Llojet e adhurimeve që kryhen në Qabe

May 25, 2022

Llojet e adhurimeve që kryhen në Qabe.

Në ajetet ku përmendet porosia e Allahut të Madhëruar për mbajtjen pastër të Qabes, përmenden edhe tre lloje adhurimesh të cilat kryhen te kjo shtëpi e Tij.

I pari: Tavafi.

Tavafi është një lloj adhurimi i cili përmban rrotullimin shtatë herë rreth Qabes, duke filluar nga këndi që mban gurin e zi të cilin duhet ta kesh në të majtë, dhe për të mbaruar në të njëjtin vend me qëllim që rrotullimi të jetë i plotë.

Ky rrotullim është respekt për Qaben dhe adhurim për Allahun e madhëruar, sepse shoqërohet me madhërime për Të e lutje dhe prandaj Profeti -alejhi selam- e ka quajtur atë namaz. Ibn Abasi -radiallahu anhu- thotë se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Tavafi rreth shtëpisë së Allahut është namaz, vetëm se Allahu i madhëruar e ka lejuar të flasësh. Prandaj, ai që flet le të flasë fjalë të mira.” Dhe në një transmetim tjetër thuhet; “… t’i pakësojë fjalët.”  E transmeton Nesaiu dhe Hakimi, dhe e saktëson shejh Albani.

Profeti -alejhi selam- me këto porosi do të thotë se; ai i cili bën tavaf duhet të preokupohet me madhërimin e Allahut dhe lutje siç preokupohet namazliu.

Tavafi si adhurim nuk duhet të ketë qenë para ndërtimit të Qabes, sepse ajo është ndërtesa e parë për adhurimin e Allahut të madhëruar në Tokë dhe mosekzistimi i ndonjë objekti tjetër më të hershem se ajo do të thotë mosekzistimi i këtij adhurimi para saj.

Gjithashtu, tavafi siç nuk është ligjësuar para ndërtimit të Qabes nuk është ligjësuar dhe për asnjë objekt tjetër veç saj, çfarë do të thotë se Qabja është vend i veçantë dhe simbolika e saj nuk është si simbolika e vendeve të tjera.

I dyti: Ngujimi për adhurim (Itikafi).

Ngujimi në Qabe është qëndrimi në të për adhurim më e pakta për një ditë e plotë, për të mos dalë prej saj veçse për gjëra të domosdoshme si; kryerja e nevojave biologjike, ngrënia, pirja, abdesi etj. si dhe nuk lejohet kontakti me gratë.

Qabja është shtëpia e Allahut të madhëruar dhe për këtë arsye vet qëndrimi në këtë shtëpi është adhurim dhe përkujtim për Allahun e madhëruar, si dhe mundëson gjithashtu kryerjen në këtë vend të adhurimeve të tjera si: dhikër, namaz, meditim etj. shpërblimi i të cilave aty është më i madh se në çdo vend tjetër.

Edhe ky lloj adhurimi nuk ka qenë para ndërtimit të Qabes e cila është xhamia e parë në Tokë, dhe nuk e shoqëron atë në këtë lloj adhurimi veçse dhe dy xhami të tjera të ndërtuara pas saj; Xhamia e Profetit -alejhi selam- në Medine dhe Xhamia Aksa në Palestinë. Profeti -alejhi selam- në lidhje me këtë realitet thotë: “Nuk ka ngujim (itikaf) veçse në tre xhami: Xhamia e Shenjtë (Qabja), Xhamia ime dhe Bejtul-Makdis.” E transmeton Bejhakiu dhe Tahauiu, dhe e saktëson shejh Albani.

Veçimi i këtyre xhamive për këtë lloj adhurimi është për shkak se këto xhami janë xhami të ndërtuara nga profetët e Allahut mbi bazën e devotshmërisë, thelbi i secilës ishte besimi i Allahut të vetëm, pa shok e rival, dhe përkushtimi ndaj Tij. Kjo karakteristikë ka bërë që edhe sevapet e punëve të mira në këto xhami të shumëfishohen – si do të vijë më poshtë – dhe prandaj qëndrimi në to merr vlerë të madhe. Për këtë arsye, tabi’ini dhe dijetari i njohur i Islamit Said bin El-Musejib -Allahu e mëshiroftë-thoshte: “Nuk ka ngujim (itikaf) veçse në një xhami profeti.” E transmeton Ibën Ebij Shejbe.

I treti: Namazi.

Namazi është një lloj adhurimi i cili përmban përmendjen e Allahut të madhëruar me: madhërime, lexime vargjesh nga libri i Tij, lutje, përkulje, ruku, sexhde, dhe së fundi selam.

Ky lloj adhurimi ndryshe nga dy të parët ka qenë edhe para ndërtimit të Qabes, sepse është përmendur për të gjithë profetët që nga koha e Ademit -alejhi selam- babait të njerëzimit.

Imam El-Meruezij, një prej dijetarëve të hershëm -Allahu e mëshiroftë- i cili ka shkruar për historikun e namazit, thotë: «Namazi ka qenë detyrë për Nuhun dhe për të gjithë profetët, si dhe për profetin tonë -alejhi selam-. Allahu i madhëruar i ka përmendur (në Kuran) profetët dhe i ka përshkruar duke thënë:

Këta janë ata të cilët i begatoi Allahu prej profetëve, prej pasardhësve të Ademit, prej atyre që i mbartëm me Nuhun, prej pasardhësve të Ibrahimit dhe të Israilit dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Atyre kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit binin në sexhde dhe qanin.

Kështu, Allahu njofton se të gjithë profetët i përkushtoheshin namazit, e adhuronin Allahun dhe afroheshin me të tek Ai, sepse më pas thotë:

Pastaj erdhën brezni që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta dhe ata pa dyshim se do të gjejnë dënim të madh.” Suretu Merjem: 58-59.[1]

Pra, të gjithë profetët e Allahut edhe para ndërtimit të Qabes e kanë njohur namazin, madje në shumë argumente është përmendur edhe ngjashmëria e namazeve të profetëve në formë dhe në kohën e kryerjes së tyre.

Për sa i përket ngjashmërisë në formë e shohim edhe në këto ajete se namazet e tyre përmbanin lexim vargjesh të librave të Allahut dhe sexhde. Ndërsa te porosia e lartpërmendur e Ibrahimit shohim edhe rukunë, kurse në fjalët e Profetit tonë -alejhi selam- shohim edhe lidhjen e duarve në namaz, sepse prej tij është transmetuar se ka thënë: “Ne profetët jemi urdhëruar të vendosim duart e djathta mbi të majtat në namaz.” E transmeton Tajalisiu dhe Ibn Hibani, dhe e saktëson shejh Albani.

Përsa i përket ngjashmërisë në kohën e kryerjes së namazeve është transmetuar nga Profeti (alejhi selam) se ka thënë: “Më ka prirë dy herë Xhibrili në namaz te shtëpia e Allahut, pastaj më tha: O Muhamed! Këto janë kohët e namazeve të profetëve para teje. Koha e tyre është mes këtyre dy kufijve.” E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Përderisa namazi është adhurim i hershëm dhe i kërkuar nga Allahu i madhëruar për të gjithë profetët, atëherë mbushja e shtëpisë së parë të Allahut me këtë adhurim do t’i përshtatej qëllimit të ndërtimit të saj më shumë se çdo adhurim tjetër. Prandaj dhe në porosinë e Allahut të madhëruar për Ibrahimin -alejhi selam- gjejmë përmendjen e këtij adhurimi.

Allahu i madhëruar pas ndërtimit të Qabes i dha shumë vlerë namazit në këtë vend, duke e shumëfishuar shpërblimin e kryerjes së tij në të.

Profeti -alejhi selam- thotë: “Një namaz në Xhaminë e Shenjtë (Qabes) është sa një qind mijë namaze në xhamitë e tjera.” E transmeton Ibn Maxhe dhe Ahmedi, dhe e saktëson shejh Albani.

Nuk i ngjan Qabes në këtë veçori veçse Xhamia e Profetit në Medine dhe Xhamia Aksa në Palestinë, për të cilat Profeti -alejhi selam- thotë:

“Një namaz në xhaminë time është sa një mijë namaze në xhamitë e tjera, me përjashtim të Qabes.” E transmeton Muslimi.

Dhe ka thënë: “Një namaz në xhaminë time është sa katër namaze në Bejtul-Makdis.” E transmeton Taberani, Hakimi, Bejhakiu, dhe e saktëson shejh Albani. Hadithi tregon se edhe në Xhaminë Aksa ka shumëfishim sevapesh për namazin, dhe përderisa katër namaze atje janë sa një namaz në Xhaminë e Profetit atëherë namazi i saj në lidhje me xhamitë e tjera i bie të jetë sa dy qind e pesëdhjetë namaze.

Këto janë adhurimet e përmendura në ajetin e porosisë së Allahut për mbajtjen pastër të Qabes, dhe nga përmendja e tyre përfitohet si më poshtë:

1- Tavafi, ngujimi dhe namazi janë nga adhurimet më të rëndësishme që kryhen në Qabe.

2- Tavafi rreth Qabes është adhurim për Allahun e madhëruar dhe respekt për shtëpinë e parë të Tij në Tokë.

3- Ngujimi në Qabe është adhurim për Allahun dhe mundësi për të përfituar nga begatia që përmban shtëpia e parë e Tij në Tokë.

4- Namazi është adhurim për Allahun, përkujtim i drejtpërdrejtë i Tij dhe shtyllë bazë e fesë së profetëve, çfarë e bën atë qëllimin kryesor të ndërtimit të xhamive në Tokë.

5-  Tavafi dhe ngujimi janë adhurime që nuk janë gjendur para ndërtimit të Qabes, çfarë do të thotë se ndërtimi i saj është shkaku i gjendjes së tyre. Ndërsa namazi është gjendur edhe para Qabes, por pas ndërtimi të saj u bë nga adhurimet kryesore të saj.

6- Tavafi është adhurim specifik për Qaben dhe nuk mund të kryhet veçse në Qabe, ndërsa ngujimi dhe namazi kryhen edhe në xhami të tjera por shpërblimi i tyre në Qabe është më i madh se në çdo vend tjetër.

————————————————-

[1] Shih librin e autorit me titull “Teadhim Kadris-Salat”: 1/113.

Loading...