A mundem të marr dituri fetare prej filanit?

February 26, 2021

Dikush pyet dhe thotë: Selam Alejkum! A mundem të marr dituri fetare prej filanit (përmend emrin e tij)?
Përgjigja: Alejkum selam!
Vëlla i dashur! Personin në fjalë nuk e njoh dhe kjo është mëse normale, sepse njeriu jo çdokënd e njeh. Pastaj nuk duhet harruar se edhe nëse dikush e njeh dikë, mbase nuk ka qëndruar kohë të mjaftueshme për t’a njohur mirë atë. Edhe nëse e njeh mirë, mbase për ndonjë arsye a tjetër mund të mos jetë ai njeriu i duhur për të folur për të.
Kështu që nëse më lejon mund të të ofroj diçka më të mirë se një gjykim për një person të veçantë.
Allahu i Madhëruar ka sjellë tek njerëzit disa mundësi me të cilat mund të dallojnë çdo gjë deri edhe pejgamberët e vërtetë nga të rremët, si p.sh.; vërtetimi i shenjave të përmendura në librat e mëparshëm, saktësia e fjalëve, sjellja e mirë, mimika e fytyrës e cila pasqyron vërtetësinë e së brendshmes, vërtetimi i diturisë me punë, suksesi, përkrahja etj. Me këto karakteristika e të tjera si to Selmani dhe Abdullah bin Selami – radiallahu anhum – kanë dalluar Profetin tonë Muhamed – alejhi selam.
Prandaj nëse do të dish se prej kujt mund të marrësh dije, kiji parasysh porositë e mëposhtme dhe do të çlirohesh nga shumë dilema rreth njerëzve në dashtë Allahu i Madhëruar.
1 – Thirrja e tij te ketë për udhërrëfyes librin e Allahut, sunetin e profetit të Tij dhe shembullin e mirë të selefëve, sepse ditën e llogarisë njerëzit mbi bazën e tyre do të gjykohen. Nëse ai i ka ato për udhërrëfyes kjo do të thotë se ai do shpëtimin e njerëzve.
2 – Të jetë njeri që përpiqet në kërkimin e dijes, sepse dija për çdo kënd tjetër pas profetëve kërkon mund për t’a arritur. Vetëm profetëve u vinte e gatshme me shpallje prej Allahut të Madhëruar.
3 – Thirrja e tij të përmbajë ruajtjen e unitetit, bindjen ndaj drejtuesve më të mëdhenj se ai, dhe të jetë larg përçarjes e kundërshtimeve siç ishte zakoni i sahabëve.
4 – Të jetë njeri që punon me dijen e tij, sepse një njeri i cili nuk përfiton vetë nga dija nuk mund të përfitojnë të tjerët prej tij.
5 – Të jetë njeri me sjellje të mirë sepse sjellja e keqe do të bëjë që të largohesh prej tij.
6 – Të jetë edukator, që do të thotë t’ju mësojë njerëzve atë që kanë nevojë, t’u mësojë atyre të voglat para të mëdhajave.
7 – Të gëzojë respekt tek njerëzit, sepse Allahu nëse e do dikë dhe është i kënaqur me të i bën njerëzit t’a duan atë.
8 – Të qetësohet zemra ndaj tij, sepse zemra para të vërtetës qetësohet ndërsa para të kotës trazohet, siç thotë dhe Profeti – alejhi selam .
Mosprezenca e ndonjërës prej këtyre shenjave te dikush do të bëjë që ai; ose s’ka çfarë të të japë, ose s’do kesh dobi prej tij, ose do jetë shenjë se mund të jetë i devijuar dhe mund të të devijojë edhe ty.
Loading...