Mjekimi nuk bie ndesh me kaderin

March 28, 2021

Ibën Kajimi ka thënë: Në hadithet e sakta përcillet urdhëri për marrjen e mjekimit, dhe se një gjë e tillë nuk bie ndesh me mbështetjen që duhet të ketë besimtari tek Allahu. Njësoj si plotësimi i nevojës së urisë dhe etjes që nuk bien ndesh me të, dhe njësoj si të ruajturit nga i nxehti dhe i ftohti. Madje teuhidi i vërtetë nuk mund të plotësohet pa marrjen e shkaqeve që i ka caktuar Allahu i Madhëruar për arritjen e qëllimeve përkatëse, si nga ana e kaderit, ashtu dhe nga ana e sheriatit. Shfuqizimi i shkaqeve cënon vetë mbështetjen tek Allahu i Madhëruar, sikurse cënon urdhërin dhe urtësinë e Tij.

Ai që i braktis shkaqet dhe mendon se një gjë e tillë dëshmon për një mbështetje më të fortë, ka gabuar. Përkundrazi, braktisja e shkaqeve është paaftësi dhe bie ndesh me mbështetjen, e cila në realitet është të mbështeturit e zemrës tek Allahu për arritjen e asaj që i sjell dobi njeriut në fe dhe në jetë, si dhe shmangien e asaj që i sjell dëm atij në fe dhe në jetë. Kjo mbështetje duhet medoemos të shoqërohet me marrjen e shkaqeve, përndryshe një gjë e tillë do konsiderohej si shfuqizim i urtësisë dhe sheriatit. Sakaq, njeriu paaftësinë e tij nuk duhet t’a paraqesë si mbështetje e mbështetjen ta paraqesë si paaftësi. (“Zadul Mead” 4/14)

 A ka përgjegjësi para Allahut që nuk mjekohet? 

Ajo që kuptohet nga tekstet fetare dhe nga fjalët e dijetarëve është se; nuk ka përgjegjësi për lënien e mjekimit ai njeri i cili vuan nga një sëmundje joserioze, e cila nuk përbën rrezik për jetën apo shëndetin e tij, aq sa të mos ketë aftësi për të përmbushur detyrimet që ka ndaj Zotit, familjes dhe shoqërisë. Megjithëse tekstet fetare dëshmojnë se marrja e mjekimit në këto raste është më e mirë se lënia e tij.

Ndërsa ai që vuan nga ndonjë sëmundje serioze e cila përbën rrezik për jetën apo shëndetin e tij, dhe ia bën të pamundur përmbushjen e detyrimeve ndaj Zotit, familjes dhe shoqërisë, ndërkohë që është i disponueshëm dhe i mundshëm mjekimi i saj, atëherë ai do të mbajë përgjegjësi për mosmarrjen e mjekimit të rekomanduar. Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka urdhëruar që i sëmuri të mjekohet dhe i ka miratuar fjalët e Selmanit ndaj Ebu Derdas, kur i tha: ‘’Ti ke detyrime ndaj Zotit tënd, ndaj vetes tënde dhe ndaj familjes tënde. Jepi secilit atë që i takon!’’ (Buhariu 1968)  Si dhe fjala e Allahut: ‘’Mos i hidhni vetet tuaja në shkatërrim.’’ | El Bekare: 195.

 Mjekimi i atij që nuk ka shpresë për shërim  dhe përshpejtimi i vdekjes së tij 

Për sa kohë që mjekimi është i dobishëm ai nuk duhet ndërprerë, sepse shpëtimi i një jete është vepër e lartë dhe e detyrueshme. Allahu i Madhëruar ka thënë: ‘’Ai që shpëton një jetë është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin.’’ | El Maide: 32.

Por nëse mjekët kompetentë konstatojnë se mjekimi nuk sjell më asnjë dobi për të sëmurin, atëherë lejohet që mjekimi të ndërpritet. Sepse qëllimi i mjekimit është dobia e të sëmurit qoftë nëpërmjet përmirësimit të shëndetit, qoftë nëpërmjet lehtësimit të dhimbjeve të tij. Përsa kohë që një gjë e tillë nuk shpresohet, atëherë mjekimi s’ka më kuptim.

Komisioni i jurisprudencës islame në seancën e tyre të njëzetë e një, të zhvilluar në Mekën e nderuar, kanë nënvizuar si më poshtë:

1 – Nëse mjeku profesionist beson se mjekimi i sjell dobi të sëmurit pa e dëmtuar atë, ose që dobia e mjekimit është më e madhe se dëmi i saj, në këtë rast lejohet të vazhdohet mjekimi edhe nëse ndikimi i tij është i përkohshëm. Ndoshta Allahu bën të mundur që mjekimi të japë dobi të përhershme, ndryshe nga ajo që presin mjekët.

2 – Ndërpreja e mjekimit nga i sëmuri (i cili vuan nga sëmundje kritike për jetën) duhet të bëhet vetëm nëse tre mjekë specialistë të besueshëm konstatojnë se mjekimi i bën dëm të sëmurit, duke mos pasur asnjë ndikim në përmirësimin e gjendjes së tij. Ndërkohë duhet treguar kujdes i veçantë për ushqyerjen e tij, dhe heqjen ose pakësimin e dhimbjeve aq sa të jetë e mundur.

3 – Përshpejtimi i vdekjes së të sëmurit të cilën e quajnë “vrasje e mëshirshme’’ është i ndaluar në fe, edhe nëse kërkohet nga vetë i sëmuri apo familjarët e tij.

Një prej transmetimeve që dëshmon për ndërprerjen e mjekimit kur prej tij nuk ka më dobi, është ajo që përcillet në lidhje me Umerin kur u sulmua në namazin e sabahut dhe iu shkaktuan plagë serioze në bark nga të cilat edhe vdiq. Ai kërkoi t’i sillnin një mjek që të shikonte plagët. Mjeku i dha të pijë lëngje, por kur pa që ato i rridhnin nga plaga, i tha: O prijës i besimtarëve, ti duhet të lësh testamentin…! Ai i tha: Të vërtetën më the. (“Musnedi i Ahmedit” 294. E kanë saktësuar; Dhehebiu, Albani, Shuajbi etj.)

Përgatiti: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...