Kapitulli: Realiteti i teuhidit dhe sqarimi i kuptimit të fjalës ‘La ilahe il-lAllah’.
Fjala e Allahut të Lartësuar:
أُولَٰئِكَ الَّذِينَ يَدْعُونَ يَبْتَغُونَ إِلَىٰ رَبِّهِمُ الْوَسِيلَةَ أَيُّهُمْ أَقْرَبُ وَيَرْجُونَ رَحْمَتَهُ وَيَخَافُونَ عَذَابَهُ ۚ إِنَّ عَذَابَ رَبِّكَ كَانَ مَحْذُورًا
“Ata (melekët, profetët, njerëzit e devotshëm) të cilët idhujtarët i lusin e i adhurojnë kërkojnë të afrohen tek Allahu sa më shumë (me adhurime kushtuar vetëm Atij), shpresojnë në mëshirën e Allahut dhe i frikësohen dënimit të Allahut. Me të vërtetë që dënimi i Zotit tënd është për t’ju ruajtur e pasur kujdes.”
(El Isra: 57)
———————————————-
Arsyeja e vendosjes së këtij kapitulli në Librin e Teuhidit:
Pasiqë autori (Allahu e mëshiroftë) sqaroi në kapitujt e kaluar Teuhidin, obligueshmërinë, vlerat, obligueshmërinë e thirrjes tek ai, frikën prej të kundërtit të tij i cili është shirku, në këtë kapitull shpjegon kuptimin e Teuhidit. Disa njerëz gabojnë dhe mendojnë se kuptimi i tij është vetëm pranimi i Teuhidit Rububijeh (njësimi i Allahut si i vetmi Krijues, Sundues, Furnizues, Dhënës i jetës, vdekjes, mirësive, Ai i Cili kujdeset për të gjitha krijesat, Ai i cili ka nën kontroll të gjithë universin etj). Kjo nuk është për qëllim me Teuhidin. Ajo që është për qëllim është ajo për të cilën flasin tekstet (e Kuranit dhe Sunetit) të cilat i përmendi autori në këtë kapitull. Këto argumente vërtetojnë se Teuhidi është njësimi i Allahut në adhurim dhe pastrimi e dëlirja e plotë nga shirku. Arsyeja e përmendjes së fjalës ‘La ilahe il-lAllah’ bashkë me Teuhidin në titull është për arsye se kuptimi i tyre është i njëjtë dhe nuk kanë kuptime të ndryshme.
‘lusin e adhurojnë’: idhujtarët i adhurojnë përveç Allahut si p.sh. melekët, profetët etj.
‘kërkojnë’: kërkojnë të afrohen tek Allahu. Bëhet fjalë për ata të cilët idhujtarët i adhurojnë përveç Allahut si p.sh. melekët etj.
‘Uesileh – وسيلة’: gjërat me të cilat njeriu afrohet tek Allahu. Kuptimi i Teuesulit (kërkimi i afrimit tek Allahu) është bërja e veprave me të cilat njeriu afrohet tek Allahu.
‘shpresojnë në mëshirën e Allahut’: nuk shpresojnë tek ndokush tjetër përveç Tij.
‘i frikësohen dënimit të Allahut’: nuk i frikësohen askujt tjetër përveç Tij.
۞۞۞
Kuptimi i përgjithshëm i ajetit:
Allahu i pa të meta dhe i Lartësuar na njofton se ata të cilët idhujtarët i adhurojnë përveç Allahut si; melekët, profetët, njerëzit e devotshëm, nxitojnë në kërkimin e afrimit tek Allahu, shpresojnë në mëshirën e Allahut dhe kanë frikë nga dënimi i Allahut. Përderisa janë të tillë atëherë ata janë prej robërve të Allahut (jo zota por robër të Zotit). E si pra adhurohen krahas Allahut të Lartësuar ndërkohë që ata vetë janë robër që angazhohen me adhurimin e Allahut dhe përpiqen t’i afrohen Atij me adhurimet e tyre?!
۞۞۞
Arsyeja e vendosjes së këtij ajeti në këtë kapitull:
Ky ajet tregon për kuptimin e Teuhidit dhe dëshmisë ‘La ilahe il-lAllah’ i cili është largimi nga ajo që bëjnë idhujtarët, lutja e adhurimi i njerëzve të devotshëm dhe kërkimi i ndërmjetësimit prej tyre tek Allahu për largimin e belave dhe sprovave (gjë e cila është kompetencë vetëm e Allahut, vetëm prej Tij kërkohet ndërmjetësimi ashtu siç vetëm prej Tij kërkohet rrizku, fati, falja, mëshira, Xheneti etj). Kjo (lutja, adhurimi, kërkimi i ndërmjetësimit dikujt tjetër përveç Allahut) është shirk i madh.
۞۞۞
Dobitë e përfituara nga ajeti:
1- Kundërpërgjigje ndaj atyre të cilët lusin e adhurojnë eulija dhe njerëz të devotshëm për
largimin e së keqes ose për sjelljen e së mirës. Këta të cilët po adhurohen përveç Allahut nuk
kanë mundësi t’ja largojnë të keqen e t’i bëjnë dobi as vetes së tyre, e jo më t’a bëjnë këtë gjë për të
tjerët.
2- Sqarimi se profetët dhe njerëzit e devotshëm e kanë shumë frikë Allahun dhe shpresojnë në
Mëshirën e Tij.
۩۩۩
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve