Ky rregull ka lidhje me ato betime të cilat bëhen për të vërtetuar; fjalët, lajmet, deklaratat, dëshmitë etj. dhe betimet në raste të tilla nuk duhen bërë vetëm se kur ato janë të vërteta.
Profeti -alejhi selam- thotë:
“Ai i cili betohet në Allahun le të thotë vërtetën!”[1]
Dhe gjithashtu thotë:
“Mos u betoni në Allahun veçse kur thoni të vërtetën!”[2]
Kjo, sepse betimet janë madhërime që i bëhen emrit të Allahut dhe besimtari kur përmend emrin e Tij duhet të thotë gjithmonë të vërtetën.
Porositë e Allahut të Madhëruar dhe të profetëve të Tij gjithmonë kanë qenë që njeriu të thotë të vërtetën, dhe e kanë ndaluar atë nga gënjeshtra si domosdoshmëri e jetës në tokë. Kjo ngase në një shoqëri ku të gjithë gënjejnë dhe nuk thonë të vërtetën, jeta në tokë bëhet e vështirë. Pra njeriu duhet të thotë të vërtetën kur betohet në Zotin sepse kjo prek jetën e tij në dy aspekte kryesore: në aspektin e besimit dhe në aspektin e marrëdhënieve me të tjerët.
E prek atë në aspektin e besimit sepse ai duke u betuar betime të rreme ka nënçmuar Zotin, duke mos e vlerësuar emrin e Tij siç e meriton të vlerësohet.
Dhe e prek atë në aspektin e marrëdhënieve me të tjerët sepse njerëzit zakonisht e respektojnë emrin e Zotit të tyre kur përmendet, dhe kështu i betuari me betime të rreme merr prej tyre atë që nuk i takon, apo bëhet shkak që dikush të marrë prej tyre atë që nuk i takon etj.
Në lidhje me këtë të fundit Profeti -alejhi selam- ka gjykuar se ky veprim është prej gjynaheve të mëdha.
Abdullah bin Amr bin El As -radiallahu anhu- tregon:
“Një banor i shkretëtirës erdhi tek Profeti -alejhi selam- dhe e pyeti: Cilat janë gjynahet e mëdha?
Profeti -alejhi selam- i’u përgjigj: T’i bësh ortak Allahut.
Burri i tha: Po pastaj?
Profeti -alejhi selam- i tha: Pastaj keqtrajtimi i prindërve.
Burri i tha: Po pastaj?
Profeti -alejhi selam- i tha: Pastaj betimi zhytës.
E pyeta: Çdo të thotë betim zhytës?
Profeti -alejhi selam- më tha: Ai betim me të cilin i merret një pasuri ndonjë myslimani dhe i betuari ka gënjyer.”[3]
Ibn Haxheri (komentuesi i njohur i haditheve -Allahu e mëshiroftë-) në lidhje me fjalën e Profetit -alejhi selam- [betimi zhytës], thotë: “Është thënë se ky betim është quajtur me këtë emër sepse ai e zhyt atë që betohet në gjynah, pastaj e zhyt atë në zjarrin e xhehenemit.”[4]
Ky lloj betimi, nuk përfshin vetëm rastin kur do t’i marrësh një pasuri dikujt pa të drejtë, sepse dijetarët e Islamit në lidhje me të thonë: Betimi zhytës është kur betohesh me betim të rremë duke e ditur atë: për të kënaqur dikë, për t’u shfajësuar para dikujt, për t’i marrë diçka dikujt etj.[5]
Pra, ky lloj betimi përfshin të gjitha rastet kur i betuari betohet me betim të rremë dhe e përdor betimin e tij për të përfituar diçka pa të drejtë nga çështjet e dynjasë.
Pasojat e betimeve të rreme kur përdoren për të fituar diçka pa të drejtë.
Betimi i rremë në raste të tilla është me pasoja të rënda edhe në dynja edhe në ahiret për atë që është betuar.
Përsa i përket dynjasë pasojat e betimeve të rreme janë dënim për atë që është betuar dhe shërim i zemrës së atij që i është cënuar e drejta.
Profeti -alejhi selam- në lidhje me këto betime thotë: “Betimet zhytëse i lënë shtëpitë bosh.”[6]
Fjala [Bosh] domethënë pa njerëz dhe pa begati[7] që të kënaqet ai të cilit i është bërë padrejtësia. Ja një ngjarje e vërtetë e treguar nga Ibn Abasi -radiallahu anhu- e cila vërteton në praktikë hadithin e Profetit -alejhi selam!
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon:
“I pari betim i bërë në lidhje me një gjak në kohën e injorancës (ajo paraislame) ka lidhje me ne bijtë e Hashimit (emri i gjyshit të tyre dhe emri i fisit të afërt të Profetit -alejhi selam).
Një burrë prej bijve të Hashimit shkoi të punojë qiraxhi te një kurejshit i një barku tjetër ( rrjedh nga një degëzim tjetër i Kurejshëve). Ai doli me të dhe me devetë e tij dhe pranë tyre kaloi një burrë tjetër nga bijtë e Hashimit të cilit i ishte këputur lidhësja e torbës.
Burri i’u lut atij: Më ndihmo me një lak të shtrëngoj mbajtësen e torbës të mos më trembet deveja.
Ai i’a dha lakun dhe ai shtrëngoi me të torbën dhe iku.
Kur ata qëndruan për të pushuar i lidhën devetë me leqe me përjashtim të njërës, dhe pronari i tha atij: Si është puna e kësaj deveje e cila nuk është lidhur si të tjerat?
Ai i tha: Nuk ka lak.
Pronari i tha: Ku është laku i saj? – dhe i gjuajti atij me shkop, gjuajtje e cila do t’i shkaktonte vdekjen (dhe u largua).
Aty më pas kaloi një burrë nga Jemeni dhe e pyeti atë: A do të prezantosh në Haxh?
Burri i tha: Jo nuk do të prezantoj, por edhe mundet.
Ai i tha: A do të ma përcjellësh një porosi kur të mundësh?
Burri i tha: Po.
Atëherë ai i diktoi dhe i tha: Kur të prezantosh në Haxh thirr: O Kurejsh! Kur ata të përgjigjen thirr: O bijtë e Hashimit! Kur ata të përgjigjen pyet për Ebu Talibin dhe njoftoje se filani më ka vrarë për një lak! Dhe vdiq.
Kur u kthye pronari i cili e kishte marrë atë në punë, shkoi Ebu Talibi dhe e pyeti: Çfarë i ka ngjarë të afërmit tonë?
Ai i tha: U sëmur dhe vdiq. Jam kujdesur shumë mirë për të dhe e kam varrosur vetë me duart e mia.
Ebu Talibi në shenjë mirënjohje i tha: Kështu e prisja prej teje.
Pas një farë kohe vjen burri të cilin e kishte porositur për të përcjellë lajmin e tij dhe rastis kohë Haxhi. Ai thirri: O Kurejsh! Dhe njerëzit i thanë: Ja ku janë Kurejshët. Pastaj thirri: O bijtë e Hashimit! Njerëzit i thanë: Ja ku janë bijtë e Hashimit! Pastaj pyeti: Ku është Ebu Talibi? Njerëzit i thanë: Ky është Ebu Talibi. Ai i tha: Filani më ka porositur të të përcjell një porosi se filani e ka vrarë atë për një lak.
Atëherë Ebu Talibi shkoi dhe i tha atij (vrasësit): Zgjidh njërën prej tre gjërave; ose na jep njëqind deve si shpagim sepse ke vrarë të afërmin tonë, ose nëse dëshiron të betohen pesëdhjetë burra nga të afërmit e tu se ti nuk e ke vrarë, e nëse refuzon do të të vrasim për të.
Burri shkoi tek të afërmit e tij dhe ata i thanë: Do të betohemi.
Një grua prej bijve të Hashimit e cila ishte e martuar me njërin prej tyre dhe i kishte lindur atij një fëmijë, shkoi te Ebu Talibi dhe i tha: O Ebu Talib, kërkoj për hir të djalit tim t’a heqësh nga betimi një burrë prej të pesëdhjetëve dhe të mos i kërkohet betimi te vendi i betimit – dhe ai e pranoi. Pastaj erdhi një burrë prej tyre dhe i tha: O Ebu Talib, kërkove pesëdhjetë burra për t’u betuar në vend të njëqind deveve dhe secilit prej nesh i takojnë dy deve. Ja ku i ke dy deve dhe pranoji ato prej meje dhe mos më kërko të betohem te vendi i betimit – dhe ai i’a pranoi. Pastaj erdhën dyzet e tetë veta dhe u betuan.
Ibn Abasi thotë: Pasha Atë që në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk kaloi viti dhe ndonjëri prej dyzet e tetëve të lëvizte sytë.”[8]
Fjala e tij [të lëvizte sytë] do të thotë se ndëshkimi i tyre ishte i fortë dhe i shpejtë, Allahu na ruajt prej zemërimit të Tij!
Ndërsa në lidhje me pasojat e betimeve të rreme në ahiret Profeti -alejhi selam- në një hadith thotë:
“Ai i cili betohet betim-pengimi për t’i marrë pasurinë ndonjë myslimani dhe gënjen, ka për t’a takuar Allahun të zëmëruar me të.”[9]
Detajet e këtij zemërimi janë përmendur në Kuran, ku thuhet:
“إِنَّ الَّذِينَ يَشْتَرُونَ بِعَهْدِ اللهِ وَأَيْمَانِهِمْ ثَمَنًا قَلِيلًا أُولَئِكَ لَا خَلَاقَ لَهُمْ فِي الْآخِرَةِ وَلَا يُكَلِّمُهُمُ اللهُ وَلَا يَنْظُرُ إِلَيْهِمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَلَا يُزَكِّيهِمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ”
“Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i shikojë ata Ditën e Kiametit, dhe as nuk do t’i pastrojë ata prej gjynaheve, e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.”[10]
Pra, zemërimi i Allahut me ata për këtë veprim do të jetë shkak që Allahu të mos u bëjë atyre pjesë në ahiret, as të shikojë drejt tyre për mëshirim dhe as t’i pastrojë nga gjynahu ku janë zhytur, dhe në fund t’i dënojë në zjarrin e xhehenemit.
Ky gjynah te shumica e dijetarëve është i pashlyeshëm, që do të thotë se: Sheriati nuk ka caktuar ndonjë punë për shlyerjen e tij me përjashtim të pendimit të sinqertë për të mos e përsëritur më atë veprim, dhe duke u kthyer robëve të Allahut të drejtat e tyre.
El-Eshath bin Kajs El-Kindij -radiallahu anhu- në lidhje me këtë ajet tregon:
“Ky ajet ka zbritur për mua. U grinda njëherë me një burrë te Profeti -alejhi selam- në lidhje me një burim uji i cili ishte i imi por që e përdorte ai. Ai ma mohoi të drejtën time dhe Profeti -alejhi selam- më tha: Sill fakte që ai burim është i yti ose përndryshe të betohet ai tjetri. Dhe më tha: A ke fakte? Unë i thashë: Jo o i dërguar i Allahut. Atëherë Profeti -alejhi selam- tha: Të betohet tjetri. I thashë: O i dërguar i Allahut. Ç’më duhet mua betimi i tij? Nëse do të gjykosh me betimin e tij do të m’a marrë burimin. Kundërshtari im është burrë i poshtër. Nuk e vret mendjen se për çfarë betohet dhe as e vret ndërgjegjia për ndonjë gjë. Profeti -alejhi selam- më tha: Nuk të takon gjë tjetër veç betimit të tij. Burri u bë gati për t’u betuar dhe kur u ngrit për t’a bërë Profeti -alejhi selam- tha: Nëse do t’ia marrë atij burimin pa të drejtë me betim të rremë do të jetë prej atyre të cilët nuk do t’i shohë Allahu në ditën e kiametit dhe as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve, e për ta do të ketë dënim të dhembshëm. Kështu Allahu e zbriti ajetin dhe burrin filloi t’a vriste ndërgjegjia. Ai i’u drejtua Profetit -alejhi selam- dhe i tha: Çfarë ka për atë që e le atë? Profeti -alejhi selam- i tha: Ka xhenetin. Atëherë burri i tha: Dëshmoj se i’a kam lënë të gjithin atij!”[11]
Ndikimi i kohës në betimin e rremë.
Koha ndikon shpesh herë në rëndimin e gjynaheve siç ndikon edhe vendi ku kryhen. Jemi njoftuar nga Profeti -alejhi selam- se prej atyre të cilëve nuk do t’iu flasë Allahu në ditën e kiametit, as do të shohë tek ata, as do t’i pastrojë nga gjynahet dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm, është edhe: “Një burrë që bën pazar me dikë për një mall pas ikindisë (koha e pasdites para perëndimit të diellit) dhe i betohet atij në Allah se e ka marrë atë me kaq e aq (në një transmetim tjetër: i kanë dhënë për të kaq e aq), dhe ai e beson ndërkohë që e vërteta është ndryshe.”[12]
Komentuesi i njohur Ibn Batal -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e hadithit thotë: Hadithi tregon se kjo kohë është kohë në të cilën gjynahet rëndojnë më shumë, sepse në atë kohë ngjiten melaiket me punët e robërve tek Allahu i Madhëruar, dhe ata e konsiderojnë të madhe të ngjiten prej robit me ndonjë gjynah që të jetë shpërblimi i tij sipas punës së fundit që ka kryer.[13]
Për shkak të këtij realiteti që përcjell komentuesi i njohur i haditheve në lidhje me këtë kohë, të gjithë umetet që kanë njohur ligjet e Allahut e kanë vlerësuar atë. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm për të mos e nënvlerësuar me punën e tij të keqe atë që e ka vlerësuar Allahu i Madhëruar dhe besimtarët e Tij brez pas brezi.
Betimet ngarkojnë me përgjegjësi në raste akuzash jo vetëm atë që betohet, por edhe kundërshtarin e tij kur nuk ka fakte për vërtetimin e së drejtës së tij.
Përgjegjësia e atij që betohet është siç u tha më lart; ose të thotë të vërtetën, ose në të kundërtën do të ketë zemërimin e Allahut. Përgjegjësia e kundërshtarit është t’a pranojë betimin e tij dhe t’ia dorëzojë çështjen Allahut të Madhëruar.
Profeti -alejhi selam- thotë: “Kur dikush të betohet në Allah pranoje atë, se kush nuk mjaftohet me Allahun nuk është prej Tij.”[14]
Es-Sindi – komentuesi i njohur i haditheve të Ibn Maxhes -Allahu e mëshiroftë- thotë: Kuptimi i tij është se ata që janë të afërt me Allahun i’a besojnë betimin atij që betohet në Allah. Kjo për shkak të madhërimit që kanë për Të, dhe ai që nuk e bën këtë punë duke e pasur atë mundësi nuk është prej tyre.[15]
Ja si e ka zbatuar këtë gjë një prej profetëve të Allahut Isai -alejhi selam- siç tregon Profeti ynë Muhamedi -alejhi selam: “Isai i biri i Merjemes pa një burrë duke vjedhur dhe i tha: Po vjedh? Ai i’u përgjigj: Jo, pasha Atë të Cilin nuk ka zot tjetër veç Tij! Atëherë Isai tha: I besoj Allahut dhe përgënjeshtroj sytë e mi.”[16]
Kështu duhet të jetë reagimi i besimtarëve kur përmendet emri i Allahut, Zotit të tyre, duke e lënë çështjen në dorën e Atij i Cili është Gjykuesi më i drejtë dhe Hakmarrësi më i mirë dhe më i shpejtë.
Së fundi: Lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë prej atyre që vlerësojnë betimet duke thënë gjithmonë të vërtetën, sepse betimet janë madhërime të emrit të Tij dhe pasqyrë e devotshmërisë së zemrave të besimtarëve. Amin!
——————————————-
[1] E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.
[2] E transmeton Ebu Daudi dhe Nesaiu, dhe e saktëson shejh Albani.
[3] E transmeton Buhariu.
[4] Shih fjalët e autorit në librin ‘Fet’h El-Barij’: 11/555.
[5] Shih librin ‘Sherh El-Buharij’ të Ibn Batalit: 6/130, ‘Sherh El-Buharij’ të Ibn Mulekin: 30/319 dhe ‘Sherh El-Buharij’ të El-Ajnij: 23/193.
[6] E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson shejh Albani.
[7] Shih komentimin e hadithit tek El-Mula Alij El-Karij në librin “Sherh Musned Ebi Hanife”: 1/536, dhe komentimin e El-Menauij në librin “Fejd El-Kadir”: 5/365.
[8] E transmeton Buhariu.
[9] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[10] Suretu Ali-Imran: 77.
[11] E transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe Ahmedi.
[12] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[13] Shih fjalët e autorit në shpjegimin e tij të Buhariut: 6/500.
[14] E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.
[15] Shih librin ‘Hashijet Es-Sindij ala Ibn Maxhe’: 1/646.
[16] E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve