Çfarë na mësoi “Korona”

March 19, 2020

Çfarë na mësoi “Korona”?

1. Belaja e Koronës na tregoi se mund të zbavitemi dhe kalojmë kohë të këndshme me familjen.
2. Belaja e Koronës na tregoi se; po t’a administrojmë mirë paranë dhe të ardhurat duke u fokusuar tek ekonomia shtëpiake, larg shpenzimeve lart e poshtë, mund të na dalin dhe t’ia shohim hajrin pasurisë aq sa kemi.

3. Belaja e Koronës na tregoi se; këshillimi i njerëzve, dhënia e udhëzimeve, përpjekja këmbëngulëse për t’i shpëtuar nga e keqja qenka mision fisnik, urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, e jo shkelje apo marrje e lirive dhe të të drejtave.

4. Belaja e Koronës na tregoi se; nëse vërtetë prindërit janë ambociozë dhe të përkushtuar ndaj familjes, ndajnë kohë për të edukuar dhe mësuar fëmijët e tyre.

5. Belaja e Koronës na vërtetoi madhështinë dhe bukurinë e fesë tonë që e ka pastërtinë pjesë të esencës së saj, me shekuj para se të ekzistonin ‘Organizatat e shëndetësisë’.

6. Belaja e Koronës vërtetoi që Zoti dërgon herë pas here qortime të formave të ndryshme, për të na shkundur nga shkujdesja dhe përhumbja pas dunjasë dhe shthurjes.

7. Belaja e Koronës vërtetoi që një “ushtar’ armik i padukshëm, i vogël, mund të rrëzoka shtete të mëdha, të kapardisura me mburrje, pa e nisur fare “betejën” me vendet e varfëra.

8. Belaja e Koronës na pohoi që arma më e mirë mbrojtëse qenka mbështetja tek Allahu dhe lutja ndaj Tij, me bindje, përkushtim dhe përgjërim.

9. Belaja e Koronës na tregoi që muslimanët janë akoma në mirësi përderisa u qan zemra për namazin me xhemat.

10. Belaja e Koronës na tregoi që mund t’u mbyllkan dyqanet dhe qendrat tregtare për orë të tëra gjatë ditës e jo vetëm sa për namaz.

11. Belaja e Koronës vërtetoi që mbulesa, qoftë dhe e fytyrës, kur vjen si një zgjedhje nuk e pengoka njeriun nga aktivitetet e përditshme dhe as nuk u dashka qortuar.

12. Belaja e Koronës pohoi se gjithmonë do ketë një kategori të babëziturish që do përpiqen të përfitojnë nga krizat dhe hallet kolektive.

Belaja e Koronës ka shumë për të na thënë dhe treguar, mjafton të lexojmë dhe kuptojmë.

Zoti u ruajtë dhe u dhëntë shëndet e iman!

Shuajb Rexha

Loading...