Shpjegimi i Librit të Teuhidit – 26

November 7, 2021

Fjala e Allahut të Lartësuar:

 وَمِنَ النَّاسِ مَن يَتَّخِذُ مِن دُونِ اللَّهِ أَندَادًا يُحِبُّونَهُمْ كَحُبِّ اللَّهِ ۖ وَالَّذِينَ آمَنُوا أَشَدُّ حُبًّا لِّلَّهِ ۗ وَلَوْ يَرَى الَّذِينَ ظَلَمُوا إِذْ يَرَوْنَ الْعَذَابَ أَنَّ الْقُوَّةَ لِلَّهِ جَمِيعًا وَأَنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعَذَابِ

‘’Një pjesë e njerëzve marrin të tjerë si ortakë e si të barabartë ndaj Allahut dhe i duan e adhurojnë siç duan dhe adhurojnë Allahun. Ata të cilët kanë besuar siç duhet (duke mos adhuruar të tjerë përveç Allahut) e duan Allahun më shumë sesa këta idhujtarë i duan idhujt e tyre. Sikur t’a dinin ata (idhujtarët) të cilët kanë bërë padrejtësi (shirk) se si është dënimi në Ditën e Gjykimit, do t’a dinin mirë se e gjithë fuqia është vetëm e Allahut (e idhujt që i deshën e adhuruan krahas Allahut nuk kanë asnjë forcë e fuqi) dhe se dënimi i Allahut është i dhembshëm.’’

Surja el Bekare: ajeti 165.

————————————–

‘وَمِنَ النَّاسِ ‘: një pjesë e njerëzve.

‘مِن دُونِ اللَّهِ’: përveç Allahut.

‘أَندَادًا’: ortakë dhe të ngjashëm e të barabartë.

dhe i duan’: dashuria është të duash, të synosh e të kesh interesim për atë që të duket e mirë.

siç duan dhe adhurojnë Allahun’: i barazojnë me Allahun në dashurinë e adhurimit, dashuri e cila përfshin përulësi dhe nënshtrim ndaj atij që e adhuron.

‘وَلَوْ يَرَى’: Po t’a dinin.

se si është dënimi’: në momentin që shikohet me sy e përjetohet.

e gjithë fuqia është vetëm e Allahut’: fuqia dhe triumfi janë vetëm të Allahut.

۞۞۞

Kuptimi i përgjithshëm i ajetit:

Allahu i pa të meta tregon për gjendjen në dunja (këtë botë) dhe përfundimin në ahiret të idhujtarëve që kanë bërë ortakë ndaj Allahut, të cilët i kanë barazuar me Allahun në dashurinë ndaj tyre (i kanë dashur siç duhet Zoti). Më pas, Allahu përmend gjendjen e besimtarëve të cilët e njësojnë Allahun në adhurim, se ata e duan Allahun më shumë sesa idhujtarët i duan idhujt e tyre dhe më shumë sesa idhujtarët e duan Allahun. Dashuria e besimtarëve të Allahut është e pastër dhe e gjitha e dedikuar vetëm për Allahun, ndërsa dashuria e idhujtarëve është e ndarë mes palëve. Më pas, Allahu kanos idhujtarët të cilët adhurojnë të tjerë krahas Tij duke ua bërë të qartë se po t’a dinin se çfarë dënimi të llahtarshëm e të tmerrshëm do të shohin dhe përjetojnë për shkak të shirkut të tyre, dhe sikur t’a shihnin se vetëm Allahu do të triumfojë dhe e gjithe fuqia është e Tij dhe se idhujt e ortakët e tyre ndaj Allahut nuk kanë asgjë, do të hiqnin dorë nga devijimi në të cilin janë. Por ata nuk e përfytyrojnë, as nuk e konceptojnë e as nuk e besojnë këtë.

Arsyeja e vendosjes së këtij ajeti në këtë kapitull: Ky ajet është prej teksteve të cilat sqarojnë kuptimin e Teuhidit dhe dëshmisë ‘La ilahe il-lAllah’, sepse tregon se ai i cili ka dikë ortak krahas Allahut të cilin e do njëlloj si Allahun ka bërë shirk. Mësohet prej kësaj se kuptimi i Teuhidit është njësimi i Allahut me këtë dashuri e cila kërkon dedikimin e plotë të të gjitha adhurimeve vetëm Allahut, dhe se vetëm atij i nënshtrohemi me përulësi dhe adhurim.

Dobitë e përfituara nga ajeti:

1- Prej kuptimit të Teuhidit dhe dëshmisë ‘La ilahe il-lAllah’ është njësimi i Allahut me dashuri, e

cila ka nënshtrim dhe përulësi ndaj të adhuruarit.

2- Idhujtarët e donin Allahun në mënyrë madhështore por kjo nuk i futi ata në Islam, sepse ata

adhuruan edhe të tjerë krahas Allahut me dashuri të tillë.

3- Shirku është padrejtësi.

4- Kërcënimi nga Allahu ndaj idhujtarëve për dënim në Ditën e Gjykimit.

Loading...