Adhurojeni Zotin tuaj!

January 29, 2020

Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj i Cili u ka krijuar juve dhe ata që kanë qenë para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm. I Cili për ju e ka bërë tokën shtrat dhe qiellin tavan, e nga qielli Ai zbret ujë (shi) me të cilin nxjerr prej fryteve të ndryshme furnizim për ju. Kështu që mos i bëni shok Allahut duke qenë se e dini.” El-Bekare: 21-22.

Mesazhi i ajeteve:

Allahu i urdhëron të gjithë njerëzit që t’a veçojnë Allahun duke adhuruar vetëm Atë, duke i’u përulur dhe nënshtruar vetëm Atij, duke e veçuar Atë si të vetmin Zot, Krijues, Rregullues dhe Zotërues të gjithçkaje, dhe të largohen nga shirku me të gjitha llojet dhe format e tij.

Dobitë e ajeteve:

E para: Allahu është i vetmi Krijues. Ai ka krijuar njerëzit, qiejt, tokën dhe çka mes tyre. Ky është teuhidi Rububijeh.

E dyta: Fjala e Tij; “Adhurojeni Zotin tuaj” është teuhidi Uluhijeh (i adhurimit). Ky është dhe shkaku i krijimit.

E treta: Fjala e Tij; “Adhurojeni Zotin tuaj” hyn në besimin në Allahun e Lartësuar, veçimin e Tij me adhurim dhe bindjen ndaj Tij.

-Urdhëri për besimin në Të për atë që është mohues.

-Urdhëri për teuhidin është për atë që është mushrik.

-Urdhëri për bindje ndaj Tij është për atë që është besimtar.

E katërta: Fjala e Allahut; “…i Cili u ka krijuar juve dhe ata që kanë qenë para jush” është tregues për kotësinë e teorisë së evolucionit dhe çdo teorie tjetër.

E pesta: Ndalimi nga shirku dhe se ai është prej mëkateve më të mëdha dhe asgjesues i veprave.

E gjashta: Aty ku mungon teuhidi “lulëzon” shirku me të gjithë llojet e tij, siç është:

  • adhurimi i varreve,
  • përhapja e teqeve,
  • bërja kurban për njerëzit e vdekur,
  • lutja drejtuar të vdekurve,
  • leximi/dëgjimi i horoskopit dhe besimi në të,
  • shkuarja tek fallxhoret dhe magjistaret etj.

Të gjitha këto janë shkaqe që njerëzit të ballafaqohen me pakësim të mirësive, me fatkeqësi të mëdha dhe dënime të ndryshme.

“Mesazhe Kuranore për çështje themelore”

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

Loading...