A jam gati t’a takoj Zotin tim?

November 24, 2020

A jam gati t’a takoj Zotin tim?

Më i miri i njerëzimit na këshillon dhe na thotë: ‘’Përkujtojeni sa më shumë shkatërruesen dhe ndërprerësen e dëshirave dhe ëndrrave tuaja, vdekjen!
Nuk ka njeri që bën jetë të vështirë dhe e kujton atë, veçse ja zgjeron dhe largon vështirësitë si dhe j’a lehtëson atij hallet. E nuk ka njeri që bën jetë në bollëk dhe e kujton, veçse j’a ngushton atij qejfet dhe e kthjellon.’’
Sahihut Tergib; 4/195.
Një porosi e çmuar profetike të cilën e përjetojmë sa herë që largohen nga mesi ynë njerëz të ndryshëm, të afërt apo të largët.
Nuk ka gjë më të bukur se kur ngrihesh për sabah për t’iu falur Zotit të gjithësisë, i mësuar me qetësinë absolute që e mbulon qytetin në këtë kohë pandemie, sesa ezani (thirrja) që vjen nga xhamia; ‘’Hajde në namaz, hajde në shpëtim!’’
Në këtë atmosferë, besimtari e ndien të obligueshme të falënderojë Zotin që i dha edhe një mundësi për t’u zgjuar e për të punuar.
Por, është e trishtueshme kur del nga shtëpia dhe merr vesh që tek komshinjtë e tu dikush nuk e ka gdhirë atë mëngjes. Menjëherë të shkon mendja tek e sëmura e tyre që është diagnostikuar me tumor, dhe është në gjendje të vështirë. Por jo, nuk është ajo, është burri i saj që kurrë në jetë nuk ka pirë nje aspirinë – siç thonë -, por ishte i mbajtur dhe i fuqishëm dhe jo në moshë të madhe.

Të vjen ndërmend fjala që e dëgjoja shpesh nga shejh Ebu Islami (Allahu e mëshiroftë!):

‘’Sa e sa të shëndetshëm kanë vdekur pa pasur ndonje siklet,
E sa e sa të sëmurë kanë qëndruar më gjatë në këtë jetë!’’

Atëherë e kupton dhe e përjeton porosinë e çmuar profetike të mësipërme.
Pastaj e kthen tek vetja dhe thua: – A nuk do të jetë nje ditë edhe radha ime?!
Po nëse shëndeti dhe mosha ime më mashtrojnë e më bëjnë të harroj këtë të vërtetë të patjetërsueshme?!
A jam gati t’a takoj Zotin tim?!

Mirandi Shehaj

Loading...