Islami në Indi – Kolonizimi i Indisë (Pjesa e tretë)

November 21, 2017

Ardhja në pushtet e myslimanëve mongolë në Indi dhe lulëzimi islam i saj, ishte pas rënies së shtetit islam në Andaluzi dhe formimit të Spanjës dhe të Portugalisë. Është pak e çuditshme të përmendet Spanja dhe Portugalia kur flitet për Indinë sepse India është shumë larg tyre, mirëpo realisht historia e Indisë dhe e vendeve rreth saj deri para pak dekadash ka pasur lidhje të ngushtë me disa prej shteteve evropiane, si; Portugalia, Spanja, Franca, Holanda dhe Anglia. Fillimi i kësaj lidhje janë Portugezët dhe më pas e pasuan atë vendet e tjera.

Spanja dhe Portugalia duke shfrytëzuar njohuritë e myslimanëve të Andaluzisë, pasuritë e tyre që i futën nën zotërim dhe daljen e favorshme të Andaluzisë në oqeanin Atlantik, pak nga pak arritën të bëhen të zotët e detit në oqeanin Atlantik dhe dy fuqitë më të mëdha të asaj kohe. Në të njëjtën kohë Osmanët kishin dalë si forca më e madhe ushtarake në detin Mesdhe dhe detin e Zi, sidomos pas rënies së Kostandinopojës në vitin 857 H, pastaj shumë shpejt edhe në detin e Kuq.

Portugezët pas rënies së Kostandinopojës dhe fuqizimit të Osmanëve filluan të kërkojnë për një rrugë tjetër në vend të rrugës së mëndafshit për t’u lidhur me Indinë dhe lindjen e largët, sepse rruga e mëndafshit kalonte mes zonave të banuara dhe të kontrolluara prej myslimanëve. Ata u munduan të gjejnë një rrugë detare që kalon përreth brigjeve të Afrikës me Oqeanin Atlantik dhe që të depërtojnë më pas nëpërmjet saj për në Oqeanin Indian. Dhe kështu në fund të shekullit të nëntë dhe në fillim të shekullit të dhjetë sipas hixhretit ata arritën të zbulojnë kepin e shpresës së mirë në skajin më jugor të Afrikës, dhe nëpërmjet tij kaluan në Oqeanin Indian.

Udhëtimin e parë nëpërmjet rrugës së re e ka bërë detari i njohur portugez Vasko De Gama në vitin 903 të hixhretit (d.m.th. në Maj të vitit 1498), pastaj pasuan udhëtimet e tjera.

Dalja e portugezëve në Oqeanin Indian u hapi rrugën atyre për pushtimin e brigjeve të Indisë, madje edhe për pushtimin e disa nga brigjet e gadishullit arabik nga ana tjetër e oqeanit. Kjo gjë u bë problem i madh për lëvizjet e myslimanëve në drejtim të Indisë dhe anasjelltas si dhe për tregtinë e tyre me këto vende, sepse ata plaçkitnin anijet, tregtarët, udhëtarët dhe haxhilerët.

Ja çfarë shkruan Kutbud-Dijn En-Nehraualij (historian i njohur mysliman i asaj kohe 918-990 sipas hixhretit i cili është me origjinë nga Gujarati i Indisë por që ka jetuar në Meke):

“Në fillim të shekullit të dhjetë ka ndodhur një prej fatkeqësive më të mëdha dhe të rralla, që është hyrja e Portugezëve të mallkuar prej racës së frëngëve në Indi. Ata hipnin anijeve nga ngushtica e Sebtes (emër vendi në veri të Marokut në kufi me Spanjën ku formohet ngushtica e Gjibraltarit), dilnin në detin e errësirave (ka për qëllim oqeanin Atlantik) dhe vinin në një vend afër ishujve Komore (një grup ishujsh në brigjet e Afrikës me oqeanin Indian mes saj dhe ishullit të madh të Madagaskarit).

Emri Komore është marrë nga gjuha arabe (siç do ta shpjegojë vet autori, dhe arabët e shqiptojnë Kumr) që do thotë e bardhë si lënda e lumit të Nilit të Bardhë. Ata arrinin në vendet e lindjes duke kaluar nga një vend i ngushtë me shumë dallgë afër bregut (afrikan), ku njëra anë e të cilit është kodër dhe ana tjetër ishte deti i errësirave ku u shkatërroheshin anijet dhe nuk shpëtonte njeri prej tyre. Ata për një farë kohe vazhduan në këtë mënyrë duke u shkatërruar në atë vend pa shpëtuar askush prej tyre për në detin indian, derisa shpëtoi një anije e cila arriti në Indi. Pastaj vazhduan të marrin të dhëna rreth këtij deti derisa ua tregoi rrugën një detar shumë i aftë që quhet Ahmed bin Maxhid, miku i të cilit ishte i madhi i frëngëve…. Ai u mësoi atyre rrugën dhe u tha: Mos ju afroni bregut dhe hyni thellë në det, pastaj kthehuni që të mos ju përplasin dallgët!

Kur e bënë atë gjë shumë prej anijeve të tyre i shpëtonin shkatërrimit, dhe kështu u shtua numri i tyre në detin indian. Ata ndërtuan në Goa të Indisë – pjesë e pllajës së Dekanit – një kala të cilën e quajnë Kuta, pastaj morën Hormuzin (ngushticë mes Omanit dhe Iranit në detin arab, pjesë e oqeanit indian). Ata u forcuan duke u ardhur përforcime nga Portugalia dhe filluan t’ua presin rrugën myslimanëve duke i robëruar, duke plaçkitur dhe grabitur çdo anije derisa u shtua dëmi i tyre ndaj myslimanëve…..” Shih librin ‘El-Berk El-Jemanij’, fq. 18-19.

Lajmet që përcjell En-Nehraualij janë të sakta me përjashtim të lajmit se Ahmed ibn Maxhidi -Allahu e mëshiroftë- është njeriu që i ndihmoi portugezët të arrijnë në Indi. Sepse është e vështirë të mendohet për një njeri si ai t’ju ketë dhënë piratëve portugezë një ndihmë kaq të madhe. Fjalën [pirat] e them pa aspak dyshim sepse siç po e shihni puna e tyre ishte pirateri e qartë.

Ahmed bin Maxhidi është një nga dijetarët më të njohur dhe të aftë prej myslimanëve arabë nga Omani i sotëm, dhe ai mban disa llagape:  “Luani i detit”,  “Princi i detit”,  “Mësuesi i detit indian” etj. Ai është shpikësi i gjilpërës magnetike për orientimin e detarëve në det, dhe ka shkruar që në atë kohë afro 40 libra në lidhje me çfarë i duhet të dijë një marinari kur hipën në anije.

Për shkak të rëndësisë që ka Ahmed ibn Maxhidi -Allahu e mëshiroftë- po përmend disa citate nga libri i tij “El-Feuaid fi Usul El-Behriuel-Kauaid (Dobitë në lidhje me bazat e lundrimit në det dhe rregullat e tij)”, për të kuptuar më mirë figurën e tij:

“Lëvdatat i takojnë Allahut dhe paqja dhe përshëndetja qofshin mbi më të mirin e krijesave të tij Muhamedin, familjen dhe shokët e tij! Në vijim them: Kam parë se të gjitha dijet në dynja janë mburrja më e madhe, pozita më e lartë dhe epiteti më i nderuar. Kjo për shkak të fjalëve të Profetit tonë -alejhi selam- dhe nxitjes së të gjithë profetëve për dije, deri sa është thënë: Nuk ka ndonjë dije qoftë edhe e keqe veçse injoranca është më e keqe se ajo. Atëherë, ç’mund të thuhet kur pa këtë dije nuk do të kishe njohur kiblen e Islamit (Meken)? Argumenti për këtë që them është se sa herë kam ardhur me anije nga India, Shami, vendi i zezakëve, Persia, Hixhazi, Jemeni etj. me synim këtë anë të shumë kërkuar, me mall dhe me njerëz. Ky është argument i prerë se kjo dije tregon për kiblen …..

O ti që kërkon të mësosh! Dije se lundrimi në det kërkon të dish shumë gjëra dhe prej tyre më të rëndësishmet janë; fazat e hënës, njohja e anëve orientuese me anë të busullës, brigjet, distancat dhe matjet e tyre, vendlindjet e diellit dhe të hënës, erërat dhe sezonet e tyre, deti dhe gjendjet e tij, mjetet e anijes dhe çdo gjë që i nevojitet asaj, çdo gjë që i bën dëm apo dobi dhe çdo gjë që duhet kur hipën në të. Duhet të dish; vendlindjet e diellit dhe të hënës, ekuinokset, mjetet e matjes dhe sistemimin e tyre, kohët e daljes së yjeve dhe perëndimin e tyre, si dhe gjatësitë, gjerësitë, largësitë dhe rrugët që përshkojnë yjet nëse do jesh kapiten i zoti….

Duhet të interesohesh për ngarkesën dhe njerëzit që mban që të mos ta mbushësh më shumë se zakonisht, të mos hipësh në një anije ku nuk të dëgjohet fjala dhe as në një anije të papërgatitur.

Duhet që kur të hipësh në det të jesh gjithmonë me abdes sepse kur je në anije je mik prej miqve të Krijuesit, prandaj mos u shkujdes nga përkujtimi i Tij.

Ja si e përshkruan Ahmed bin Maxhidi -Allahu e mëshiroftë- hyrjen e portugezëve në Kalikutë (qytet bregdetar në jug të Indisë në brigjet e oqeanit Indian):

Kujto burrat e Kalikutës dhe nxirr mësim *** në vitin 906 H dhe pak më shumë.

Shiti, bleu dhe sundoi *** Samara (llagap i prijësit të asaj zone) në peshoren e tij bëri padrejtësi,,

Atje u fut ai që e urren islamin *** dhe njerëzit janë në panik dhe hidhërim.

Kështu u ndërpre mekasi nga toka e Samarës *** dhe mysafirit rruga iu vështirësua.

Pra, është e vështirë të besohet se Ahmed bin Maxhidi i ka ndihmuar piratët portugezë, por ajo që mendohet se ka ndodhur është se ata mund të kenë përfituar nga librat e tij në të cilat ka përshkrim të plotë dhe të mjaftueshëm në lidhje me lundrimin në oqeanin Indian.

Portugezët, spanjollët, dhe po ashtu edhe kolonizatorët e tjerë u munduan të përdorin fenë për të mbuluar piraterinë dhe krimet e tyre.

Ja çfarë tregon Bartolomé de las Casas (prift misionar dhe historian spanjoll që ka jetuar mes 1484-1566 ose sipas hixhrit 889-974) në një letër që i shkruan mbretit të Kastiles (Spanjës), në atë kohë Filipi i dytë për krimet e spanjollëve në Amerikën Latine, letër kjo që përkon nga ana kohore me hyrjen e Portugezëve në Indinë e lindjes:

“Unë dua t’ju tregoj, i nderuari mbreti im për të këqijat dhe mëkatet dhe për rrënimin dhe shkatërrimin në këto vende të mëdha, në këtë botë të re dhe të gjerë që quhet vendi i indianëve të kuq të cilin ua ka dhuruar Zoti mbretërve të Kastiles. Dhe bashkangjitur atyre për ta udhëhequr dhe ndrequr, dhe për t’i udhëzuar banorët e saj për në krishtërim që të lumturohen në të dhe të arrijnë shpresat e kësaj bote dhe të tjetrës. Askush nuk mund ta imagjinojë se njerëzit kanë mundësi ta bëjnë gjithë këtë shkatërrim.

Kam jetuar në vendin e këtyre popujve indianë më shumë se 50 vjet dhe i kam parë me sytë e mi se çfarë mizorish dhe padrejtësish kanë bërë.

Zoti i ka krijuar këta popuj të shumtë në numër dhe të padjallëzuar, që nuk e njohin të keqen dhe shtirjen. Ata janë popuj që kanë bindje dhe besnikëri ndaj prijësve të tyre, qofshin ata vendas apo nga të krishterët që u shërbejnë (që sillen mirë me ta). Madje ata janë nga popujt që kanë më shumë përulje, durim, paqe dhe qetësi. Ata nuk njohin urrejtjen, zhurmën, dhunën dhe grindjen. Janë popuj që nuk e njohin zilinë, të keqen e fshehur dhe nuk hakmerren. Popuj me trupa të imët, të hollë dhe të dobët, që nuk e durojnë dot stërmundimin. Shumë shpejt i dëmton sëmundja sado e lehtë qoftë ajo.

Spanjollët u vërsulën në drejtim të këtyre deleve të qeta si ujqërit, tigrat dhe luanët e egër, të cilët nuk kanë ngrënë gjë për ditë me radhë. Që prej 40 vjetësh ata i copëzojnë, i vrasin dhe i tmerrojnë. Që prej 40 vjetësh ata i shkatërrojnë, i dhunojnë dhe i shfarosin. Çdo ditë ka nga një mizori të re të paparë, për të cilat as nuk kemi dëgjuar dhe as lexuar më përpara.

Gjatë këtyre 40 viteve janë shfarosur më shumë se 12 milion burra, gra dhe fëmijë padrejtësisht nga tirania e të krishterëve dhe veprat e tyre të ferrit. Kjo shifër është e sigurtë edhe pse unë besoj se numri i tyre i kalon 15 milionët. Ata që kanë shkuar atje prej pretenduesve të krishtërimit i kanë shfarosur popujt e qetë indianë dhe ua kanë fshirë emrin nga faqja e tokës; ose me pushtime të përgjakshme, ose me skllavërim të atyre që kanë mbetur, skllavërim i ashpër dhe i shëmtuar të cilin as nuk e kanë parë njerëzit dhe as e kanë provuar kafshët.

Të krishterët kanë vrarë gjithë këta shpirtra të pastër dhe kanë bërë gjithë këto rrënime në emër të fesë, që të sigurojnë flori dhe pasuri dhe të arrijnë në poste më të mëdha se ata vet. Pangopësia dhe epshet e tyre të pakufishme i çuan ata në nënçmimin e këtyre popujve të thjeshtë, durimtarë dhe të dashur, dhe në grabitjen e pasurive të këtyre tokave pjellore dhe mahnitëse. Unë po ju them të vërtetën të cilën e kam parë me sytë e mi se të krishterët i shikojnë indianët e kuq jo si kafshë – dhe ah sikur ti shihnin si kafshë! – por me më pak vlerë se kafshët dhe më pak rëndësi se mbeturinat.

Historia e prijësit të një fisi në Kubë me emër Hatua.

Spanjollët kanë hyrë në ishullin e Kubës së populluar në vitin 1511. Atje ishte një kryetar fisi që quhej Hatua i cili ishte strehuar së bashku me një grup të madh njerëzish, kur spanjollët pushtuan ishullin e tyre San Domeniko.

Hatua kur mori vesh se spanjollët mbërritën edhe në Kubë, mblodhi fisin e tij dhe u tha: Kam dëgjuar se spanjollët po vijnë dhe ju e dini se çfarë na ngjau në ishullin tonë, dhe se ata po vijnë këtu që të bëjnë me ne atë që bënë atje. A e dini pse e bëjnë këtë gjë? Disa prej indianëve të thjeshtë i thanë: Ata e bëjnë këtë gjë për hir të zotit të tyre të cilin e adhurojnë dhe e madhërojnë. Ata duan që ne të besojmë atë prandaj na vrasin.

Hatua kishte një shportë të vogël të mbushur me flori, ndaj qeshi dhe u tha: Ky është zoti i të krishterëve, ai është floriri. Hajdeni të kërcejmë para tij dhe ta kënaqim se ndoshta e dëgjon lutjen tonë dhe i urdhëron të krishterët që të mos na therin. Ata njëzëri thanë: Mirë, mirë! Dhe kështu kërcyen derisa u lodhën. Pastaj Hatua u tha: Më dëgjoni me vëmendje! Do ta hedh këtë flori në lumë sepse ata do të na vrasin për shkak të tij, – dhe ashtu bënë. Kur e morën vesh të krishterët këtë gjë përgatitën litarin për ta varur, dhe aty erdhi një prift françeskan për ta udhëzuar para vdekjes për në besimin kristian për të cilin nuk kishte dëgjuar më përpara. Prifti i shpjegoi se ai duhet ta shfrytëzojë këtë kohë të shkurtër para vdekjes dhe të besojë, sepse besimi i tij do ta fusë në parajsë ose përndryshe do të shkojë në zjarr.

Kryetari i fisit i tha priftit: A ka në parajsë të krishterë? Ai i tha: Shumica e tyre janë atje. Atëherë kryetari indian pa hezitim i tha: Unë preferoj më shumë të hyj në zjarr sesa të takohem me ju në parajsë. Më ço në zjarr! Kështu u bë fama e keqe e të krishterëve në vendet indiane për shkak të mizorive të bëra prej tyre….” Shih ‘Letrën e tij’ të botuar në gjuhën arabe me titull “El-MesijhijjeueS-Sejf”.

Krahasoje këtë që përshkruhet në këtë letër me luftrat e myslimanëve në shekujt e parë të përhapjes së islamit! Luftrat e myslimanëve dallojnë nga këto luftra sepse qëllimi i tyre nuk kanë qenë përfitimet ekonomike dhe grabitja e pasurive të të tjerëve, por ka qenë përhapja e fesë së Allahut dhe vendosja e drejtësisë së saj. Allahu i madhëruar kur i udhëzoi arabët për në fenë e drejtë dhe të pastër pa idhujtari, dhe që është feja e përbashkët e gjithë profetëve të Allahut, i urdhëroi ata që ta përcjellin këtë fe te popujt e tjerë që vuanin nga idhujtaria dhe kështu ata zhvilluan një luftë që i përshtatet këtij qëllimi. Ja çfarë tregon Burejde El-Eslemij -radiallahu anhu- për porositë e Profetit -alejhi selam- kur niste njerëzit për luftë:

“Profeti -alejhi selam- kur caktonte komandantin e ndonjë ushtrie apo të ndonjë çete e porosiste atë për devotshmëri dhe për t’u kujdesur për myslimanët që kishte me vete. Pastaj i thoshte: Nisuni në emër të Allahut, në rrugën e Allahut, dhe luftoni atë që mohon Allahun! Luftoni dhe mos vidhni! Mos tradhtoni! Mos prishni kufomat! Mos vrisni fëmijët! Kur të takohesh me idhujtarët propozoju atyre tre gjëra, dhe cilës prej tyre t’i përgjigjen pranoje atë dhe lëri të lirë!

Ftoi në islam, dhe nëse ata të përgjigjen pranoje prej tyre dhe lëri……. Nëse ata e refuzojnë të parën, atëherë kërkoju atyre të paguajnë xhizjen (taksën e nënshtrimit), dhe nëse ata të përgjigjen pranoje prej tyre dhe lëri! E nëse ata e refuzojnë (edhe të dytën) atëherë kërkoji ndihmë Allahut dhe luftoi…..” E transmeton Muslimi.

Pra, hadithi tregon qartë se qëllimi i luftrave në islam është përhapja e fesë së Allahut; [Nisuni në emër të Allahut, në rrugën e Allahut, dhe luftoni atë që mohon Allahun!] Siç tregon gjithashtu se lufta nuk është bërë për ta detyruar tjetrin ta pranojë fenë islame me dhunë, sepse profeti -alejhi selam- thotë:  [dhe luftoni atë që mohon Allahun] dhe nuk ka thënë [vriteni atë që mohon Allahun]. D.m.th. luftojeni atë që ka bërë rezistencë luftarake me armë në dorë dhe është bërë pengesë për përhapjen e fesë, derisa ta lëshojë armën pastaj të lihet i lirë në zgjedhjen e fesë së tij. Allahu i madhëruar thotë: “Nuk ka dhunë në fe, është sqaruar e vërteta nga e kota.” El-Bekara: 256.

Propozimi i islamit për fe si alternativë e parë për të shmangur luftën, tregon më së miri këtë që thamë më lart se fushatat luftarake nuk kanë për qëllim anën ekonomike por anën fetare dhe përhapjen e saj. Dhe nëse ajo arrihet në këtë mënyre atëherë nuk ka nevojë për luftë, sepse qëllimi i fushatës u realizua pa të. Gjithashtu, edhe propozimi i taksës së nënshtrimit (xhizjes) si alternativë e dytë për shmangien e luftës nëse nuk pranohet e para, tregon gjithashtu se ka përparësi çdo zgjidhje e cila çon në dobësimin e rezistencës së kundërshtarit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër nxit për hyrjen në islam. Njerëzit në natyrën e tyre e duan pasurinë dhe për ta ruajtur atë nxiten në pranimin e islamit që t’ju hiqet taksa.

Pra, edhe në këtë alternativë kemi përsëri të njëjtin synim për të ndihmuar në përhapjen e fesë së Allahut. Pastaj, nëse lufta nuk arrihet të shmanget nëpërmjet këtyre dy alternativave, atëherë kjo tregon se synimi nuk mund të arrihet veçse me luftë por të jetë luftë e pastër që i shërben qëllimit të saj. Këtë e tregon fakti që nuk luftohen veçse ata që bëjnë rezistencë luftarake, siç u tha më lart, duke mos prekur fëmijët, gratë, pleqtë, ata që janë në tempujt e tyre të adhurimit, bujqit etj. Fëmijët janë përmendur në këtë hadith kurse të tjerët janë përmendur në hadithe të tjera.

Faktin që lufta i ka shërbyer qëllimit madhor të përhapjes së fesë së Allahut, e tregon edhe gjendja e njerëzve pas çlirimit të vendeve të tyre dhe marrjes së pushtetit nga ana myslimanëve. Ata që zgjodhën islamin për fe janë konsideruar si çdo mysliman tjetër, pa dallim race, ngjyre dhe gjuhe, sepse profeti -alejhi selam- ka thënë: “O ju njerëz, Zoti juaj është një dhe babai juaj është një (Ademi). Nuk ka më shumë merita (apo vlerë) arabi se i huaji dhe as i huaji më shumë se arabi, as i kuqi më shumë se i ziu dhe as i ziu më shumë se i kuqi veçse me devotshmëri.” E transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani. Ndërsa ata që zgjodhën të qëndrojnë në fenë e tyre u është marrë taksa e nënshtrimit, me qëllim nxitjen e tyre për të hyrë në islam siç u tha më lart, dhe u janë ruajtur të drejtat. Profeti -alejhi selam- thoshte:  “Kush i bën padrejtësi ndonjë jomyslimani që është në besë duke ia shkelur të drejtën, apo duke e ngarkuar më shumë se ka mundësi, apo duke i marrë ndonjë gjë pa pëlqimin e tij, unë do të jem kundërshtari i tij ditën e kiametit.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani. Ndërsa për atë që e vret një jomysliman në besë, profeti -alejhi selam- ka thënë:  “Ai që vret një jomysliman që është në besë nuk ka për ta ndier erën e Xhenetit edhe pse era e tij ndihet 70 vjet larg.” E transmeton Buhariu.

Njerëzit e vendeve ku u ndërmorën këto fushata për përhapjen e fesë, kur panë këtë drejtësi të islamit shumica dërrmuese e tyre hynë në islam dhe e përqafuan atë me bindje, kurse të tjerët jetuan të qetë në fenë e tyre duke shijuar drejtësinë e sundimtarëve myslimanë.

Kjo gjë ka bërë që luftërat e myslimaneve me popujt e tjerë të quhen çlirime dhe jo pushtime apo kolonizime, sepse ato kishin për qëllim çlirimin e njerëzve nga robëria e idhujtarisë dhe jo përfitimet ekonomike duke grabitur dhe skllavëruar popujt e tjerë. Këtë e tregon më së miri edhe lulëzimi i çdo vendi të çliruar nga myslimanët, si; Shami, Iraku, Persia, Azia qëndrore, India, Egjipti, Afrika veriore, Andaluzia, dhe së fundi në kohën e osmanlinjve Turqia dhe Ballkani.

Së fundi, krahasoji këto vende ku hynë myslimanët me vendet e pushtuara apo të kolonizuara nga jomyslimanët në botë: Afrika e pushtuar disa herë prej tyre menjëherë pas kohës së myslimanëve është kontinenti më i varfër i botës. Amerika latine e pushtuar nga Spanja dhe Portugalia është gjithashtu ndër vendet më të varfra të botës. India e pushtuar pas çlirimit të myslimanëve dhe lulëzimit të saj është po ashtu ndër vendet më të varfra të botës. Azia qëndrore pas lulëzimit në kohën e myslimanëve e pushtuar nga sovjetikët, ranë në varfëri dhe luftëra të përgjakshme dhe akoma janë nën ndikimin e tyre, e shumë e shumë shembuj të tjerë të panumërt.

 

Vijon …….

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...