Dashuria për Profetin (alejhi selam) lidhet me praktikimin e Sunetit

October 20, 2020

S’ka dyshim se Kurani dhe Suneti janë shpallje nga Allahu i Lartësuar. I Madhëruari thotë: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore që i vjen atij.” En-Nexhm, 3-4.

Hasan bin Atijeh (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Xhibrili (alejhi selam) vinte tek i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) me Sunet (i shpallte Sunetin) ashtu siç vinte me Kuran. Ia mësonte atë (Sunetin) ashtu siç i mësonte Kuranin.” Shënon Ebu Daudi etj. E ka saktësuar Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë) në “El-Fet’h” (13/291).

Kurani dhe Suneti janë dy burimet bazë të legjislacionit Islam. Prej tyre përftohen argumentet legjislative Islame dhe gjykimet e jurisprudencës (fik’hut). Tek ato kthehen të gjitha çështjet\ që kanë të bëjnë me legjislacionin Islam (Sheriatin).

Nuk është hera e parë dhe s’do jetë as e fundit, ku Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) shahet, ofendohet dhe tallet. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe kur ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte në mesin e banorëve të Mekës. Por kur Islami u plotësua dhe muslimanët ishin në kulmin e fuqisë dhe të lavdisë, çdokush që shante Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) merrte ‘gjysmën e lekut’. Ndërsa në periudhat kur muslimanët ishin dobësuar, ata e shihnin kundërpërgjigjen më të mirë ndaj sulmeve që i bëheshin Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tek përmirësimi i veteve të tyre.

Hapi i parë i përmirësimit ishte obligueshmëria e të punuarit me Sunetin e saktë profetik duke e ringjallur atë. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush ringjall në Islam një sunet të mirë ka shpërblimin e tij dhe të gjithë atyre të cilët punojnë pas tij, pa iu pakësuar prej shpërblimeve të tyre asgjë.” Shënon Muslimi (1017).

Sufjan Eth-Theuri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “S’më ka arritur ndonjë hadith nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) vetëm se kam punuar me të qoftë dhe një herë të vetme.” Shih “Es-Sijeru”, vëll. 2.

Të punuarit me sunetin e saktë profetik është tregues i dashurisë për Profetin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), ngase dashuria e vërtetë ndaj të Dërguarit të Allahut është:

– Përmallimi i zemrës për t’a shikuar atë (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

– Pasimi i Sunetit të tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe përpjekja për përhapjen e tij.

– Mbrojtja e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), e familjes së tij, shokëve dhe fesë së tij.

– Dashuria për familjen e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe për shokët e tij, nderimi i tyre, t’i lutesh Allahut të jetë i kënaqur me ta dhe urrejtja ndaj atyre që i urren ata (familjen dhe shokët e Profeti alejhi selam) apo ua ul pozitën atyre.

– Shtimi i përmendjes së tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në leximin dhe përcjelljen e haditheve, dhe dërgimin e salavateve për të.

– Studimi i historisë së tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe Sunetit të tij.

– Gjykimi sipas sheriatit (fesë) të tij duke qenë i kënaqur dhe i dorëzuar ndaj gjykimit të tij.

Praktikimi i Sunetit është shkak për arritjen e lumturisë, ngase: “Lumturia jote është në varësi të praktikimit tënd të Sunetit. Sa herë e shton praktikimin e Sunetit të shtohet dhe lumturia në zemrën tënde, derisa jeton në Dynja si në Xhenet.” Shejh Sulejman Er-Ruhajli (Allahu e ruajttë!). “Dirasat Fil-Menhexh”

Po sot?

Në sa xhami mësohet forma e namazit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)? Nëse ai do të ishte në mesin tonë e të shihte sesi falemi, do të na thoshte: “Kthehuni faluni se nuk jeni falur!”

Në sa xhami lexohen librat e hadithit, siç janë “Sahihu Buhari”, ‘Sahihu Muslim”, “Sunenu Ebi Daud”, “Sunenu Et-Tirmidhi”, “Sunenu Ibën Maxhe”, “Sunenu En-Nesai” etj, të shoqëruar me shpjegim përmbledhës nga fjalët e dijetarëve?

Në sa xhami lexohet dhe mësohet historia e Profetit tonë (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)?

Në sa xhami punohet me sunetin e saktë profetik?

Në sa xhami hoxha vazhdon të jetë hoxhë duke i mësuar xhematit akiden (besimin) dhe sunetin, dhe nuk është kthyer në punonjës social duke ndarë thasë me miell?

Kthejani xhamive statusin e vërtetë për të cilin janë ndërtuar, dhe mos i mbani thjesht si vend-faljeje.

Unejs Sheme

Dosje:

Loading...