“Dhe Arshi i Tij ishte mbi ujë!” A është Arshi i Allahut mbi ujë?

February 13, 2021

Pyetje: Pse Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Arshi i Tij ishte mbi ujë.” Po tani, a është Froni i Allahut mbi ujë?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ai është që krijoi qiejt dhe tokën për gjashtë ditë dhe froni i Tij ishte mbi ujë, në mënyrë që t’ju sprovojë se cili prej jush është më i miri në vepra.” [Hud 11: 7]
Me këtë Allahu i Lartësuar na njofton se Arshi i Tij ishte mbi ujë para se të krijonte qiejt dhe tokën dhe çfarë gjendet brenda tyre. Katade ka thënë: Zoti i Lartësuar po ju tregon se si filloi krijimi, para se të krijonte qiejt dhe tokën. Tefsir et-Taberi 15/246, Buhariu me nr. (2953). Transmetohet nga Imran ibn Husejn (Allahu qoftë i kënaqur me të) se disa njerëz nga banorët e Jemenit e pyetën Profetin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) dhe i thanë: Ne kemi ardhur tek ti që të të pyesim për këtë çështje. Ai tha: Allahu ishte dhe nuk kishte asgjë tjetër përveç Tij, ndërsa Arshi i Tij ishte mbi ujë. Ai i shkroi të gjitha gjërat në Libër dhe krijoi qiejt dhe tokën.
Si ajeti po ashtu edhe hadithi flasin për fillimin e krijimit dhe tregojnë se Arshi i Allahut të Lartësuar ishte mbi ujë përpara krijimit të qiellit dhe të tokës. Por kjo nuk do të thotë që Froni i Tij nuk është ende mbi ujë!
Buhariu me nr. (6869) dhe Muslimi me nr. (1659) transmetojnë nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “E Djathta e Allahut është e mbushur dhe nuk pakësohet nga dhënia e Tij e begatë gjatë natës dhe ditës. A nuk e keni parë se sa shumë ka dhënë qysh kur krijoi qiejt dhe tokën, dhe të gjitha këto mirësi nuk ja kanë pakësuar atë që mban e djathta e Tij? Ndërsa Froni i tij është mbi ujë, dhe në Dorën tjetër të Tij është fuqia. Ai ngre disa njerëz dhe i ul disa të tjerë.”
El-Hafidh Ibn Haxher (Allahu e mëshiroftë) thotë: Në transmetimin e Is’hak bin Rahauejhi thuhet: “Dhe Froni është mbi ujë.” Kuptimi i dukshëm i kësaj fjale është se ishte ashtu kur Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i tha këto fjalë. Ndërsa kuptimi i dukshëm i hadithit që ishte para tij është se Froni ishte mbi ujë përpara krijimit të qiejve dhe tokës. Të dy hadithet kur merren së bashku tregojnë se ai është akoma mbi ujë. Fet’h el-Bari, 20/496.
Kuptimi i fjalës Kene (ishte) në ajet i referohet asaj që ndodhi në të kaluarën, para krijimit të qiejve dhe të tokës. Ndërsa nga thënia e tij në hadithin tjetër; “Froni i Tij është mbi ujë”, kuptohet se është akoma mbi ujë.

Allahu e di më së miri!

Përktheu: Fatjon Isufi
islam.qa

Loading...