Kush tregon kujdes ndaj namazit, ai e ka ruajtur fenë e tij

November 20, 2019

Kush tregon kujdes ndaj namazit, ai e ka ruajtur fenë e tij

Shejh Sad El Kathlan (Allahu e ruajtë)

Pyetje: A keni ndonjë fjalë inkurajuese për faljen e namazit me xhemat në xhami Ngase ka prej njerëzve që falen porse nuk e urdhërojnë familjen e tyre për faljen e namazit, djemtë dhe vajzat e tyre.

Përgjigje: Një burrë i verbër erdhi tek Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Unë jam një njeri i verbër dhe nuk kam askënd që të më shoqërojë për në xhami. A ka ndonjë lehtësim për mua që të falem në shtëpi? Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i tha: “A e dëgjon thirrjen (e muezinit) kur thotë; hajde në namaz, hajde në shpëtim?” Tha: Po.

Profeti (alejhi selam) i tha: “Atëherë përgjigju thirrjes (shko në xhami), ngase nuk shoh ndonjë lehtësim/arsye për ty në këtë gjë.”

Derisa Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk gjeti ndonjë lehtësim dhe arsyetim për njeriun e verbër, atëherë si është puna me atë që gëzon shëndet, që shikon dhe ka mundësi të shkojë në xhami?!

Falja e namazit me xhemat në xhami është vaxhib (detyrim) për burrat, pra është detyrë për ta që t’i falin pesë kohët e namazit me xhemat në xhami. Ai që e lë faljen me xhemat në xhami pa patur arsye legjitime, ai është neglizhent ndaj këtij vaxhibi. Baballarët dhe nënat janë përgjegjës karshi fëmijëve të tyre për t’i urdhëruar për faljen e namazit, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Dhe urdhëroje familjen tënde për faljen e namazit dhe këmbëngul për këtë!”

I Lartësuari thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhërat e Allahut por i zbatojnë menjëherë ato.”

Allahu në këtë ajet urdhëron për ruajtjen e familjes nga ky zjarr, e kjo duke i urdhëruar ata me bindjen ndaj Tij. Ka prej njerëzve që thonë: Unë i urdhëroj por ata nuk më binden.

Nëse ti i urdhëron ata atëherë e ke hequr përgjegjësin që ke para Allahut, porse duhet pajtetër t’i urdhërosh çdo ditë dhe në çdo kohë. Ti urdhërosh për faljen e namazit dhe t’i nxitësh për të dhe të zemërosesh nëse nuk falen, ngase namazi është shtylla e fesë.

Umeri u shkroi mëkëmbësve të tij: “Gjëja më e rëndësishme për mua prej punëve tuaja është namazi. Kush e ruan atë ai e ka ruajtur fenë e tij, ndërsa kush e humb atë punët e tjera i humb edhe më lehtë.” Kjo është një fjalë madhështore.

Personi që tregon kujdes ndaj namazit vetëm se e ka ruajtur fenë e tij, ndërsa ai që nuk vepron kështu vetëm se i ka humbur me kohë obligimet e tjera.

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...