Allahu i Madhëruar e urren këtë njeri

March 30, 2018

Ibën Hibani thotë në Sahihun e tij:

Tema: Qortimi i diturisë rreth çështjeve të kësaj bote dhe zhytja në to, dhe qortimi i injorancës rreth çështjeve që lidhen me botën tjetër dhe largimit prej shkaqeve të saj.

Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Me të vërtetë Allahu e urren çdo hamës të madh që mburret shumë, që bërtet nëpër tregje, kufomë gjatë natës, gomar gjatë ditës, dijetar në çështjet e kësaj bote, injorant në çështjet e botës tjetër.”[1]

Ky përshkrim profetik i mrekullueshëm i cili është ngritur në shkallën më të lartë të elokuencës dhe oratorisë, na shfaq një lloj njerëzish – i kërkoj falje Allahut – madje kafshësh, të cilët i ndesh çdo ditë tek shumë nga ata që ke përreth të cilët i atribuohen Islamit. Madje i gjen ata me shumicë edhe në mesin e të mëdhenjve të umetit islam, dhe këtu kam për qëllim madhështi dynjaje dhe jo fetare. Madje mund t’i gjesh nga ata që e emërtojnë veten me titullin ‘dijetar’ duke e zhvendosur termin ‘dituri’ nga kuptimi i tij i vërtetë islam, kuptim i njohur në Kuran dhe Sunet për tek dituritë e kësaj bote, profesionet, teknologjitë, apo njohuritë rreth ekonomisë. Pastaj, të mbushur me vetmashtrim dëshirojnë të gjykojnë dhe të flasin në çështjet e fesë me diturinë e tyre, e cila nuk është gjë tjetër veçse injorancë e plotë. Madje, ata pretendojnë se e njohin Islamin më mirë se njerëzit e fesë. Të mirën fetare e konsiderojnë të keqe, dhe të keqen – prej këndvështrimit fetar – e konsiderojnë të mirë. Ata i kundërshtojnë me të madhe ata që i nxisin apo që e nxisin umetin për mësimin e fesë, ashtu siç di të kundërshtojë fodulli arrogant.

Medito rreth këtij hadithi dhe thellohu në të, dhe do t’i shikosh ata përpara teje në çdo vend!

Përmbledhur nga libri “Xhemheretu mekalat” 2/ 572 të dijetarit të madh, fekihut, muhadithit të Egjiptit Ahmed Muhamed Shakir (Allahu e mëshiroftë).

Sh.p.: Fjalët që kanë ardhur në hadith janë: ‘Xha’dharij’, ‘xheuuadh’.

Për të parën kanë thënë: Mendjemadhi, ai që nuk i pranon këshillat, arroganti, me natyrë të ashpër,

apo ai që mburret me diçka që nuk e posedon.

Ndërsa kuptimi i të dytës; është ai që ha dhe pi shumë, është mohues i madh, ai që ecën me

prepotencë, bërtet nëpër tregje, dhe zihet e çirret me të madhe.

Morali i tij është i keq dhe fjalët e tij janë të shëmtuara.

Kanë thënë po ashtu se bëhet fjalë për njeriun që grumbullon pasuri prej haramit dhe nuk e

shpenzon aty ku e ka për detyrë.

Shejkh Seid el Kemli thotë: “Hadithi që transmeton Ibn Hibani është hadith i rrezikshëm. Njeriu  duhet të përpiqet me sa mundësi të ketë që të dalë prej tij dhe të mos e përfshijë ai hadith. Në të Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka përmendur dy cilësi: Dijetar për çështjet e kësaj bote, injorant për çështjet e botës tjetër. Filani është doktor në Matematikë, doktor në inxhinieri, biznesmen i madh…. por nëse gabon në namaz nuk di si ta rregullojë atë. Ndoshta nuk di as si të marrë gusul prej xhunubllëkut.

‘Gomar ditën, kufomë natën’. Lartë e poshtë, shkon andej hyn këtej, bëj atë bëj këtë. Kur vjen nata fle gjumë dhe nuk lëviz nga vendi.

Prandaj, duhet që njeriu të mësojë prej fesë së tij aq sa i duhet për të kryer adhurimet që ka për detyrë.”

Video në ‘you tube’ gjendet me titull: “Hadithun khatir: Himarun bin nehar, xhifetun bil lejl.”

Ndërsa fjala e tij ‘Kufomë gjatë natës’ aludon për gjumin e shumtë dhe dembelizmin, si dhe mos-ngritjen e tij për t’u falur natën.

Ndërsa për fjalën ‘gomar gjatë ditës’ kanë thënë: Budalla, me kuptim të pakët, i zhytur në punët e dynjasë dhe as që do t’ja dijë për adhurimet. Kur vjen nata hidhet në krevat dhe ashtu qëndron si kufomë deri në mëngjes. E megjithatë, ai i njeh mirë çështjet e jetës së tij në këtë botë, por në çështjet e fesë është injorant dhe nuk u përkushtohet atyre e nuk pyet për to.

Ky hadith vjen për t’i tërhequr vëmendjen muslimanit të mos jetë kështu, dhe të largohet nga këto cilësi të urryera duke vepruar të kundërtat e tyre dhe duke u zbukurar me cilësitë e bukura të Islamit. Kjo në mënyrë që të mos e përfshijë fjala e Allahut të Lartësuar: “Ata dinë vetëm pamjen e dukshme të jetës së kësaj bote, ndërsa ndaj botës tjetër janë të pavëmendshëm.” (Rrum: 7)

————————————————-

[1] Transmetojnë: Ibn Hibani në “Sahihun” e vet nga Ebu Hurejra, Imam Ahmedi (me shprehje të ndryshme nga disa sahabë), Bejhakiu në “Sunen el kubra” (10: 194),  El Bunderij në “Et tergib uet terhib” (1/224) etj. Ka thënë Imam Ahmed Shakir se zinxhiri i tij është i saktë. Po ashtu, e ka saktësuar hadithin edhe shejh Shuajb Arnauti në studimin që u ka bërë haditheve të “Musnedit” të imam Ahmedit.

Loading...