Isai -alejhi selam- edhe pse erdhi me udhëzime dhe mrekulli të mëdha prej Allahut të Madhëruar, nuk arriti dot të ndryshonte gjendjen e pjesës më të madhe të Beni Israilëve për shkak se gjendja e tyre në atë kohë kishte degraduar krejtësisht.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
فَلَمَّا أَحَسَّ عِيسَى مِنْهُمُ الْكُفْرَ قَالَ مَنْ أَنْصَارِي إِلَى اللَّهِ قَالَ الْحَوَارِيُّونَ نَحْنُ أَنْصَارُ اللَّهِ آمَنَّا بِاللَّهِ وَاشْهَدْ بِأَنَّا مُسْلِمُونَ
“Isai kur e ndjeu prej tyre mohimin (prej Beni Israilëve), tha: Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut? Hauarijunët i thanë: Ne jemi përkrahësit e çështjes së Allahut. Ne e besojmë Allahun dhe ti dëshmo për ne se jemi robër të dorëzuar.” Sure Ali Imran: 52.
Në këtë ajet tregohet se Isai -alejhi selam- kur filloi t’a ndiej qartë refuzimin e Beni Israilëve u detyrua të bëjë dallimin nëse kishte mes tyre njerëz që e përkrahin, ndaj dhe u tha: “Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut?” Atëherë një grup prej Beni Israilëve të cilëve Allahu i Madhëruar u hodhi besim në zemrat e tyre dhe që quhen Hauarij[1], thanë: “Ne jemi përkrahësit e çështjes së Allahut” dhe “ne e besojmë Allahun”, duke deklaruar qartë besimin e tyre dhe përkrahjen e Isait -alejhi selam. Hauarijunët me këtë veprim synuan ahiretin dhe shpërblimin e tij dhe prandaj fjalën e tyre e përfunduan duke thënë: “dhe ti dëshmo për ne se jemi robër të dorëzuar!” Kjo do të thotë: Dëshmo për ne ditën e llogarisë se ne jemi besimtarë, me qëllim që ne atë ditë të arrijmë shpërblimin e premtuar për besimtarët.
Kjo situatë tregon se sa keq ishte përkeqësuar gjendja e Beni Israilëve në kohën e Isait -alejhi selam- dhe se ata me qëndrimet e tyre ngjanin me popujt idhujtarë, si populli i Nuhut, Hudit, Salihut etj. të cilët nuk patën dëshirë as t’i ndjekin profetët e Allahut dhe as t’i pranojnë udhëzimet e tyre. Madje, qëndrimi i Beni Israilëve duket akoma më i keq sepse këta vinin dorë mbi profetët gjë të cilën nuk e ka bërë çdo popull. Ata as me Isain -alejhi selam- nuk e prishën këtë adet dhe vendosën t’a vrasin atë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
وَمَكَرُوا وَمَكَرَ اللَّهُ وَاللَّهُ خَيْرُ الْمَاكِرِينَ * إِذْ قَالَ اللَّهُ يَاعِيسَى إِنِّي مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِلَيَّ وَمُطَهِّرُكَ مِنَ الَّذِينَ كَفَرُوا وَجَاعِلُ الَّذِينَ اتَّبَعُوكَ فَوْقَ الَّذِينَ كَفَرُوا إِلَى يَوْمِ الْقِيَامَةِ
“Ata kurdisën planet e tyre dhe Allahu kurdisi planin e Tij, mirëpo plani i Allahut ishte më i fortë. Kujto kur Allahu tha: O Isa, Unë do të marr ty dhe do të ngre pranë Meje. Unë do të pastroj nga ata të cilët mohuan dhe do t’i bëj ata që të ndoqën mbi ata që mohuan deri në ditën e Kiametit.” Sure Ali Imran: 54-55.
Në këto ajete tregohet qartë se Beni Israilët e refuzuan krejtësisht Isain -alejhi selam- duke i shfaqur atij armiqësi të madhe. Kjo armiqësi i nxiti të thurin plane të fshehta për t’a vrarë atë, mirëpo Allahu i Madhëruar të Cilit nuk i fshihet gjë as në qiell dhe as në tokë bëri që plani i tyre të dështojë. Ai e shpëtoi të dërguarin e Tij duke e ngritur lart në qiell, dhe i premtoi se ata që e kishin ndjekur do t’i bëjë fitimtarë mbi ata që e mohuan.
Beni Israilët me këtë qëndrim ndaj Isait -alejhi selam- kaluan nga rrethi i besimit në rrethin e mohimit, me përjashtim të Hauarijunëve të cilët i kishin dhënë atij besën për besim dhe përkrahje. Pikërisht këtu fillon ndarja e tyre në jehudi e nasara, apo hebrenj e të krishterë.
Hauarijunët pas largimit të Isait -alejhi selam- përcollën te njerëzit Inxhilin, librin e Allahut, dhe besimin e Isait -alejhi selam. Ata së bashku me pasuesit e tyre arritën t’i përhapin ato në Sham dhe jashtë tij. Dijetarët e historisë Islame dhe të tefsirit të Kuranit përmendin në librat e tyre pesë qendra ku u përhap krishtërimi: Kudsi ose ndryshe Jerusalemi i cili është vendi ku jetoi Isai -alejhi selam, Antakija, Aleksandria, Kostandinopoja dhe Roma. Dy nga këto qendra janë pjesë e Shamit: Kudsi dhe Antakija, madje Antakija njihet si qyteti i parë i cili ndoqi besimin e Isait -alejhi selam-, ndërsa të tjerat janë jashtë Shamit: Egjipt, Azi e Vogël dhe Evropë.[2]
Rreth të krishterëve të parë nuk dihet shumë, sepse ata ishin të detyruar t’a fshihnin besimin e tyre për shkak se përndiqeshin dhe dhunoheshin, si nga hebrenjtë ashtu edhe nga romakët idhujtarë të cilët sundonin në atë kohë. Ama, shihet një tendencë për t’u përhapur jashtë rrethit të Beni Israilëve te ata popuj të cilët nuk e kishin trashëgimi njësimin e Allahut siç e kishin Beni Israilët.
Vijon………
———————————–
[1] Fjala Hauarij është si fjala Ensarë dhe do të thotë; përkrahësit e Profetit. Me të parën janë quajtur përkrahësit e profetit Isa -alejhi selam-, ndërsa me të dytën përkrahësit e profetit Muhamed -alejhi selam-.
[2] Shih ‘Tefsir Ibn Kethir’ të sures Jasin: 6/573.
Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve