E mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë
Më ka mësuar i dashuri im (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem):
Që përherë t’i lutem Allahut të Madhëruar për qëndrueshmëri në fe. Madje vetë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i lutej Allahut t’a bënte të qëndrueshëm në fe deri në vdekje. Transmetohet nga Enes bin Malik (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut thoshte (lutej): “O Mbrojtësi/Ndihmuesi i Islamit dhe i ithtarëve të tij! Më mbaj në Islam derisa të takohem me Ty!”[1]
Në një transmetim tjetër: “…më bëj të qëndrueshëm në të…”
Po ashtu transmetohet nga Enes bin Malik (radijAllahu anhu) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e shpeshtonte thënien: “Ja mukalibel kulub, thebbit kalbi ala dinik – O Ti që i rrotullon zemrat, përforcoje zemrën time në fenë Tënde!” I thashë: “O i Dërguar i Allahut, të kemi besuar ty dhe atë me të cilën ti erdhe. A po frikësohesh për ne?” Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Po. Vërtetë zemrat janë ndërmjet dy gishtave prej gishtave të Allahut dhe Ai i ndryshon ato si të dëshirojë.”[2]
Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Derisa shpirti i njeriut vazhdon të gjendet në trupin e tij, ai është i ekspozuar ndaj fitnes. Prandaj, së pari e këshilloj veten time dhe pastaj juve që gjithmonë t’a lusim Allahun për qëndrueshmëri në besim.[3]
Shejh Salih El-Feuzani (Allahu e ruajtë!) ka thënë: Njeriu duhet t’a lus Allahun për qëndrueshmëri edhe nëse e njeh të vërtetën, punon me të dhe e beson atë. Ai nuk duhet të jetë i sigurt që nuk mund të devijojë dhe sprovohet, ngase vijnë sprovat dhe e gllabërojnë duke e devijuar nga rruga e Allahut. Për këtë arsye, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “O Ti që i rrotullon zemrat, përforcoje zemrën time në fenë Tënde!” Ndërsa miku dhe i dashuri i Allahut Ibrahimi (alejhi salatu ues selem), në lutjen e tij tha: “Dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve! O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë).”[4] Pra, ai kishte frikë për veten e tij. Prandaj çdo herë që forcohet besimi i njeriut në Allahun, aq më shumë ai frikësohet për veten, nuk është i sigurt nga sprovat dhe nuk e lavdëron veten, por gjithmonë i lutet Allahut për qëndrueshmëri dhe përfundim të mirë, i frikësohet përfundimit të keq, sprovave, devijimit, humbjes dhe atij që fton në të keqe.[5]
Shkaqet që të ndihmojnë për të qenë i qëndrueshëm në fenë e Allahut të Lartësuar:
E para: Lutja drejtuar Allahut, siç e përmendëm edhe më sipër.
E dyta: Shtimi i leximit të Kuranit.
E treta: Shoqërimi me njerëzit me fe të mirë dhe morale të larta.
E katërta: Ndihmesa e fesë së Allahut të Madhëruar. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.”[6]
E pesta: Kryerja e veprave të mira.
Libri: “Më ka mësuar i dashuri im (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)”.
Përktheu: Unejs Sheme
————————————————
[1] “Sherh Et-Tahavijeh” fq. 373. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Zinxhiri i tij është i mirë.” Më pas shejhu e ka saktësuar në “Es-Sahihah” (1476 dhe 1823).
[2] Shënon Tirmidhiu (2140) dhe Ahmedi në “Musnedin” e tij (19/160). Tirmidhiu e ka bërë të mirë (hasen). E ka saktësuar shejhul Islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) dhe Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu Et-Tirmidhij”. Po ashtu e kanë saktësuar recensuesit e “Musnedit” të imam Ahmedit, botim i shtëpisë botuese “Er-Risaleh” të cilët kanë thënë: “Zinxhiri i tij është i fortë sipas kushtit të Muslimit.”
[3] “Esh-Sherh El-Mumtiu”, vëll. 5.
[4] Ibrahim: 35-36.
[5] Shpjegimi e librit “Sherh Es-Sunneh” të imam El-Berbeharit (Allahu e mëshiroftë!).
[6] Muhamed: 7.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve