Sprovat në jetën e kësaj bote!

March 26, 2020

Sprovat në jetën e kësaj bote!

Jeta e kësaj bote është vend i sprovimeve dhe fushë e fatkeqësive. Nuk ka njeri vetëm se është sprovuar, e më pas tek Allahu është kthimi dhe përfundimi.

Allahu i Lartësuar thotë: “Në mënyrë që t’u japë atyre që vepruan vepra të këqija atë që meritojnë, e t’i shpërblejë vepërmirët me më të mirën.” (Nexhm: 31)

Po ashtu thotë: “Çdo kush do t’a shijojë vdekjen. Ne u sprovojmë me fatkeqësi dhe me mirësi, e përsëri tek Ne do të ktheheni.” (Enbija: 35)

Sprovimi në jetën e kësaj bote; herë është me mirësi e rehati, e herë me fatkeqësi e vështirësi, herë me shëndet të plotë e herë me sëmundje, herë me pasuri e herë me varfëri.

Besimtari është përpara sprovës në këto dy fusha: vështirësi dhe rehati, porse ai kalon nga një mirësi në mirësinë tjetër në çdo sprovë që përjeton.

Në Musnedin e imam Ahmedit është përcjellë nga hadithi i Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Është për t’u çuditur me besimtarin! Çdo gjë që Allahu cakton për të është mirësi.”

Fjala e pejgamberit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ku thotë “çdo gjë” përfshin çdo sprovë, vështirësinë dhe rehatinë, ndaj besimtari në çdo sprovë kalon nga një mirësi në një mirësi tjetër.

Kjo ngase besimtari që ka suksesin e Allahut, nëse Ai e sprovon me; vështirësi, sëmundje, varfëri e të tjera të ngjashme prej fatkeqësive, ai i përballon ato me durim. Kështu ai del i fituar nga kjo lloj sprove me shpërblimin e durimtarëve. E nëse Allahu e sprovon me mirësi e rehati, me shëndet e pasuri, e gjen atë në këtë lloj sprove falënderues ndaj Allahut të Lartësuar, e kështu ai del prej kësaj sprove i fituar me shpërblimin e falënderuesve.

Këtë e sqaron edhe më mirë hadithi i cili është transmetuar në Sahihun e Muslimit nga hadithi i Suhejb ibn Sinanit, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Është për t’u çuditur me gjendjen e besimtarit! Ai në çdo gjendje që të jetë është mirësi për të, e kjo nuk i ndodh vetëm se atij që është besimtar. Nëse i vjen mirësia ai është falënderues, e kjo është mirësi për të. E nëse i vjen fatkeqësia ai duron, e kjo është mirësi për të.”

Duke qenë në gjendjen e fatkeqësisë ai fiton shpërblimin e durimtarëve, e duke qenë në gjendjen e rehatisë ai fiton shpërblimin e falënderuesve.

Ai në këto sprova është mes durimit dhe falënderimit. Allahu i Lartësuar në librin e Tij ka thënë në katër vende: “Me të vërtetë, në këto ndodhi ka argumente për çdokënd që është i duruar e falënderues.” Allahu i Lartësuar ka përmendur këto dy grada madhore; të durimit ndaj fatkeqësisë dhe falënderimit ndaj mirësisë.

Duhet që besimtari të dijë se nëse Allahu u jep disa njerëzve pasuri, shëndet, sukses në tregëti, apo e furnizon me pasardhës apo mirësi të tjera, të gjitha këto nuk janë argument i domosdoshëm se Ai është i kënaqur prej tij dhe se e ka nderuar atë.

Gjithashtu edhe vështirësia që përjeton njeriu apo pasuria e pakët, shëndeti jo i mirë apo vështirësi të tjera që mund t’i ndodhin atij, të gjitha këto nuk janë argument i domosdoshëm se Allahu nuk e do atë apo e ka përçmuar. Këtë peshore që mund t’a mendojnë disa Allahu i Lartësuar e ka mohuar në librin e Tij ku thotë: “E kur Allahu e sprovon njeriun me mirësi dhe rehati, ai thotë: Zoti im më ka nderuar mua. E nëse Allahu e sprovon atë dhe i’a kufizon pasurinë, ai thotë: Zoti im më ka përçmuar.” (Fexhr: 15-16)

Duke e hedhur poshtë këtë perceptim, Allahu i Madhëruar thotë: “Kurrsesi!” – që do të thotë se nuk qëndron puna ashtu siç ata e mendojnë, e nuk është ashtu si ata pretendojnë.

Atij që Allahu i ka dhënë pasuri, shëndet, pasardhës e të tjera prej mirësive, nuk është argument se Ai i do ata e është i kënaqur prej tyre apo i ka nderuar.

Po ashtu edhe në vështirësi, nuk është argument se Allahu e ka përçmuar atë. Gjithsecili prej tyre është i sprovuar; njërin e ka sprovuar me pasuri, shëndet të mirë dhe pasardhës e lloje të tjera prej mirësive, kurse tjetri është sprovuar me varfëri, sëmundje apo fatkeqësi të tjera. Gjejmë se dijetarët tanë janë ndarë në mendime të ndryshme se cili është më i mirë tek Allahu: Ai që është i pasur e falënderues? Apo ai i cili është i varfër e durimtar?

Përgjigja e saktë është: Më i miri prej tyre është ai i cili është më i devotshëm tek Allahu. E nëse ata janë të njëjtë në devotshmëri, atëherë edhe në shpërblim janë të njëjtë. Të parin Allahu e ka sprovuar me pasuri e ai është treguar falënderues, kurse të dytin e ka sprovuar me varfëri e ai ka duruar. Secili prej tyre ka zbatuar atë që kërkohet prej tij gjatë sprovimit ndaj që të dy janë prej fituesve.

Njëri fitoi shpërblimin e falënderuesve, kurse tjetri fitoi shpërblimin e durimtarëve.
Në fund të gjithë do të kthehen tek Allahu i Lartësuar, ndaj dhe për këtë gjë Allahu e përfundoi ajetin duke thënë: “Dhe tek Ne do të jetë kthimi.” – që do të thotë: Ju sprovoheni në jetën e kësaj bote e më pas kthimi juaj do të jetë tek Allahu, në mënyrë që të mirin t’a shpërblejë për mirësinë që ka bërë dhe keqbërësin t’a dënojë për veprat e këqija që ka bërë. Le t’a kemi frikë dënimin e Allahut e të mundohemi secili prej nesh që të jemi prej fituesve në sprova, qofshin ato me mirësi apo me vështirësi. Suksesi vjen vetëm prej Allahut i Cili nuk ka ortak!

Shkroi: Abdurrazak el-Bedër

Përshtati: Ylli Rama

Loading...