Argumente për ekzistencën e Allahut të Madhëruar!

July 24, 2020

Argumente për ekzistencën e Allahut të Madhëruar!

Për ekzistencën e Allahut të Madhëruar dëshmon çdo qelizë e kësaj gjithësie. Është Ai që është kjo gjithësi, dhe kjo është fryt i mjeshtërisë së Tij. Në çdo anë dhe në çdo cep të saj dëshmohet fuqia, urtësia dhe mjeshtëria e Tij; Riprodhimi i krijesave nga një substancë e thjeshtë, formimi i tyre me tiparet dhe gjymtyrët përkatëse nga kjo substancë, shumëllojshmëria e krijesave, ndarja e çdo lloji në dy gjini, dhe dallimi i individëve nga njëri-tjetri në mesin e llojit. Të gjitha këto dëshmojnë për mjeshtërinë madhështore të Tij. Syri me shumëllojshmërinë e ngjyrave të tij, goja me shumëllojshmërinë e gjuhëve të saj, fytyra me shumëllojshmërinë e tipareve të saj. Të gjitha këto janë fakte që dëshmojnë për mjeshtërinë madhështore të Tij.
Uria, etja, dhimbja, gjumi, të fiktit etj. janë dëshmi të mjeshtërisë së Allahut të Madhëruar që i ka vendosur në organizmin e njeriut për t’i tërhequr vëmendjen të kujdeset për trupin e tij.

Për ekzistencën e Tij dëshmon natyra e pastër dhe racionale e njeriut. Njeriu është i prirur të besojë se ekziston një Krijues që e ka krijuar atë dhe që ka krijuar këtë Gjithësi. Besimi në ekzistencën e Zotit është i rrënjosur dhe i ngulitur në natyrën e njeriut, i cili shtohet dhe forcohet nëpërmjet meditimit dhe reflektimit mbi shenjat dhe gjurmët e fuqisë së Krijuesit të Madhëruar.
Për ekzistencën e Tij dëshmon arsyeja e pastër dhe logjika e shëndoshë. Një logjikë e shëndoshë nuk pranon dot që kjo gjithësi e përsosur të krijohet nga hiçi apo vetvetiu. Hiçi sipas logjikës së shëndoshë nuk mund të krijojë asgjë, sikurse asgjë nuk mund të krijohet vetvetiu.

Për ekzistencën e Tij dëshmon fakti që njeriu qysh në lashtësi ka besuar tek Zoti. Sipas të dhënave historike dhe sipas shkrimeve të shenjta njeriu qysh në zanafillën e tij ka besuar në Zot.

Për ekzistencën e Tij dëshmojnë mrekullitë e pathyeshme me të cilat u përkrahën Profetët, si p.sh.; shkopi i Musait (Paqja qoftë mbi të) dhe dora e tij, ndarja e detit në dymbëdhjetë rrugë për të dhe popullin e tij, mrekullia e ringjalljes së të vdekurve që i’u dha Isait (Paqja qoftë mbi të), mrekullia e ndarjes së hënës në dy pjesë, shpallja e Kuranit me një stil gjuhësor arab të pashembullt dhe të pasfidueshëm që i’u dha Muhamedit (Paqja qoftë mbi të).
Mohimi i Zotit bie në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut dhe me arsyen e shëndoshë, si dhe me vlerat dhe traditat e lashta njerëzore.

Përshtati: Rexhep Milaqi

Loading...