HADITHI 2 – 3 – 4 – 5 MBI DISPOZITAT E UJRAVE
Libri: “Bulugul Meram”
2- Përcillet nga Ebu Seid el Hudri se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Padyshim se uji është pastrues dhe asgjë nuk e ndot atë.”
Burimet e hadithit:
Këtë hadith e ka transmetuar: Ahmedi 3/31, Ebu Daudi 66, Nesaiu 174, Tirmidhiu 66.
Grada e hadithit: Këtë hadith e ka saktësuar: Imam Ahmedi, Jahja bin Meini, Neveviu, Ibn Tejmije, Albani, AbdulKadri, Shuajbi etj.
Ebu Seid El Hudri: Imami luftëtar, myftiu i Medines, Sadi i biri i Malikut. I ati ra dëshmor në betejën e Uhudit. Ebu Seidi ishte pjesëmarrës në betejën e Hendekut dhe në besëlidhjen e Riduanit. Ka përcjellë prej të Dërguarit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, një pjesë të konsiderueshme hadithesh, si dhe nga Ebu Bekri dhe Umeri. Ai ishte një ndër juristët e pavarur. Vdiq në vitin 74 të hixhretit në moshën 84 vjeçare, dhe u varros në varrezat e Bekies. (Dhehebiu në “Sijer a’lam en nubela”, dhe Ibën el Ethiri në “Xhamiul usul”.)
3- Ebu Umameh el Bahili ka transmetuar se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Padyshim se uji nuk ndotet nga asgjë, përveçse kur diçka dominon mbi erën, shijen, dhe ngjyrën e tij.”
Burimet e hadithit:
Ibën Maxheh 521, Darekutni 47, Bejhakiu 1/295.
Grada e hadithit:
Ebu Hatimi, Bejhakiu, Albani dhe Shuajbi e kanë cilësuar si të dobët.
4- Imam Bejhakiu hadithin e lartpërmendur e ka transmetuar me tekstin: “Uji është i pastër për sa kohë që atij nuk i ka ndryshuar aroma, shija ose ngjyra nga ndonjë ndyrësirë që bie në të.”
Burimet e hadithit:
Bejhakiu 159-260.
Grada e hadithit:
Ebu Hatimi, Bejhakiu, Albani dhe Shuajbi e kanë cilësuar si të dobët.
Ebu Umameh el Bahili: Shok i të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ai përcolli dije të mëdha dhe kërkoi nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, që t’i sugjeronte një vepër, dhe ai i sugjeroi të agjëronte. Pas kësaj ai dhe gruaja e tij nuk gjendeshin vetëm se agjërueshëm. Vdiq në vitin 86 të hixhretit. (Dhehebiu në librin e tij “Es Sijer”.)
5- Nga Abdullah bin Umeri transmetohet se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nëse uji arrin sasinë e dy kul-leh, atëherë ai nuk përmban më ndytësi.” Sipas një versioni tjetër; “…nuk ndotet.”
Burimet e hadithit:
Këtë hadith e kanë trasmetuar; Ebu Daudi 63,64,65, Nesaiu 1/46, Tirmidhiu 67, dhe Ibn Maxheh 517.
Grada e hadithit:
Ky hadith është cilësuar i saktë nga; Ibën Hibani, Ibën Huzejme, Hakimi, Neveviu, Dhehebiu, Ibn Haxheri, Albani, AbdulKadri, Shuajbi etj.
Abdullah bin Umeri: Imami shembullor, dijetari i Islamit. Pranoi Islamin qysh në vegjëli, dhe u shpërngul nga Meka për në Medine me të atin. Në betejën e Uhudit nuk iu dha leje për pjesëmarrje ngaqë ishte akoma i vogël. Beteja e parë në të cilën mori pjesë ishte beteja e Hendekut, dhe ishte i pranishëm në besëlidhjen e Riduanit. Përcolli dije të mëdha dhe të dobishme nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe nga shumë sahabë. Ishte i thjeshtë, altruist, pasues i përpiktë i Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Vdiq në vitin 73 të hixhretit në moshën 85 vjeçare. (Dhehebiu në librin “Es Sijer”.)
Dispozita mbi ujin e përzier me ndytësi të cilit i ka ndryshuar aroma, ngjyra ose shija.
Ibn el Mundhir ka thënë: Të gjithë dijetarët janë të të njëjtit mendim mbi ujin e pakët apo të shumtë në të cilin ka rënë ndytësi, dhe për pasojë shija, ngjyra apo aroma e tij kanë ndryshuar. Ky lloj uji është i ndotur për sa kohë që është në këtë gjendje.
Dispozita mbi ujin e përzier me ndyrësi të cilit nuk i ka ndryshuar asnjë nga vetitë e tij.
Në lidhje më këtë lloj të ujrave ka dy mendime:
1- Shkolla Malikite:
Uji i përzier me ndyrësi që nuk ka pësuar ndryshim në asnjërën prej vetive të tij konsiderohet i pastër, sado që të jetë sasia e tij.
Argumenti i shkollës malikite është hadithi i lartpërmendur i Ebu Seid el Hudriut: “Padyshim se uji është pastrues dhe asgjë nuk e ndot atë.”
2- Tri shkollat e tjera juridike:
Uji i përzier me ndyrësi që nuk ka pësuar ndryshim në asnjërën prej vetive të tij konsiderohet i pastër kur është i bollshëm, dhe konsiderohet i ndyrë kur është i paktë. Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejrës, radijAllahu anhu,: “Asnjë nga ju nuk duhet të urinojë në ujin e parrjedhshëm që nuk lëviz, e më pas të lahet në të.” (Buhariu)
Gjithashtu, hadithi tjetër i Ebu Hurejrës: “Kur dikush prej jush zgjohet nga gjumi të mos e fut dorën e tij në enë derisa ta lajë atë tri herë, sepse ai nuk e di ku ka qëndruar dora e tij gjatë natës.” (Buhariu dhe Muslimi)
Nga këto dy hadithe kuptohet që uji i pakët ndotet nga ndyrësia që bie në të, edhe nëse asnjëra nga vetitët e tij nuk ka ndryshuar.
Kriteri që bën dallimin midis ujit të bollshëm dhe të pakët:
Shkolla Hanefite: Kriteri që e bën dallimin midis ujit të pakët dhe të bollshëm është dallgëzimi i ujit në të gjitha anët e tij, kur fusim dorën në njërën anë të tij dhe e dallgëzojmë. Nëse dallgët përhapen në të gjitha anët, atëherë kjo na jep të kuptojmë që ndyrësia depërton në të gjitha pjesët e tij dhe për pasojë ai ndotet. Argumenti i Hanefive në këtë çështje është argument logjik. Sipas një versioni tjetër në shkollën hanefite, kriteri i ujit të paktë dhe ujit të bollshëm lihet në dorën e personit që është sprovuar me këtë çështje.
Shkolla Shafiite dhe Hanbelite:
Kriteri që e bën dallimin midis ujit të pakët dhe të bollshëm është të qënurit e sasisë së tij dy kul-leh, bazuar në hadithin që transmeton Abdullah bin Umeri se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nëse uji arrin sasinë e dy kul-leh, atëherë ai nuk mban ndyrësi.” Sipas një versioni tjetër; “…nuk ndotet.”
Këtë hadith e kanë trasmetuar; Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Është saktësuar nga Ibn Huzejme, Ibn Hibani dhe të tjerë.
Dy kul-leh janë përafërsisht të barabarta me 165 ose 190 litra ujë. (Gjithashtu ka dhe mendime të tjera të përafërta.)
Pra, nëse uji është më pak se dy kul-leh dhe në të bie një ndyrësi e cila nuk ia ndryshon erën, shijen apo ngjyrën, ai konsiderohet i ndotur ngaqë është i paktë. E nëse është dy kul-leh e më shumë, ai konsiderohet i pastër për sa kohë që asnjëra nga vetitë e tij nuk ka ndryshuar.
Përshtati dhe përktheu: Rexhep Milaqi
—————————————-
Burimet:
“Bulugul Meram” (Ibn Haxheri)
“Xhamiul Usul” (Ibn Ethir)
“Sijer el a’lam en nubela” (Dhehebiu)
“Bidajetul Muxhtehid” (Ibn Rushd)
“El meusuatul el fikhijeh el kuuejtijeh”
“El hidajeh” (Merginani)
Dosje: Bazat
Të Ngjashme
- Paralajmërimi nga ndjekja e të metave të njerëzve dhe cënimi i privatësisë së tyre Dr. Behar Hyseni
- Drejtësia – Themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Zullumi – rrënuesi i popujve dhe shoqërive Dr. Fatmir Strumi
- Mashkulli dhe femra – Vazhdimësia e njerëzimit Dr. Behar Hyseni
- Kur feja kthehet në tifozllëk dhe fanatizëm individësh Shehul-Islam Ibn Tejmije