijeh (v. 728), Ibnul Kajim (v. 751), Ibn Kethiri (v. 774), Ibn Rexhebi (v. 795), El Irakij (v. 806), Hafidh ibn Haxher (v. 852) dhe të tjerë.
Bëj kujdes nga librat e shpikësve në fe dhe të humburve, të hershmëve dhe të mëvonshmëve. Shejhul Islami, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Prandaj është e urryer leximi i këtyre librave për atë që nuk i njeh kritikat që u drejtohen atyre, në të cilat transmetimet e rrejshme janë të shumta dhe janë të mbushura me devijime, siç janë librat e shpikësve në fe. Është e urryer gjithashtu marrja e diturisë prej rrëfimtarëve apo të ngjashmit me ta, të cilët gënjeshtrën e kanë me shumicë edhe pse thonë shumë të vërteta.”
Shkëputur nga libri: “Nxitësi për lexim”.
Përktheu: Emin Bilali
Të Ngjashme
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Cila është metodologjia e grupit të shpëtuar? Shejh Muhamed Xhemil Zejno