I Dërguari i Allahut (alejhi selam) i është lutur Zotit të tij që t’ia shlyente borxhet, madje ai e bënte shpesh këtë lutje. Tek hadithi të cilin e ka cekur Muslimi nga Ebu Hurejreh (radijallahu anhu) thuhet: Kur Profeti (alejhi selam) shtrihej në shtratin e tij kthehej në krahun e djathtë dhe thoshte: O Allah, Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit Madhështor! Shlyema borxhin dhe shpëtom nga varfëria!
”Shlyema borxhin” ishte një ndër lutjet që Profeti (alejhi selam) i’a drejtonte Zotit të tij saherë që shtrihej në shtrat. Gjithashtu Profeti i kërkonte Zotit diçka më të madhe se aq, i kërkonte t’a mbronte nga borxhi dhe të mos i mundësohej të hynte në borxhe. Profeti (alejhi selam) nuk e donte borxhin ndaj kur hynte në borxhe i lutej Zotit të tij që t’ia mundësonte shlyerjen e tyre. Buhariu dhe Muslimi kanë cituar në dy Sahihët e tyre nga Enesi (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) i thonte shpesh këto fjalë: ”O Allah, më mbro nga pikëllimi dhe mërzia, nga paaftësia dhe dembelizmi, nga koprracia dhe të qënit frikacak, nga barra e borxhit dhe mbisundimi i burrave!”
Pra Enesi ka thënë: ”Profeti (alejhi selam) i thoshte shpesh…”
Buhariu ka cituar në Sahihun e tij nga Aishja (radijallahu anha) se Profeti (alejhi selam) lutej në namazin e tij: ”O Allah, më mbro nga mëkati dhe borxhi!” Një burrë i tha: O Profet i Allahut, sa shumë që lutesh për mbrojtje nga borxhi! Profeti (alejhi selam) i tha: Ai person që hyn në borxhe kur flet gënjen, dhe kur premton nuk e mban fjalën.”
Ky ishte qëndrimi i Profetit ndaj borxhit. I lutej Zotit që t’a mbronte prej tij, i përgjërohej Zotit që t’a ruante nga borxhi dhe nga barra e tij. Sa herë që shtrihej në shtrat i lutej Zotit që t’ia shlyente atë. Ky ishte qëndrimi i tij lidhur me borxhin, ndërsa qëndrimi i umetit të tij …. !!! Ne e shpërfillim atë. Aq shumë e shpërfillim saqë kur ndonjëri prej nesh dëshiron të blejë një banesë e blen me borxh! Makinën… me borxh. Orenditë shtëpiake… me borxh. Martesën… me borxh! Përgatitjet e martesës… me borxh. Pushimet… me borxh. Kurbanin, kurbanin e Bajramit… me borxh. Madje më ka thënë dikush tek fjala e të cilit nuk dyshoj: Ka prej njerëzve që posedojnë pasuri të konsiderueshme por kur blejnë diçka preferojnë që t’a blejnë në formë borxhi.
Ky është kulmi i mendjelehtësisë. Është një mënyrë e çuditshme e shpërfilljes së borxhit, pas asaj që dëgjuat mbi qëndrimin e Profetit (alejhi selam) në lidhje me borxhin. Madje Profeti i Allahut (alejhi selam) ka paralajmëruar dhe ka tërhequr vërejtjen për borxhin. Imam Ahmedi ka cituar një hadith nga Xhabiri (radijallahu anhu) se ka thënë: Vdiq një person dhe ne e lamë, e parfumosëm dhe e qefinosëm. Më pas e çuam tek Profeti që t’i falte namazin e xhenazes.
I thamë: O Profet i Allahut, falja namazin e xhenazes. Profeti (alejhi selam) bëri disa hapa përpara, pastaj u kthye me fytyrë nga ne dhe pyeti: A ka ndonjë borxh ai? I thamë: Po, dy dinarë. Atëherë Profeti (alejhi selam) u largua dhe nuk deshi që t’ia falte namazin e xhenazes. Sipas një versioni tjetër Profeti (alejhi selam) tha: Faljani namazin e xhenazes. Domethënë që ai vet nuk i’a falte namazin e xhenazes atij që kishte borxhe pa shlyer, ndaj u tha atyre që t’ia falnin. Dy dinarët i mori përsipër Ebu Katadja (radijallahu anhu) i cili i tha Profetit se e ka marrë ai përsipër shlyerjen e tyre. Ai tha: A i është dhënë haku borxhdhënësit dhe është shkarkuar nga përgjegjësia i vdekuri? Ai i tha: Po.
Atëherë Profeti (alejhi selam) i’a fali namazin e xhenazes. Të nesërmen Profeti e pyeti Ebu Kataden: Ç’farë u bë me dy dinarët? Ebu Katadja i tha: O Profet i Allahut, ai dje vdiq! Ditën tjetër Profeti e pyeti përsëri dhe ai i tha që i kishte paguar ato. Atëherë Profeti (alejhi selam) tha: Tani i është freskuar lëkura! E dëgjuat… tani i’u freskua lëkura pasi i’u shlye borxhi. Pra njeriu që vdes pa shlyer borxhet nuk i freskohet lëkura derisa ato të shlyhen. Supozo se nuk i shlyhen! Nuk i freskohet lëkura, Allahu na ruajtë! Borxhi është i rrezikshëm, i rrezikshëm!!! Ibn Maxheh ka cituar nga Ibn Umeri (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) ka thënë: Kush vdes duke pasur një borxh pa shlyer qoftë dhe një dinar apo një dirhem, ai do të shlyhet nga të mirat e tij atje ku ska as dinar e as dirhem. Muslimi ka cituar në Sahihun e tij nga Abdullah bin Amr bin Asi (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) ka thënë: Shehidit i falet çdo mëkat përveç borxhit!
Kush është shehidi? Është ai i cili ka dhënë jetën e tij, ai i cili nuk e kishte për gjë të sakrifikonte jetën e tij nën shkëndijat e shpatave në rrugën e Allahut. I falen atij të gjitha, por borxhi jo! Shumë i rrezikshëm! Muslimi ka cituar nga Ebu Katadja (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) mbajti një fjalim ku përmendi; Veprat më të mira janë lufta në rrugën e Allahut dhe besimi në Allahun. Sakaq u çua një burrë dhe tha: O Profet i Allahut, si mendon nëse unë vritem në rrugën e Zotit, a më falen mëkatet? Profeti (alejhi selam) i tha: Po, nëse vritesh në rrugën e Allahut duke qenë i durueshëm, duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, duke u përballur me armikun e jo duke i’a mbathur. Pastaj i tha: Si the? Burri tha: Si mendon nëse unë vritem në rrugën e Zotit, a më falen mëkatet? Profeti (alejhi selam) i tha: Po, nëse vritesh në rrugën e Allahut duke qenë i durueshëm, duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, duke u përballur me armikun e jo duke i’a mbathur, përveç borxhit.
Më njoftoi për këtë gjë Xhibrili: ”I durueshëm, shpreson në shpërblimin e Allahut, duke u përballur me armikun e jo duke i’a mbathur.” Por borxhi nuk i falet! Nuk duhet t’a konsiderojmë si diçka të lehtë borxhin, kurrë! Ky që thamë është statusi i borxhit kur njeriu synon t’a shlyej atë, ndërsa ai që e merr borxhin dhe nuk synon t’a shlyej atëherë kjo është shumë herë më e keqe. Buhariu ka cituar në Sahihun e tij nga Ebu Hurejra (radijallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ai që i merr pasuritë e njerëzve duke dashur t’i shlyej ato, Allahu do t’i shlyej ato nga ana e tij. Ndërsa ai që i merr pasuritë e njerëzve duke dashur t’i shkatërrojë ato, Allahu do t’a shkatërrojë atë.”
Më e rëndë se kjo që thamë është ajo që ka cituar Taberani në ”Muxhem es Sagir” se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ai burrë që martohet me një grua në këmbim të një mehri të paktë apo të shumtë, duke mos dashur në vetvete që t’ia japë asaj mehrin që i takon dhe e mashtron atë, ndërkaq ajo vdes duke mos i’a dhënë mehrin, do të përballet me Allahun në ditën e Gjykimit në statusin e imoralit. Dhe ai burrë që merr një borxh duke mos dashur që t’ia kthejë atë që i takon dhe e mashtron atë, ndërkaq vdes duke mos i’a kthyer atij atë që i takon, do të përballet me Allahun në statusin e hajdutit.
Hadithet që përcillen në këtë temë janë të shumta. Ato që cituam janë të mjaftueshme për atë që posedon zemra (e shëndoshë) ose për atë që dëgjon duke qenë i vëmendshëm.
Shejh Seid el Kemili
Përktheu Rexhep Milaqi
Dosje: Bajramet, Borxhi, Martesa
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve