Ibën Abasi (radijAllahu anhuma)[1] ka thënë: “Çdo gjë është me kader (e përcaktuar), madje edhe vendosja e dorës mbi faqen tënde.”[2]
Dobitë që përfitohen:
E para: Besimi në kaderin është prej bazave të besimit. Siç ka ardhur në hadithin e Xhibrilit që transmeton Umer bin el-Hatabi ku Xhibrili i tha të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): Më trego çfarë është besimi? Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e fundit dhe të besosh kaderin, të mirën dhe të keqen e tij.”[3] Hadithi.
E dyta: Kush nuk beson në kadanë e Allahut dhe kaderin e Tij, ai nuk është besimtar. Transmetohet nga Aliu (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Njeriu nuk ka besuar derisa të besojë në katër gjëra: Të besojë në Allahun, Një të vetëm e të pashoq, (të besojë) se unë jam i Dërguari i Allahut, në ringjalljen pas vdekjes dhe në kaderin.”[4]
E treta: Çdo gjë është e paracaktuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.”[5] Saktësohet nga hadithi i Ibën Abasit se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha atij: “O djalosh! Po të mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun dhe Ai do të të ruajë ty. Ruaje Allahun dhe do t’a gjesh Atë para teje. Nëse kërkon diçka kërkoje nga Allahu, dhe nëse kërkon ndihmë nga dikush kërko ndihmë prej Allahut. Dije se sikur të mblidheshin të gjithë njerëzit për të të bërë diçka të mirë, ata kurrë nuk do kishin mundësi për të të bërë mirë përveç asaj që ka caktuar Allahu për ty. Dhe sikur të mblidheshin për të të dëmtuar me diçka nuk do mund të të dëmtonin përveçse me atë që ka caktuar Allahu për ty. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletët.”[6]
E katërta: Besimi në kaderin e Allahut ka disa shkallë:
a) Dituria e hershme e Allahut, e cila përfshin çdo gjë që do të ndodhë.
b) Shkrimi i çdo gjëje që do të ndodhë në librin Leuhi Mahfudh, pesëdhjetë mijë vjet para se Allahu të krijonte qiejt dhe Tokën.
c)Vullneti dhe dëshira e Allahut për çdo send që do të ndodhë.
d) Krijimi i çdo gjëje me vullnetin e Allahut e që është në përputhje të plotë me atë që Ai di, të cilat Ai i ka shkruar dhe e ka dashur ekzistencën e tyre.
E pesta: Fjalët, polemikat dhe grindjet në lidhje me kaderin në veçanti, janë të ndaluara në të gjitha grupet ngase kaderi është e fshehta e Allahut.[7] I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur të përmendet kaderi, përmbahuni.”[8]
E gjashta: Bidati i mohimit të kaderit për herë të parë u shfaq në Basra në kohën e sahabëve, dhe pikërisht në kohën e Ibën Umerit (radijAllahu anhu). Abdullah bin el-Mubarak (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Mos merrni asgjë prej banorëve të Kufes në lidhje me shiizmin, as nga banorët e Shamit në lidhje me luftën, as nga banorët e Basrës në lidhje me kaderin.”[9]
E shtata: Kush thotë se të gjitha paracaktimet, qofshin ato për mirë apo për keq, janë prej Allahut dhe se Ai udhëzon kë të dojë dhe humb nga rruga e drejtë kë të dojë, personi i tillë është i pastër prej fjalëve të kaderijve dhe është sunij.[10]
E teta: “Kaderijet janë mallkuar nga gjuha e shtatëdhjetë profetëve, ndërsa unë (Profeti) jam i fundit i tyre.” Ky hadith nuk saktësohet. Shejh Abdulaziz er-Raxhihi (Allahu e ruajtë!) thotë: Ky hadith përcillet nga dy rrugë dhe të dyja nuk saktësohen.[11]
Shkëputur nga: “Perla dhe margaritarë nga dijetarët tanë”.
Përgatiti: Unejs Sheme
———————————————-
[1] Ai është deti i diturisë dhe komentuesi i Kuranit Abdullah bin Abas bin Abdulmutalib bin Hashim el-Kurejshi el-Hashimij, djali i xhaxhait të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ibën Abasi u lind në Meke tre vjet para hixhretit. Shih “El-Bidajeh uen-Nihajeh”, vëll. 8 të Ibën Kethirit. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) bëri lutje për të duke thënë: “O Allah! Bëja të kuptueshme fenë dhe mësoja komentimin e Kuranit.” Buhariu, Muslimi dhe Ibën Hibani. Abdullah bin Abasi (radijAllahu anhuma) ka vdekur në vitin 68 hixhri në Taif. Shih “El-Bidaje uen-Nihajeh” vëll. 8 të Ibën Kethirit (Allahu e mëshiroftë!).
[2] “Esh-Sheriah” (225) dhe “Krijimi i veprave të robërve” të imam Buhariut (Allahu e mëshiroftë!).
[3] Shënon Muslimi (8).
[4] Hadith i saktë. “Dhilalul-Xhenneh” (130), Tirmidhiu (2145), “El-Mishkah” (104), “Takhrixhul-Mukhtarah” (416-420) dhe “Tuhfeh” (10089).
[5] El-Kamer: 49.
[6] Shënon Tirmidhiu (4/667) dhe Ahmedi (1/293) me zinxhir të mirë (hasen). Shejh Abdulaziz er-Raxhihi (Allahu e ruajtë!) thotë: “Njeriu nuk ka për të gjetur shijen (ëmbëlsinë) e besimit derisa t’a dijë se ajo që e ka goditur nuk mund të mos e godiste dhe ajo që nuk e ka goditur nuk mund t’a godiste, sepse Allahu e ka paracaktuar këtë.”
[7] “Sherh es-Sunneh” i imam El-Berbehari (Allahu e mëshiroftë!).
[8] Hadith i saktë. Shënon Taberani (1428). Shih “Es-Silsiletu es-Sahihah” (34).
[9] “Sherh es-Sunneh” i imam El-Berbehari (Allahu e mëshiroftë!).
[10] “Sherh es-Sunneh” i imam El-Berbehari (Allahu e mëshiroftë!).
[11] “El-Ianeh ala takribi esh-Sherh uel-Ibaneh”, vëll. 2.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve