Porosia e Profetit ndaj shokut të tij

September 11, 2019

Porosi profetike

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar! Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin (alejhis-selam), mbi familjen  dhe shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Fundit!

Porosia e parë:

Sufjan bin Abdullah eth-Thekafij (radijAllahu anhu) kërkoi nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që t’a porosisë atë dhe ai i tha: “Thuaj: Zoti im është Allahu, dhe pastaj qëndro fort në të.” Transmeton Ibën Maxhe (3972), Tirmidhiu (241), dhe Ahmedi (3/413). Hadithin e ka saktësuar Tirmidhiu, Ibën Hibani dhe Shejh Albani (Allahu i mëshiroftë!).

Ndërsa në “Sahihun” e imam Muslimit transmetohet: Një herë i thashë Profetit: O i Dërguar i Allahut! Më thuaj diçka për Islamin që të mos kem nevojë të pyes ndonjë tjetër pas teje.” Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u përgjigj:Thuaj: I besova Allahut dhe më pas qëndro fort në këtë rrugë.

Kuptimi i përgjithshëm:

Sahabi i nderuar Sufjan bin Abdullah eth-Thekafij (radijAllahu anhu) i kërkoi Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që t’a porosisë me diçka pas të cilës do kapet fort dhe nuk do ketë nevojë të pyes dikë tjetër pas tij. Kështu Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e orientoi atë për istikamen. Porosia e Profetit drejtuar Sufjanit është njëkohësisht porosi për gjithë umetin e tij; “Të besojnë në Allahun dhe të qëndrojnë fort në këtë besim deri në vdekje”.

Dobitë që përfitohen nga kjo porosi profetike

  1. Besimi në Allahun: Besimi në Allahun kërkon katër gjëra:

E para: Besimi në ekzistencën e Tij.

E dyta: Besimi në rububijen e Tij. Pra, se Ai është i vetmi Krijues, Funizues, Ai që jep jetën dhe e merr atë etj.

E treta: Besimi në uluhijen e Tij. Pra, Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet me të drejtë.

E katërta: Besimi në emrat dhe cilësitë e Tij për të cilat Allahu ka treguar në Kuran apo i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në sunetin autentik.

  1. El-Isitkame/qëndrimi fort në dëshminë “la ilahe il-lAllah – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.” Ebu Bekri (radijAllahu anhu) në lidhje me komentimin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, atyre që thonë “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë….” – tha: “Qëndrojnë fort në dëshminë “la ilahe il-lAllah – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.”[1]

Dëshmia “la ilahe il-lAllah” është fjala më madhështore që thotë njeriu, dhe ajo është më e rëndë se qiejt dhe toka në peshoren e ditës së Gjykimit.

Fjalët e selefëve rreth kuptimit të istikames:

Ebu Bekrin (radijAllahu anhu) kur e pyetën në lidhje me istikamen, tha: Mos t’i shoqërosh asgjë Allahut.[2]

Uthman bin Affani (radijAllahu anhu) ka thënë: T’i bëni veprat të sinqerta vetëm për Allahun.[3]

Ali bin Ebi Talibi (radijAllahu anhu) ka thënë: Të kryeni obligimet.[4]

Muxhahidi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Qëndroni fort në dëshminë ‘la ilahe il lAllah’ derisa të takoni Allahun.[5]

Kujdesi i sahabëve mbi të pyeturit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me fenë e tyre.

Allahu u ka premtuar shpërblime të mëdha atyre që qëndrojnë fort në rrugën e drejtë. I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Gëzojuni Xhenetit që u është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë kjo prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” Fusilet, 30-32.

 

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

—————————————————–

[1] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” i Shejh Mesh’hur Al Selman.

[2] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” i Shejh Mesh’hur Al Selman.

[3] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” i Shejh Mesh’hur Al Selman.

[4] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” i Shejh Mesh’hur Al Selman.

[5] “Atharu edh-Dhunub alal-Efradi uesh-Shuub” i Shejh Mesh’hur Al Selman.

 

Dosje:

Loading...