A është vendosja e veroreve shirk në besim?

A është vendosja e veroreve shirk në besim?

Shirk në besim do të thotë ortakëri në besim dhe vendosja e veroreve është e tillë (ortakëri në besim), sepse njerëzit mendojnë se ato gjëra sjellin mbarësi dhe largojnë të keqen. Këto veprime janë të ndaluara në Islam, sepse besimi Islam është i ndërtuar mbi bazën e besimit të një Zoti të vetëm i cili është Allahu i Madhëruar. Vetëm Ai e sjell të mirën dhe vetëm Ai e largon të keqen.

Veprimet e lartpërmendura bien ndesh me këtë besim, dhe ato ndonjëherë mund të jenë shirk i madh dhe ndonjëherë shirk i vogël.

Janë shirk i madh nëse njerëzit besojnë se ato gjëra ndikojnë pa vullnetin e Zotit, sepse ata në këtë rast i kanë barazuar ato gjëra me Zotin në vullnet dhe në ndikim. Kush vdes me këtë lloj besimi ka vdekur me atë besim që Allahu nuk e fal, sepse ortakëria në besim është padrejtësi e madhe, shpifje ndaj Allahut dhe kundërshtim i plotë i realitetit të kësaj bote.

Janë shirk i vogël nëse njerëzit mendojnë se ato gjëra ndikojnë me vullnetin e Zotit, sepse ata në këtë rast i kanë bërë ato shkaqe të varura prej Tij dhe jo të barabarta me të. Ato në realitet nuk janë shkaqe të varura prej Tij për atë qëllim që mendojnë, sepse Allahu i Madhëruar nuk ua ka dhënë atyre këtë funksion. Atëherë, kush i beson se ato janë shkaqe të varura prej Allahut për mbarësi dhe fat pa qenë të tilla ka bërë shirk të vogël prej të cilit duhet të pendohet, dhe të kthehet tek adeti i profetëve të cilët nuk i lidhnin zemrat e tyre veçse me Zotin e gjithësisë.

E nëse dikush nga muslimanet i bën ato veprime, pa ndonjë besim të tillë si ky që përmendëm por thjesht duke ndjekur njerëzit, sërish ai ka bërë një veprim të ndaluar i cili nuk lejohet. Ne jemi ndaluar edhe nga përngjasimi me mushrikët (ata që në besimin e tyre kanë ortakëri) në adetet e tyre, qoftë edhe vetëm në anën e jashtme. Profeti Muhamed -alejhi selam- thotë: “Kundërshtojini mushrikët.” Pra, mos bëni adetet e tyre të cilat burojnë nga besimi i devijuar.

 

Dr. Abdullah Nabolli