Ndërtimi i xhamisë së Aksas

May 21, 2021

Ndërtimi i xhamisë së Aksas.
Nuk dihet me saktësi se kush e ka ndërtuar xhaminë e Aksas,  por është e sigurtë se ajo është ndërtuar pas Qabes. Kurani njofton se Ibrahimi – alejhi selam – ka ndërtuar shtëpinë e parë në tokë në Meke për të adhuruar Allahun e Madhëruar.
Allahu thotë: “Shtëpia e parë e ndërtuar për njerëzit është ajo e Bekës, e bereqetshme dhe udhëzim për mbarë botët.” Ali Imran: 96.
Gjithashtu thotë: “Përkujto kur Ibrahimi ngriti themelet e shtëpisë (së Allahut) së bashku me Ismailin, duke thënë: O Zot, pranoje prej nesh se Ti je Dëgjuesi dhe i Dijshmi!” El-Bekare: 127.
Këto dy ajete së bashku tregojnë atë që thamë më lart, se xhamia e Aksas është ndërtuar pas Qabes dhe ndoshta edhe pas Ibrahimit – alejhi selam – duke ditur se ai është ndërtuesi i Qabes.
Në këtë përfundim të çon gjithashtu edhe një hadith i Profetit – alejhi selam – ku Ebu Dherri – radiallahu anhu – tregon: “E kam pyetur Profetin – alejhi selam – se cila xhami është ndërtuar e para? Profeti – alejhi selam – më tha: Xhamia e shenjtë (Qabja). Ebu Dherri i thotë: Pastaj cila? Profeti – alejhi selam – i thotë: Xhamia e Aksas. Ebu Dherri i thotë: Sa ka pasur mes tyre? Profeti – alejhi selam – i thotë: Dyzet vjet. Pastaj ku të të gjejë koha e namazit falu, se aty është xhami.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Prej veçorive të hadithit të Ebu Dherrit – radiallahu anhu – është se ai jep një distancë kohore mes ndërtimit të dy xhamive që është dyzet vjet.
Gjithashtu s’ka dyshim se këtë xhami e ka ndërtuar familja e Ibrahimit në Palestinë, sepse familja e tij përbënte besimtarët e asaj kohe në atë zonë. Për Ibrahimin nuk dihet nëse mund të ketë qenë i gjallë deri në atë kohë dhe po ashtu edhe Is’haku – alejhi selam -, edhe pse mundësia që Is’haku të ketë qenë i gjallë është shumë më e madhe sesa ajo e Ibrahimit. Ndërsa Jakubi – alejhi selam – patjetër ka qenë i gjallë, sepse në kohën e tij dhe të Jusufit – alejhi selam – Beni Israilët u larguan për në Egjipt për të qëndruar gjatë atje deri në kohën e Musait dhe të Harunit -alejhima selam.
Bazuar në distancën kohore që tregon Profeti – alejhi selam – nuk duhet parë për ndërtimin e xhamisë së Aksas pas Jakubit – alejhi selam -, sepse pastaj distanca kohore zgjatet shumë më shumë se dyzet vjet.
Ibn Kethiri, historiani i njohur i Islamit, thotë: “Sipas Ehli Kitabit Jakubi – alejhi selam – është ai i cili e ka themeluar xhaminë e Aksas e cila është xhamia e Ilijasë – Allahu i Madhëruar e nderoftë! Kjo gjë duket e drejtë dhe për të dëshmon edhe hadithi i Ebu Dherrit – radiallahu anhu. Pra, atë e ka ndërtuar Jakubi – alejhi selam – i cili është Israili, dyzet vjet pas ndërtimit të Qabes nga i dashuri i Allahut dhe biri i tij Ismaili.” Shih librin e autorit me titull Kasas El-Enbija (Historitë e Profetëve).
Kjo që thotë Ibn Kethiri në versionin e sotëm të Teuratit, gjendet në kapitullin “Zanafilla”: “Atëherë Hyji i tha Jakobit: Çohu dhe ngjitu në Betel e bano atje! Ndërtoje një alter në nder të Hyjit.” Shih kapitullin Zanafilla: 35/1.
Edhe Kurani jep shenja se xhamia e Aksas ka qenë para Musait – alejhi selam -, dhe po flasim për dy vende ku mendohet se bëhet fjalë për të!
Allahu i madhëruar kur përmend fjalët e Musait – alejhi selam – pas shpëtimit të Beni Israilëve nga Faraoni, thotë se Musai u tha: “O populli im, hyni në tokën e pastruar të cilën ua ka caktuar Allahu, dhe mos u zmbrapsni që të mos ktheheni të mundur.” El-Maide: 21.
Fjala e Allahut “…hyni në tokën e pastruar” është thënë se është për qëllim Bejtul-Makdis.
Allahu i Madhëruar kur përmend historinë e Josha bin Nun – alejhi selam -, Profetit që mori drejtimin e Beni Israilëve pas Musës – alejhi selam – gjithashtu thotë: “Përkujto kur i thamë (Beni Israilëve): Hyni në këtë fshat dhe hani prej tij ç’të doni. Te porta të hyni të përkulur duke thënë: “Falna!” që Ne t’ju falim gjynahet e juaja dhe t’ua shtojmë mirësitë punëmirëve.” El-Bekare: 58.
Fjala e Allahut “Hyni në këtë fshat” d.m.th. hyni në Bejtul-Makdis, siç thonë shumica e komentuesve të Kuranit si p.sh.: Katade (komentues i njohur i Kuranit që ka vdekur pas 110 H), Ismail Es-Sudij (127 H) dhe Er-Rabij bin Enes El-Bekri (140 H). Madje për këtë ngjarje ka ardhur edhe një hadith i saktë ku Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Dielli nuk është ndalur për shkak të ndonjë njeriu veçse për Joshën kur ka shkuar (për të çliruar) Bejtul-Makdisin.” E transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.
Ky përfundim që arritëm nuk bie në kundërshtim me një hadith tjetër të saktë që do të vijë më poshtë, ku thuhet se ndërtuesi i saj është Sulejmani – alejhi selam – sepse ai është ndërtuesi i dytë i saj pas kthimit të Beni Israilëve nga Egjipti, siç thotë Ibn Kethiri – Allahu e mëshiroftë – në “Historitë e Profetëve”: “Hadithi i ndërtimit të Sulejmanit -alejhi selam – ka për qëllim, dhe Allahu e di më së miri, se ai është rindërtuesi i saj. Sepse siç thamë mes tyre (Qabes dhe xhamisë së Aksas) ka dyzet vjet, dhe nuk ka thënë njeri që mes Sulejmanit dhe Ibrahimit ka dyzet vjet veçse Ibn Hibani. Mendimin e tij nuk e ka përkrahur njeri dhe as e ka thënë ndokush para tij.” Shih librin e autorit me titull Kasas El-Enbija (Historitë e Profetëve).
Dr. Abdullah Nabolli
Loading...