Vlera e madhe e abdesit – hadith madhështor.
Ebu Umameh el Bahilij tregon se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë:
“Çdo njeri që ngrihet për të marrë abdes dhe dëshiron të falet, pastaj lan duart, zbresin prej tyre gjynahet e tij me pikën e parë të ujit. Kur lan fytyrën zbresin gjynahet e tij prej dëgjimit (veshëve) dhe shikimit (syve) të tij me pikën e parë të ujit. Kur lan duart deri në bërryla dhe këmbët deri te kyçet, shpëton nga çdo gjynah i tij dhe nga çdo gabim, dhe del si ditën që e ka lindur nëna e tij. E kur ngrihet për tu’ falur Allahu e ngre me të një gradë, e nëse ulet (nuk fal namaz) ulet i shpëtuar.”
Saktësoi Albani në “Es sahihul xhamiu” me nr. 2724.
Shpjegim:
Abdesi është prej mjeteve më madhështore – fizike dhe kuptimore – për pastrimin e muslimanit. Ai pastron të jashtmen e tij me ujë, dhe brendësinë e tij duke i falur gjynahet. Pastaj vjen namazi që e ngre atë në gradat e shpërblimeve.
Në këtë hadith Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – thotë: “Çdo burrë…” – dhe qëllimi është; çdo burrë dhe grua (sh.p.: prandaj e përkthyem: “Çdo njeri”). Fjala ka dalë në mënyrë të përgjithshme duke i përfshirë të gjithë në grumbullin e burrave.
“…që ngrihet për të marrë abdes dhe dëshiron të falet”, – pra drejtohet për tek vendi ku do të marrë abdes dhe e ka qëllim të falet me atë abdes.
“…pastaj lan duart, zbresin prej tyre gjynahet e tij me pikën e parë të ujit”, – ia fal Allahu gjynahet që i ka bërë me duart e tij, dhe kështu me pjesët që mbeten prej gjymtyrëve të abdesit. Sa herë që lan një gjymtyrë ia fal Allahu gjynahet që ka bërë me atë gjymtyrë derisa me mbarimin e abdesit del i pastër nga gjynahet dhe punët e këqija që ka bërë ashtu si e ka lindur nëna e tij. Kjo është e veçantë për gjynahet e vogla dhe jo të mëdhatë, sepse gjynahet e mëdha kanë llogari tjetër, Ato nuk falen veçse me pendim prej tyre apo me faljen e Allahut të Lartësuar.
“E kur ngrihet për t’u falur” – pra me këtë abdes, “Allahu e ngre me të një gradë”, – pra i jep Allahu një gradë të lartë në Xhenet ose ia shton me të një shpërblim. “…e nëse ulet”, – pra nuk ngrihet të falet pas abdesit, “ulet i shpëtuar” – nga gjynahet.
Duhet që ai që merr abdes t’i ketë në mendje gjynahet dhe gabimet që ka bërë gjatë kohës që lan gjymtyrët e abdesit, dhe të vendosë të pendohet prej tyre. Kështu ai do të pastrojë trupin e tij, të jashtmen dhe të brendshmen e tij, dhe atëherë është meritor të qëndrojë përpara Allahut të Lartmadhëruar.
Ky hadith tregon për vlerën e madhe të abdesit dhe faljen që ai u bën gjynaheve.
Emin Bilali
Nga web-faqja: dorar.net
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve