Transmetohet nga Muadh ibn Xhebeli se ka thënë:
كنت رديف النبي صلى الله عليه وسلم على حمار, فقال لي يا معاذ أتدري ما حق الله على العباد وما حق العباد على الله. قلت: الله ورسوله اعلم. قال: حق الله على العباد أن يعبدوه ولا يشركوا به شيئا وحق العباد على الله أن لا يعذب من لا يشرك به شيئا قلت: يا رسول الله أفلا أبشر الناس؟ قال: لا تبشرهم فيتكلوا اخرجاه في الصحيحين
Isha i hipur në gomar pas Profetit صلى الله عليه وسلم dhe më tha: “O Muadh! A e di cili është Haku i Allahut ndaj robërve të Tij dhe cili është haku i robërve ndaj Allahut? I thashë: Allahu dhe i Dërguari e dinë më mirë. Tha: Haku i Allahut ndaj robërve është t’a adhurojnë Atë dhe të mos adhurojnë askënd tjetër përveç Tij. Ndërsa haku i robërve ndaj Allahut është të mos i dënojë nëse ata nuk bëjnë shirk (nuk adhurojnë tjerë përveç Allahut). Thashë: O i Dërguar i Allahut! A t’i përgëzoj njerëzit me këtë që më the? Tha: Mos i përgëzo se pastaj do neglizhojnë.”
Trasmeton Buhariu dhe Muslimi.[1]
———————————————–
‘Muadhi’: është Muadh ibn Xhebel ibn Amër ibn Eus ibn Keab ibn Amër el Khazraxhij el Ensarij, sahabij i nderuar prej sahabëve të njohur e të famshëm, dijetar i madh dhe njohës i mirë i dispozitave të Kuranit. Ka marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe të gjitha luftërat pas saj. E emëroi Profeti ﷺ prijës të Mekës ditën e Çlirimit të Mekës që t’ua mësonte banorëve fenë, dhe më pas e dërgoi në Jemen si gjykatës dhe mësues. Vdiq në Sham në vitin 18 hixhri në moshën 38 vjeçare.
‘رديف’: Ai që hipën pas mbi shpinën e një kafshe udhëtimi.
‘A e di’: A ke dije rreth …?
‘Haku i Allahut’: çfarë i takon Allahut me të drejtë dhe e bën detyrë ndaj robërve të Tij.
‘haku i robërve ndaj Allahut’: çfarë ka marrë përsipër Allahu, ja ka vënë detyrë Vetes (megjithëse nuk ka asnjë detyrim ndaj askujt), në shenjë mirësie dhe bujarie ndaj robërve të Tij.
‘A t’i përgëzoj njerëzit’: A t’i vë në dijeni në mënyrë që të gëzohen.
‘neglizhojnë’: mbështeten në këtë hadith dhe lënë garimin dhe nxitimin për të bërë vepra të mira.
۞۞۞
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:
Profeti ﷺ donte të sqaronte obligueshmërinë e Teuhidit ndaj robërve të Allahut (xhinët dhe njerëzit) dhe vlerën e Teuhidit, dhe e bëri këtë gjë me metodën e pyetjes që të ndikojë më shumë (zgjon interesim dhe tërheq vëmendjen) dhe të jetë sa më ndikuese në aftësinë e përvetësimit dhe kuptimit nga ana e atij që po i mësohet. Pasi që Profeti ﷺ ja sqaroi Muadhit vlerën e Teuhidit, Muadhi i kërkoi leje t’i njoftojë njerëzit për këtë gjë në mënyrë që të përgëzohen. Profeti ﷺ e ndaloi nga kjo nga frika se mos njerëzit bazohen te ky hadith dhe pakësojnë veprat e mira.
۞۞۞
Arsyeja e vendosjes së këtij hadith në këtë kapitull:
Sqaron se Teuhidi është adhurimi i Allahut të Vetëm dhe të Pashok.
۞۞۞
Dobitë e përfituara nga hadithi:
1 – Thjeshtësia e Profetit ﷺ i cili hipte në gomar dhe hipte pas tij edhe të tjerë, ndryshe nga mendjemëdhenjtë.
2 – Lejueshmëria e hipjes mbi kafshën e udhëtimit e më shumë se një personi nëse kafsha mundet të mbajë.
3 – Mësimdhënia me metodën e pyetje-përgjigjeve.
4 – Ai i cili pyetet për diçka që nuk e di duhet të thotë: Allahu e di më së miri!
5 – Njohja me Hakun e Allahut ndaj robërve të Tij, i cili është; t’a adhurojnë Atë të Vetëm e të Pashok.
6 – Ai që nuk largohet dhe nuk heq dorë nga shirku, nuk e adhuron Allahun edhe nësë në pamje të jashtme duket si adhurues.
7 – Vlera e Teuhidit dhe vlera e atij i cili zbaton Teuhidin.
8 – Shpjegimi i Teuhidit: Teuhidi është adhurimi i Allahut të vetëm dhe lënia e shirkut (adhurimit të të tjerëve përveç Allahut).
9 – Pëlqyeshmëria e përgëzimit të muslimanit me gjëra që e gëzojnë.
10 – Lejimi i fshehjes së dijes kur ka dobi.
11 – Edukata e nxënësit me mësuesin.
۩۩۩
[1] Trasmeton Buhariu me nr. 2856 dhe Muslimi me nr. 30. Në një transmetim tjetër thuhet: “Muadhi tregoi për këtë hadith pak para vdekjes në mënyrë që të mos humbiste dija.” Ky transmetim është tek Buhariu me nr. 128 dhe tek Muslimi me nr. 32. Në Fet’hul Mexhijd fq. 28 thuhet: El Uezijr Ebul Mudhfir ka thënë: Nuk e mbante të fshehtë këtë hadith përveç se në rastin e ndonjë njeriu të paditur të cilin mund t’a çonte mungesa e dijes në paedukatë e moral të keq ndaj Allahut, duke lënë adhurimin dhe bindjen ndaj Tij.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve