Përcjell imam Muslimi nga Ebu Dherri (radijAllahu anhu), e ky nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Për çdo nyje që ka secili prej jush në trupin e tij kërkohet të jepet sadaka. Kështu që; çdo tesbih është sadaka, çdo tehmid është sadaka, çdo tehlil është sadaka, çdo tekbir është sadaka, urdhërimi për të mirë është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka. Të gjitha këto i kryen (zëvendëson) falja e dy rekateve në kohën e paradites (duhasë)”.
Kuptimi i fjalëve:
-“çdo tesbih është sadaka” d.m.th. fjala “SubhanAllah” konsiderohet sadaka.
-“çdo tehmid është sadaka” d.m.th. fjala “El-hamdulil-lah” konsiderohet sadaka.
–“çdo tehlil është sadaka” d.m.th. fjala “la ilahe il-lAllah” konsiderohet sadaka.
-“çdo tekbir është sadaka” d.m.th. fjala “Allahu ekber” konsiderohet sadaka.
-“urdhërimi për të mirë është sadaka” d.m.th. urdhërimi për punë të mira konsiderohet sadaka. “El-Ma’ruf” është emër përmbledhës i çdo gjëje që Allahu i Madhëruar e do dhe është i kënaqur me të.
-“ndalimi nga e keqja është sadaka” d.m.th. ndalimi nga e keqja konsiderohet sadaka. “El-Munker” është emër i përgjithshëm i çdo gjëje që Allahu i Madhëruar e urren.
-“Të gjitha këto i kryen (zëvendëson) falja e dy rekateve në kohën e paradites (duhasë)” d.m.th. nëse njeriu nuk mundet t’i kryej veprat e mësipërme, atëherë le të falë dy rekate namaz në kohën e paradites (duhasë) dhe kjo i zëvendëson ato.
Këshillë: Vëlla i dashur! Mos e privo veten tënde nga këto sadaka që përmenden në hadith. Angazhoje gjuhën tënde me përmendjen e Allahut të Madhëruar në çdo kohë, në çdo vend, kur ecën, kur je ulur ose shtrirë, në mënyrë që të jesh prej atyre për të cilët Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë.” Al Imran: 191.
Vlera e përmendjes së Allahut të Madhëruar:
Përmendja e Allahut të Madhëruar është vepra më e dashur tek Ai. [1]
Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej shkaqeve të shpëtimit në dynja dhe botën Tjetër. [2]
Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej shkaqeve të faljes së mëkateve, edhe nëse janë sa shkuma e detit. [3]
Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej veprave më të rënda (në shpërblim) tek Allahu i Lartësuar. [4]
Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej veprave më të mira tek Ai (Allahu).
Përmendja e Allahut të Madhëruar është thesar prej thesareve të Xhenetit. [5]
Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej fjalëve më të dashura tek Ai (Allahu). [6]
Përmendja e Allahut të Madhëruar është një vepër e lehtë por me shpërblime të mëdha.
Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej shkaqeve të hyrjes në Xhenet.
Përmendja e Allahut të Madhëruar të shpëton nga dënimi i Allahut në ditën e Kiametit. [7]
Përgatiti: Unejs Sheme
—————————————-
[1] Shënon Ibën Hibani (818) dhe e ka saktësuar Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë).
[2] Allahu thotë: “Dhe përmendeni shumë Allahun në mënyrë që të shpëtoni.” El-Xhumuah: 10.
[3] Mutefekun alejhi. Transmeton Buhariu (6405) dhe Muslimi (2691).
[4] Mutefekun alejhi. Transmeton Buhariu (6406) dhe Muslimi (2694).
[5] Mutefekun alejhi. Transmeton Buhariu (4205) dhe Muslimi (2704).
[6] Shënon Muslimi (2731).
[7] Shënon imam Ahmedi (36/379) dhe Trimidhiu (3377). Hadithin e ka saktësuar Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë).
Dosje: Lëmoshë, Sadakaja, Tesbih
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve