Mirësia e strehës dhe veshjes

February 14, 2022

Mirësia e strehës dhe veshjes

Allahu i Madhëruar në suren En-Nahl thotë:

وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُمْ مِنْ بُيُوتِكُمْ سَكَنًا وَجَعَلَ لَكُمْ مِنْ جُلُودِ الْأَنْعَامِ بُيُوتًا تَسْتَخِفُّونَهَا يَوْمَ ظَعْنِكُمْ وَيَوْمَ إِقَامَتِكُمْ وَمِنْ أَصْوَافِهَا وَأَوْبَارِهَا وَأَشْعَارِهَا أَثَاثًا وَمَتَاعًا إِلَى حِينٍ

“Allahu u ka bërë nëpërmjet shtëpive tuaja banesa, dhe u ka bërë gjithashtu prej lëkurave të kafshëve shtëpi që mbarten lehtë në udhëtim dhe në qëndrim. Ai nëpërmjet leshit, pushit dhe qimeve të tyre u ka bërë plaçka dhe mjete që t’i përdorni deri në një kohë.”

Pastaj thotë:

وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُمْ مِمَّا خَلَقَ ظِلَالًا وَجَعَلَ لَكُمْ مِنَ الْجِبَالِ أَكْنَانًا وَجَعَلَ لَكُمْ سَرَابِيلَ تَقِيكُمُ الْحَرَّ وَسَرَابِيلَ تَقِيكُمْ بَأْسَكُمْ كَذَلِكَ يُتِمُّ نِعْمَتَهُ عَلَيْكُمْ لَعَلَّكُمْ تُسْلِمُونَ

“Allahu (gjithashtu) u ka bërë prej atyre që ka krijuar hije, u ka bërë streha nëpër male, u ka bërë këmisha për t’u mbrojtur nga vapa dhe këmisha për t’u mbrojtur në luftë. Kështu, Ai i përsos begatitë e Veta mbi ju me qëllim që t’i bindeni vullnetit të Tij.” Sure En-Nahl: 80-81.

Në këto ajete Allahu u kujton njerëzve mirësinë e strehës duke përmendur tre lloje strehësh, siç thotë shejhu i Islamit IbnTejmje (Allahu e mëshiroftë)[1]:

Lloji i parë: Strehët e banorëve të fshatrave dhe të qyteteve, apo qendrave të banuara.

Këto lloj strehësh janë shtëpi të ndërtuara prej bujqve, zejtarëve, tregtarëve etj. me mure dhe çati, dhe janë të palëvizshme në përshtatje me modelin e tyre të jetesës ngase ata nuk lëvizin shumë.

Lloji i dytë: Strehët e barinjve.

Këto lloj strehësh janë çadra të mbuluara me lëkura bagëtish dhe janë të lëvizshme në përshtatje me modelin e tyre të jetesës, sepse për shkak te bagëtive ata janë të detyruar të ndjekin kullotat dhe u duhen shtëpi të lehta dhe të lëvizshme. Allahu i Madhëruar në lidhje me këto lloj shtëpish, thotë: “Shtëpi që mbarten lehtë në udhëtim dhe në qëndrim.”

Lloji i tretë: Strehët e udhëtarëve.

Udhëtarët, sidomos ata të kohëve të hershme, në mungesë të banesave të ndërtuara nga dora e njerëzve përdorin për strehë ato natyralet, siç janë hijet e pemëve dhe zgavrat e kodrave apo të maleve.

Pastaj, Allahu i Madhëruar në këto ajete tregon edhe për një mirësi tjetër e cila përfitohet nga qimet e bagëtive dhe që janë plaçkat, mjetet dhe veshjet, duke përmendur tre lloje të ndryshme të tyre; leshi i deleve, pushi i deveve i cili është quajtur ashtu sepse është shumë i butë, dhe qimet e dhive të cilat janë quajtur ashtu sepse janë më të ashpra nga të gjitha llojet e përmendura.

Te plaçkat futen sendet e shtëpisë si; shtresat, mbulesat, perdet, jastekët etj.

Te mjetet futen; litarët, leqet, rripat, copëzat që shtrohen për shalë mbi kafshët e udhëtimit për të hipur mbi to etj.[2]

Ndërsa te veshjet futen këmishat të cilat janë përmendur qartë në ajet, dhe veshje të tjera të cilat gjithashtu përfitohen prej tyre.

Në fakt ato nuk përfitohen vetëm nga qimet e bagëtive sepse ato merren edhe nga pambuku dhe liri, por pambuku dhe liri kane qenë më pak të njohura në Arabi sepse ato janë bimë dhe kultivohen në ato vende ku ka bujqësi.

Nga ky përshkrim përfitohet si më poshtë:

E para: Mirësia e strehës dhe veshjes është prej Allahut të Madhëruar sepse Ai i’a referon ato Vetes së Tij, duke thënë: “Allahu u ka bërë juve…”, – pastaj përmend llojet e tyre. Këto mirësi janë prej Tij edhe kur në to futet dora e njeriut si p.sh.; shtëpitë të cilat ndërtohen me tulla e llaç pastaj mbulohen me çati të drunjta. Po ashtu edhe çadrat sepse lëkurat e bagëtive kanë nevojë të regjen dhe të thahen, pastaj të vihen me rregull në skelete druri që të formohen çadrat. Po ashtu edhe rrobat, origjina e tyre janë pëlhura të endura nga njeriu pas tjerrjes së leshit, pushit dhe qimeve të bagëtive.

Edhe pse në të gjitha këto raste futet edhe dora e njeriut ato prapë janë prej Allahut, sepse lënda e parë është krijim i Tij. Vet njeriu që merr pjesë në ndërtimin e tyre është krijim i Tij dhe po ashtu edhe dija që i duhet njeriut për t’a realizuar atë është prej Tij. Në suren El-Bekare kur përmendet historia e Ademit -alejhi selam- tregohet se Allahu  i Madhëruar i mësoi atij shumë gjëra që nuk i dinin as melaiket, dhe me shumë gjasa edhe çështja e strehës dhe e veshjes ka qenë prej atyre mësimeve sepse streha dhe veshja është jetike për njeriun.

Pra, Allahu i Madhëruar i ka mësuar njeriut si të ndërtojë shtëpi duke përdorur dheun, ujin dhe kashtën për të bërë llaç e tulla. Pastaj drurin për të bërë çati dhe se si të tjerrë leshin apo pambukun dhe të nxjerrë prej tyre fije, pastaj prej fijeve pëlhura dhe pastaj prej tyre të bëjë rroba. Edhe nëse këto detaje nuk kanë qenë në ato mësime, prapë dija e duhur për t’i bërë ato është prej Allahut. Allahu i Madhëruar e mëson njeriun edhe me mësime të drejtpërdrejta edhe me frymëzim. Ja si i thotë Allahu i Madhëruar Musait -alejhi selam- në suren Taha:

إِذْ أَوْحَيْنَا إِلَى أُمِّكَ مَا يُوحَى * أَنِ اقْذِفِيهِ فِي التَّابُوتِ فَاقْذِفِيهِ فِي الْيَمِّ

“Përkujto o Musa, kur i shpallëm nënës tënde atë që i shpallëm; * Vendose fëmijën në tabut dhe pastaj tabutin lëshoje në ujë.” Sure Taha: 38-39.

Shpallja në lidhje me nënën e Musait -alejhi selam- nuk është të folurit e Allahut drejtpërdrejt me të siç i ka folur të birit të saj kur u bë profet, por është frymëzimi i saj për t’a bërë atë punë. Nga femrat nuk njihet në histori se ka pas prej tyre profete.

Pra, çdo gjë është prej Allahut dhe kjo është fjala e Tij kur thotë:

اللَّهُ خَالِقُ كُلِّ شَيْءٍ وَهُوَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ وَكِيلٌ

“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe çdo gjë tek Ai mbështetet!” Sure Ez-Zumer: 62.

Fjala e tij [Krijuesi i çdo gjëje]  përfshin edhe rastin kur Ai krijon nga asgjëja edhe rastin kur Ai krijon nëpërmjet asaj që quhet lëndë e parë, sepse përndryshe nuk do të ishte Krijuesi i çdo gjëje.

Apo ajeti:

وَمَا بِكُمْ مِنْ نِعْمَةٍ فَمِنَ اللَّهِ ثُمَّ إِذَا مَسَّكُمُ الضُّرُّ فَإِلَيْهِ تَجْأَرُونَ

“Nuk ka ndonjë mirësi në mesin tuaj veçse është prej Allahut, dhe pastaj kur u prek e keqja te Ai drejtoheni duke bërtitur.”  Që do të thotë se çdo mirësi është prej Allahut të Madhëruar edhe pse njeriu përpiqet dhe orvatet për t’a fituar. Hallka lidhëse këtu është fakti se Allahu siç është krijuesi i çdo gjëje është edhe Rregullatori i çdo gjëje, kështu që asgjë nuk vjen te njeriu veçse me dijen dhe caktimin e Tij.

 E dyta: Zgjedhja e mirësisë së strehimit dhe të veshjes për t’u përmendur mes gjithë mirësive të shumta  të Allahut tregon për rëndësinë e madhe të tyre për njeriun.

Nevoja e njeriut për strehim dhe veshje është shumë e madhe. Njeriu nëse nuk vishet dhe nuk strehohet nuk jeton dot. Ai është krijuar në atë mënyrë sa e ka të domosdoshme të mbrohet edhe nga temperaturat e larta edhe nga temperaturat e ulëta. Njeriu nuk është krijesë me gëzof siç janë kafshët dhe prandaj atij i duhet patjetër të vishet dhe të strehohet.

Këtu në fakt është përmendur vetëm vapa apo nxehtësia dhe nuk është përmendur e kundërta e saj që është të ftohtit. Dijetarët mendojnë se ajeti ka ardhur kështu sepse në vendet e ngrohta vapa është më problem se të ftohtit, ndërsa disa të tjerë mendojnë se është përmendur vapa sepse ajo është më pak e rrezikshme për njeriun sesa të ftohtit, dhe është mjaftuar me atë sepse po u përmend ajo që është më pak e rrezikshme ajo tjetra futet automatikisht në kuptimin e saj[3].

Për shkak të kësaj rëndësie që ka streha dhe veshja për jetën e njeriut, ai që nuk i siguron dot ato e meriton të quhet i varfër. Një herë Abdullah bin Amr bin El-Asit -radiallahu anhu- i ankohet një burrë për varfëri, dhe ai e pyeti atë: “A ke grua dhe banesë? Burri i tha: Po. Abdullahi i tha: Ti qenke i pasur. Burri i tha: Kam edhe një shërbëtor. Abdullahi i tha: Atëherë ti qenke mbret.” E transmeton Muslimi.

Abdullahi -radiallahu anhu- i tha këto fjalë sepse ai që nuk i siguron dot gjërat elementare të jetesës si banesa, ai është i varfri të cilit i lejohet qoftë edhe të lypë dhe e meriton të ndihmohet nga të tjerët, sepse ai pa ato nuk jeton dot ndërsa të tjerët quhen të pasur.

E treta:  Si ana materiale e kësaj bote ashtu dhe dukuritë e saj nuk janë gjendur rastësisht dhe as ka gjë prej tyre pa ndonjë qëllim a urtësi prej Allahut të Madhëruar.

Kjo dobi përfitohet kur përmenden kafshët dhe çfarë ato mbajnë prej lëkurave dhe qimeve, hijet dhe zgavrat për të cilat Allahu i Madhëruar na tregon se janë prej Tij dhe pastaj tregon dhe dobinë e tyre.

Kjo që thuhet këtu na kujton ajetin:

وَمَا تَسْقُطُ مِنْ وَرَقَةٍ إِلَّا يَعْلَمُهَا وَلَا حَبَّةٍ فِي ظُلُمَاتِ الْأَرْضِ وَلَا رَطْبٍ وَلَا يَابِسٍ إِلَّا فِي كِتَابٍ مُبِينٍ

Nuk bie ndonjë gjethe veçse Ai e di atë. Edhe një farë në errësirat e tokës, e njomë apo e thatë veçse është në librin e qartë.” Sure El-En’am: 59.

Rënia e gjetheve është dukuri prej dukurive të kësaj bote, ama Allahu i Madhëruar e mohon rastësinë e saj duke thënë se çdo gjë është e paracaktuar prej Tij dhe e shënuar në librin e shënimeve ‘Leuhi Mahfudh’.

Ibn Abasi -radiallahu anhu- thotë: Nuk ka ndonjë pemë në tokë apo në det veçse ka një melek të caktuar për të, për të shkruar çfarë bie prej saj[4].

Ndërsa në një ajet tjetër thotë:

وَمَا خَلَقْنَا السَّمَاء وَالْأَرْضَ وَمَا بَيْنَهُمَا بَاطِلاً ذَلِكَ ظَنُّ الَّذِينَ كَفَرُوا فَوَيْلٌ لِّلَّذِينَ كَفَرُوا مِنَ النَّارِ

“Nuk e kemi krijuar qiellin, tokën dhe çfarë ka mes tyre kot. Ky është mendimi i mohuesve. Mjerë për ata që kanë mohuar nga zjarri.” Sure Sad: 27.

Në këtë ajet Allahu i Madhëruar mohon kotësinë në krijim dhe që është veprimi pa ndonjë qëllim a urtësi, sepse kjo nuk i shkon për shtat Atij dhe dijes së Tij të pakufishme. Dhe kështu janë edhe dukuritë e lartpërmendura.

E katërta: Këmishat janë veshje të hershme sepse fjala e përdorur në ajet për të treguar për to është fjala “Sirbál”. Dijetarët e gjuhës arabe thonë:  Sirbál do të thotë këmishë e çfarëdo lloji qoftë ajo dhe prandaj përdoret edhe për ato të luftës.

Këmishat për të cilat bëhet fjalë në ajet janë këmishat e gjata dhe të bollshme në trup, jo të ngushta. Këmishat janë përmendur edhe në suren Jusuf kur Allahu i Madhëruar tregon për vëllezërit e Jusufit dhe thotë:

وَجَاءُوا عَلَى قَمِيصِهِ بِدَمٍ كَذِبٍ

“Ata e sollën këmishën e tij me gjak të rremë.” Sure Jusuf: 18.

Kjo ngjarje ka ndodhur në kohën e Jakubit -alejhi selam- para se ai të shpërngulej për në Egjipt, dhe i bie të ketë qenë shumë kohë para se të dërgohej Muhamedi -alejhi selam-.

Këmisha është përmendur në historinë e Jusufit -alejhi selam- edhe pas mbërritjes së tij në Egjipt, kur thuhet për gruan e vezirit:

وَقَدَّتْ قَمِيصَهُ مِنْ دُبُرٍ

“Ajo i’a grisi këmishën atij nga mbrapa.” Sure Jusuf: 25.

Fjala e përdorur në ajet për të treguar veprimin e grisjes është folja [kadde] dhe është grisje për se gjati, siç thonë dijetarët e gjuhës arabe dhe që në gjuhen tonë do të thotë; ia rreckosi atij këmishën. Të gjitha këto të japin përshtypjen e një këmishe të gjatë. Allahu e di më së miri!

Esh-Sheukani, dijetari i njohur i fikhut kur tregon për këmishën, thotë: Këmisha është quajtur këmishë sepse njeriu hyn në të për t’u mbuluar[5].

Ummu Seleme -radiallahu anha- thotë  për Profetin -alejhi selam-: “Rroba më e dashur për të ka qenë këmisha.” E transmeton Tirmidhiu, EbuDaudi, Ibn Maxhe, dhe e saktëson shejh Albani.

El- Menauij, një prej komentuesve të haditheve të profetit Muhamed -alejhi selam- në lidhje me këtë veprim të tij thotë: Ai e pëlqente atë më shumë se të tjerat si p.sh. izari dhe ridaja (dy copa me të cilat mbështilleshin zakonisht arabët e hershëm dhe që sot më shumë i veshin haxhilerët), sepse këmisha është më mbuluese për auretin dhe më e lehtë në veshje.

Kur përmend këtë adet profetik ndërkohë që arabët më shumë vishnin izar dhe rida, ai thotë: “Fakti që ata më shumë vishnin ato nuk bie ndesh me faktin se profeti më shumë vishte këmishë, sepse gjendja e tij varej nga urdhërat që i vinin dhe me ndjekjen e shembullit të baballarëve dhe vëllezërve të tij prej profetëve dhe të dërguarve. Në çdo rast kur atij nuk i vinte shpallja me ndonjë urdhër të ndryshëm dhe jo me adetin e arabëve dhe veshjet e tyre, edhe pse në përgjithësi veshja e izarit dhe ridasë nuk do të thotë se ata nuk vishnin edhe këmisha sepse veshja e këmishës nuk e pengon veshjen e të trejave.”[6]    

E pesta: Allahu i Madhëruar në këto ajete nuk ka përmendur ndonjë urdhër për t’u veshur, sepse në to bëhet fjalë për veshjen si mbrojtje për trupin dhe njeriu këtë e bën nxitur nga nevoja për t’u veshur pa pasur nevojë për urdhër. Prandaj, Allahu i Madhëruar është mjaftuar vetëm duke i’a kujtuar njeriut se ato janë mirësi prej Tij duke thënë: “Kështu, Ai i përsos begatitë e Veta mbi ju.”[7]

E gjashta: Allahu i Madhëruar i’a kujton njeriut mirësinë e strehimit dhe veshjes pa të cilat ai nuk jeton dot, për t’i nxitur ata t’i nënshtrohen vullnetit të Tij, urdhërave dhe ndalesave duke i thënë: “Kështu, Ai i përsos begatitë e Veta mbi ju me qëllim që t’i bindeni vullnetit të Tij.”

Kjo është mëshirë e madhe prej Allahut të Madhëruar që të përfitojnë të gjithë njerëzit, të nënshtruarit dhe jo të nënshtruarit. Po të ishte thënë e kundërta d.m.th.; Nënshtrojuni që t’ju jap mundësinë e strehës dhe veshjes, – shumica e njerëzve do të kishin mbetur pa strehë dhe pa veshje dhe kështu ata do të merrnin fund. Pra, Allahu e la mundësinë për të gjithë dhe u mjaftua duke i nxitur ata për nënshtrim, duke ua kujtuar se ato mirësi janë prej Tij.

 

Dr. Abdullah Nabolli

—————————————-

[1] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’ të Ibn Tejmije: 12/255.

[2] Shih tefsir ‘Et-Tahrir ue Et-Tenuir’: 14/239.

[3] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 15/217.

[4] Shih tefsir ‘Ibn Ebij Hatim’: 4/1304.

[5] Shih librin ‘Nejl El-Eutar’: 2/125.

[6] Shih librin ‘Fejd El-Kadir’: 5/82.

[7] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 15/218.

Loading...