Muaji i Ramazanit – Ftesë për pendim!

April 23, 2020

Muaji i Ramazanit – Ftesë për pendim!

O njeri! Çfarë fitove duke qëndruar larg Zotit tënd? Ramazani erdhi, flladi i besimit po fryn dhe mëshira e Allahut
është shumë pranë teje, prandaj kthehu tek Allahu!

Kthehu me vullnet dhe pendim, sa nuk je kthyer i mbartur mbi supe e i veshur me qefin!

Dera e pendimit është e hapur, hyrja është e lejuar, prandaj kthehu tek Zoti që të kënaqet me ty dhe të të falë mëkatet e tua!

Afrohu tek Allahu që të t`i kthejë të këqijat në të mira dhe të shkruhesh në listën e atyre që Allahu i do: “Vërtet, Allahu i do ata që pendohen.” (El Bekare; 222)

Mëshira e Allahut ka përfshirë gjithçka dhe Ai e shkroi këtë në librin e Tij: “Mëshira Ime e tejkalon hidhërimin Tim.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

A e ke dëgjuar ndonjëherë këtë ajet, ku Zoti të thërret duke thënë: “O robërit e Mi që i keni bërë vetes keq me gjynahe, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut! Patjetër që Allahu i fal të gjitha gjynahet! Vërtet, Ai është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Zumer; 53)

Eja afrohu tek Allahu, sepse Ai mëshiron dhe fal! “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Taha; 82)

Pendohu nga të këqijat që ke punuar dhe zotohu që kurrë nuk do t`u kthehesh atyre veprave të shëmtuara! Shfrytëzoje këtë muaj për të hapur një faqe të re, mbi të cilën do të shkruash: O Zot, unë jam penduar!

Anis Agovi

Dosje: ,

Loading...