Shenjtërimi i Qabes dhe i gjithë Mekës

May 21, 2022

Shenjtërimi i Qabes dhe i gjithë Mekës.  

Porosia e Allahut të Madhëruar për ta mbajtur të pastër Qaben u shoqërua gjithashtu edhe me shenjtërimin e saj dhe të gjithë Mekës, qytetin i cili e përmban atë.

Qabja është quajtur në Kuran si; Shtëpia e Shenjtë, Xhamia e Shenjtë dhe Shtëpia e Shenjtëruar, çfarë tregon se kjo ndërtesë është e shenjtë.

Shenjtërimi i Qabes do të thotë se thyerja e rregullit në këtë vend nuk është si thyerja e tij në ndonjë vend tjetër. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

وَمَنْ يُرِدْ فِيهِ بِإِلْحَادٍ بِظُلْمٍ نُذِقْهُ مِنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ

“Kush synon në këtë vend devijimin nga e drejta dhe padrejtësinë ndaj të tjerëve, e bëjmë të shijojë dënim të dhembshëm.” Suretu El-Haxh: 25.

Në këtë ajet shihet qartë se Allahu i Madhëruar e kërcënon me dënim të dhembshëm këdo që synon ta prishë shenjtërinë e saj edhe pa e bërë atë, sepse kjo është domethënia e fjalës synim. Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- në lidhje me këtë domethënie thoshte: “Sikur një burrë të synojë një gjynah, nuk i shkruhet atij për gjynah pa e bërë atë. Ndërsa, sikur një burrë të synojë të vrasë dikë në Qabe edhe nëse ai është në Aden (vend në Jemen), Allahu do ta bëjë atë të shijojë dënimin e dhembshëm.” E transmeton Ahmedi, Hakimi etj. me zinxhir të saktë.

Qabja është vend i shenjtë dhe veprat e këqija në këtë vend janë më të shëmtuara se në vendet e tjera, dhe po ashtu edhe dënimet për to janë më të rënda se në vendet e tjera. Këto dënime mund të jenë edhe të vonuara për në Ahiret edhe të përshpejtuara në dynja, në varësi të devijimit të kryer dhe llojit të tij.

Dënim të përshpejtuar në dynja për shkak të shkeljes së shenjtërisë së Qabes ka patur Abraha, mbreti i etiopianëve të Jemenit dhe ushtria e tij kur ata tentuan ta shembin Qaben për t’i larguar njerëzit nga madhërimi i saj. Ngjarja me etiopianët ka ndodhur para profetit Muhamed -alejhi selam- dhe Allahu i madhëruar i bëri ata shembull të dënimit të Tij. Ai në lidhje me këtë ngjarje zbriti edhe ajete Kurani për t’ua kujtuar njerëzve në çdo kohë se çdo të thotë prishja e shenjtërisë së Qabes, dhe ka thënë:

A nuk ke dëgjuar se çfarë bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit?! A nuk ua çoi atyre mundin kot dhe dërgoi kundër tyre tufa zogjsh, të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur dhe menjëherë i bëri si gjethe të ngrënë?!” Suretu El-Fijl: 1-5.

Në atë kohë edhe ata që e madhëronin Qaben, arabët para-Islamit ishin te devijuar, sepse ata siç dihet nga historia e përzienin adhurimin e Allahut në atë vend me adhurimin e idhujve. Mirëpo dënim të përshpejtuar patën vetëm etiopianët sepse devijimi i etiopianëve ishte më i shëmtuar pasi ata me veprimin e tyre u bënë armiq të atij vendi, ndryshe nga arabët të cilët e madhëronin atë.

Dënim tjetër i përshpejtuar është edhe ai i Isafit dhe Nailes, dy të shthurur të kohës së vjetër për të cilët Aishja -radiallahu anha- thotë: “Përherë kemi pas dëgjuar se Isafi dhe Naila kanë qenë një burrë dhe një grua nga fisi i Xhurhumit të cilët bënë zina në Qabe, dhe ata i shndërroi Allahu i madhëruar në dy gurë”. E transmeton Bezari.

Ndërsa shenjtërimi i Mekës është përmendur në ajetin ku Allahu e porosit profetin Muhamed -alejhi selam- t’ju thotë njerëzve:

إِنَّمَا أُمِرْتُ أَنْ أَعْبُدَ رَبَّ هَذِهِ الْبَلْدَةِ الَّذِي حَرَّمَهَا

“Jam urdhëruar të adhuroj vetëm zotin e këtij vendi të banuar i cili e ka shenjtëruar atë.” Suretu En-Nahl: 91.

Ibn Abasi dhe Katade thonë: Vendi i përmendur është Meka[1].

Lajmi për shenjtërimin e Mekës ka ardhur edhe në hadithet e Profetit -alejhi selam- siç tregon Ibn Abasi -radiallahu anhu-, se Profeti -alejhi selam- ditën e çlirimit të Mekës ka thënë:

Këtë qytet e ka shenjtëruar Allahu që nga dita kur krijoi qiejt dhe Tokën, dhe ai do të vazhdojë të jetë me të njëjtën shenjtëri prej Tij deri në ditën e Kiametit. Nuk i është lejuar askujt lufta në të para meje dhe nuk më është lejuar mua veçse në një pjesë të ditës, prandaj ai do të vazhdojë të jetë i shenjtë me të njëjtën shenjtëri prej Tij deri në ditën e Kiametit. Pemët gjëmbace të këtij vendi nuk këputen, kafshët e egra të tij nuk gjuhen, sendet e humbura nuk preken veçse me qëllim për t’i publikuar, dhe bari i saj nuk pritet.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith jep më shumë detaje rreth shenjtërimit të Mekës dhe përmban disa rregulla:

1- Shenjtërimi i Mekës është i hershëm që nga koha e krijimit të qiejve dhe Tokës, por si lajm për njerëzit është përcjellë nga Ibrahimi -alejhi selam- siç ka ardhur në një hadith tjetër ku Profeti thotë: “Ibrahimi e ka shenjtëruar Mekën dhe ka bërë dua për të.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

2- Prej shenjtërimit të Mekës është ndalimi i luftës në këtë vend, ndalim i cili vjen për shkak se në këtë vend është Shtëpia e Allahut, njerëzit vijnë aty për adhurimin e Tij dhe ata duhet të ndihen të sigurt. Allahu i madhëruar në lidhje me këtë domethënie thotë:

وَمَنْ دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا

Kushdo që futet në këtë shtëpi (në Qabe) është i sigurt.” Suretu Ali Imran: 97.

Ibn Abasi -radiallahu anhu- rreth këtij ajeti sqaron: Ky gjykim është për Qaben dhe për gjithë zonën e ndaluar përreth saj[2].

Nuk përjashtohet nga ky gjykim veçse ai i cili lufton për mbrojtje, sepse Allahu i madhëruar i ka përjashtuar në një ajet tjetër ku thotë:

وَلَا تُقَاتِلُوهُمْ عِنْدَ الْمَسْجِدِ الْحَرَامِ حَتَّى يُقَاتِلُوكُمْ فِيهِ فَإِنْ قَاتَلُوكُمْ فَاقْتُلُوهُمْ كَذَلِكَ جَزَاءُ الْكَافِرِينَ

Mos i luftoni mushrikët te Xhamia e Shenjtë derisa ata t’ju luftojnë juve atje! Nëse ata ju luftojnë atëherë i vrisni ata se kështu është shpërblimi i mohuesve.” Suretu El-Bekare: 191.

3- Lejimi i luftimit në Meke ka qenë vetëm për profetin Muhamed -alejhi selam- dhe vetëm për një moment të caktuar të ditës së çlirimit të saj, çfarë do të thotë se pas atij momenti shenjtëria e saj është kthyer siç ka qenë. Përjashtimi për profetin Muhamed -alejhi selam- është bërë për pastrimin nga idhujtaria dhe për kalimin e saj në duart e besimtarëve, për të mos qenë më nevoja të luftohet atje për këtë qëllim veçse nëse është mbrojtje siç u tha më lart.

4- Prej shenjtërimit të Qabes është edhe ndalimi i disa të lejuarave në vendet e tjera si; këputja e pemëve të cilat në hadith janë quajtur gjëmbace sepse ashtu janë shumica e pemëve në atë vend, gjuetia e kafshëve të egra, marrja e sendeve të gjetura dhe prerja e barishteve të saj.

 

Abdullah Nabolli

————————————————

[1]Shih ‘Tefsir Ibn Ebij Hatim’: 9/2937.

[2] Shih ‘Musned Ibn Xhad’: 1/266.

Loading...