Muaji Rexheb është muaji i mbjelljes dhe hedhjes së farave

February 23, 2022

Pyetje: Në fjalët e gjeneratave të hershme (selefëve) thuhet se muaji Rexheb është muaji i mbjelljes dhe hedhjes së farave. Pyetja ime është; çfarë duhet të mbjellë muslimani në këtë muaj?

Falënderimi i takon Allahut.

Së pari: Muaji Rexheb është një nga muajt e shenjtë për të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj (hënor) në regjistrin e Allahut, (nga) dita kur Ai krijoi qiejt dhe tokën. Nga këto katër janë të shenjta. Kjo është feja e drejtë prandaj mos i bëni padrejtësi vetes gjatë tyre. Luftoni kundër jobesimtarëve kolektivisht ashtu siç luftojnë ata kundër jush kolektivisht. Dhe dijeni se Allahu është me të devotshmit (të cilët i frikësohen Atij).” Et-Teube: 36.

Muajt ​​e shenjtë janë: Rexhebi, Dhul-Ka’de, Dhul Hixhe dhe Muharrem.

Buhariu (4662) dhe Muslimi (1679) transmetojnë nga Ebu Bekrah se Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Koha është kthyer në rendin e saj origjinal siç ishte në ditën kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën. Viti është dymbëdhjetë muaj, nga të cilët katër janë të shenjtë tre muaj radhazi; Dhul-Ka’de, Dhul-Hixhe, Muharrem, dhe Rexhebi i Mudarit i cili vjen në mes të Xhumadës dhe Shabanit.”

Këta muaj quhen të shenjtë për dy arsye:

1-  Për shkak të ndalimit të luftës gjatë tyre, përveç nëse e fillon armiku.

2 – Sepse tejkalimi i kufijve (të ndaluarave) gjatë këtyre muajve është më i rëndë se në muajt e tjerë.

Prandaj, Allahu i Lartësuar na ndaloi të bëjmë mëkat gjatë këtyre muajve, siç thotë në Kuran: “Prandaj mos i bëni padrejtësi vetes gjatë tyre.” Et-Teube: 36.

Ndonëse kryerja e mëkatit është e ndaluar si gjatë këtyre muajve po ashtu dhe përgjatë muajve të tjerë, por në këta muaj ndalimi është më i prerë.

Es-Sadi në Tefsirin e tij ka thënë: “Prandaj mos i bëni zullum vetes gjatë tyre.” Ndoshta përemri  u referohet dymbëdhjetë muajve dhe Allahu i Lartësuar ka njoftuar se i ka bërë muajt një mjet për matjen e kohës, kështu që koha duhet të jetë e mbushur me akte bindjeje. Duhet falënderuar Allahu për këtë mirësi që i ka bërë muajt mjet për t’u shërbyer interesave të njerëzve, prandaj le të kenë kujdes që t’i bëjnë padrejtësi vetes gjatë këtyre (dymbëdhjetë) muajve. Ose mund të ndodhë që përemri i referohet katër muajve të shenjtë dhe se ky është një ndalim për t’i bërë keq vetes gjatë tyre, veçanërisht kur ky ndalim zbatohet gjatë gjithë kohës. Këta muaj janë tepër të veçantë dhe keqbërja në atë kohë është më e rëndë se në kohë të tjera.

Së dyti: Muaji Rexheb shënon fillimin e përgatitjeve për Ramazan.

Dijetarët e krahasojnë vitin dhe atë që ai përmban prej sezoneve dhe rasteve të veçanta me disa gjëra. Sezoni më i madh e më i veçantë është muaji i Ramazanit, prandaj Islami na nxit që të bëjmë sa më shumë vepra të mira gjatë këtij muaji.

Një nga gjërat më të rëndësishme është përgatitja për kryerjen e veprave të mira para muajit të Ramazanit. Dijetarët e caktuan muajin Rexheb si fillimin e përgatitjeve për muajin e Ramazanit. Është sikur të thuash se viti është një pemë, ku gjethet e tij fillojnë të shfaqen në muajin Rexheb, fruti i tij fillon të shfaqet në muajin Shaban dhe njerëzit i mbledhin frutat gjatë muajit të Ramazanit.

Pra, njeriu duhet të përgatitet duke bërë vepra të mira në Rexheb dhe t’i kushtojë vëmendje të shtuar për t’i përsosur ato në Shaban, në mënyrë që ai të jetë në gjendje t’i bëjë në mënyrë të përsosur në Ramazan.

Dijetarët e kanë shprehur në disa mënyra këtë kuptim dhe fjalët e tyre e pohojnë këtë gjë.

Thuhej se Rexhebi është që njeriu të mos ndiejë vrazhdësi, Shabani është për përpjekje dhe plotësim, kurse Ramazani është për vërtetësi dhe pastërti.

Rexhebi është muaji i pendimit, Shabani është muaji i dashurisë, dhe Ramazani është muaji i afrimit me Allahun.

Rexhebi është muaji i shenjtërisë, Shabani është muaji i shërbimit, dhe Ramazani është muaji i mirësive.

Rexhebi është muaji i adhurimit, Shabani është muaji i largimit nga kjo botë, kurse Ramazani është muaji i shtimit.

Rexhebi është muaji në të cilin Allahu e shumëfishon shpërblimin e veprave të mira, Shabani është muaji i shlyerjes së veprave të këqija, dhe Ramazani është muaji i pritjes së dhuratave dhe nderimeve.

Rexhebi është muaji i atyre që garojnë, Shabani është muaji i atyre që janë mesatar, dhe Ramazani është muaji i mëkatarëve (në të cilin ata mund të përmirësojnë rrugën e tyre).

Dhun-Nun el-Misri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Rexhebi është muaji i heqjes dorë nga mëkatet, Shabani është muaji i kryerjes së veprave të bindjes, dhe Ramazani është muaji i pritjes së dhuratave dhe nderimeve. Pra, kushdo që nuk heq dorë nga mëkatet, nuk bën akte bindjeje dhe nuk pret dhurata dhe nderime, është nga njerëzit që kanë si preokupim kryesor çështjet e parëndësishme.

Ai (Allahu e mëshiroftë) gjithashtu ka thënë: Rexhebi është muaji i mbjelljes, Shabani është muaji i ujitjes dhe Ramazani është muaji i korrjes. Secili do të korrë atë që ka mbjellë dhe do të shpërblehet për atë që ka bërë, kështu që ai që lë pas dore të korrat e tij do të pendohet në ditën e korrjes dhe nuk do të marrë atë që priste.

Një nga të devotshmit thoshte: Viti është si një pemë; Rexhebi është koha kur shfaqen gjethet e saj, Shabani është koha kur shfaqen frutat e saj dhe Ramazani është koha kur mblidhen frutat. “El Gunietu” El-Xhilani (1/326).

Ibn Rexhebi në ‘Letaif el-Ma‘arif’ (fq 121) ka thënë: Muaji Rexheb është çelësi i muajve të mirësisë dhe bekimit.

Ebu Bekr el-Verrak el-Belhi ka thënë: Muaji Rexheb është muaj për mbjellje, muaji Shaban është muaj për ujitjen e të mbjellave dhe Ramazani është muaji për korrje.

Gjithashtu, është transmetuar se ka thënë: Shembulli i muajit Rexheb është si ai i erës, shembulli i Shabanit është si ai i resë, dhe shembulli i Ramazanit është si ai i shiut.

Njëri prej të parëve ka thënë: Viti është si një pemë; muaji Rexheb është koha kur shfaqen gjethet, Shabani është koha kur shfaqen frutat, Ramazani është koha kur mblidhen frutat dhe besimtarët janë ata që mbledhin frutat.

Është me vend dhe duhet që ai u cili i ka nxirë faqet e punëve  me mëkat t’i zbardhë ato duke u penduar gjatë këtij muaji. Ndërsa ai që e ka humbur jetën në përtaci t’a shfrytëzojë sa më shumë atë pjesë që i ka ngelur nga jeta.

Ndaj, ndriçojini faqet tuaja të errëta në Rexheb me vepra të mira që do t’ju shpëtojnë nga flakët.

Ky është një nga muajt e shenjtë, kështu që ai i cili i lutet Allahut nuk do të zhgënjehet.

Përgëzimi i takon atij që bën një vepër të mirë dhe të sinqertë në këtë muaj, dhe heq dorë nga paturpësia dhe çështjet e dyshimta. Shfrytëzimi i kësaj mundësie gjatë këtij muaji duke u përpjekur në maksimum është fitim, dhe shfrytëzimi sa më i mirë i kohës duke bërë ibadet dhe bindje është një virtyt i madh.

Pra, njeriu duhet të mbjellë shumë fara të mira dhe të bëjë shumë vepra të drejta. Këto janë farat që ai duhet të mbjellë gjatë jetës së tij, duke shpresuar në ditën e korrjes kur të takohet me Zotin e botëve me një grumbull veprash të mira.

Ndër gjërat më të rëndësishme që një person mund të bëjë në Ramazan janë:

  1. Namazi, si namazet e detyrueshme ashtu edhe ato vullnetare (nafile), veçanërisht namazet vullnetare gjatë natës.
  2. Agjërimi.
  3. Bamirësia.
  4. Leximi i Kuranit.
  5. Dhikri.

Dhehebiu ka thënë: Pasha Allahun se; leximi i një të shtatës së Kuranit në namazin e natës së bashku me faljen e vazhdueshme të namazeve të rregullta sunet, faljen e Duhasë dhe namazin kur hyn në xhami (tehijet el-mesxhid), leximi i dhikreve të transmetuara, duaja para se të flesh dhe kur zgjohesh, dhikret që duhen lexuar pas namazit farz dhe në kohën para agimit. Studimi i njohurive të dobishme dhe fokusimi në to sinqerisht për hir të Allahut, urdhërimi për të mirën, udhëzimi dhe mësimi i atij që është injorant, qortimi i atij që është keqbërës e kështu me radhë, falja e namazit farz me xhemat me përqëndrim, qetësi, përulje dhe besim. Kryerja e të gjitha detyrave të detyrueshme dhe shmangia e mëkateve të mëdha duke bërë shumë lutje dhe istigfar, dhënia e bamirësisë dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore. Të tregosh përulësi dhe sinqeritet në të gjitha këto ska dyshim se është një detyrë madhore dhe është rruga e atyre që do të jenë në të djathtë, rruga e miqve të ngushtë  e të devotshëm të Allahut. “Sijeru Alami Nubela” (3/84).

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...