Pyetje: Një grua e ka bashkëshortin e pasur. Pasuria e tij ka arritur nisabin (masën e caktuar nga sheriati), i ka kaluar viti dhe ka ardhur koha të japë zekatin. Gruaja e ka këshilluar dhe i ka thënë se e ka detyrë, por ai ka kundërshtuar dhe nuk do që ta japë zekatin. Ai i thotë: Kjo është pasuria ime dhe bëj çfarë të dua me të. Pas përpjekjeve pa dobi me bashkëshortin, gruaja e ka dhënë zekatin pa dijeninë e burrit, duke dashur kështu të ndryshojë të keqen me dorën e saj. A lejohet veprimi i gruas?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut, çojmë salavate mbi të dërguarin e Allahut, mbi familjen, shokët e tij dhe atë që e ndjek atë!
Në vijim:
Mosdhënia e zekatit nga kopracia dhe lakmia e tepërt është nga gjynahet e mëdha dhe veprat e shëmtuara. Transmeton Buhariu nga Ebu Hurejra, se Profeti, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kujt i jep Allahu pasuri dhe nuk jep zekatin, atëhere ajo pasuri do t’i shndërrohet në Ditën e Gjykimit në një gjarpër helmues, koka e të cilit është e zhveshur dhe ka dy njolla të zeza. Do ta shtrëngojë rreth qafe, pastaj do ta kapë për nofullën e poshtme dhe do t’i thotë: Unë jam kapitali yt, unë jam pasuria jote.”
Pastaj lexoi këtë ajet: “Ata të cilët bëjnë kopraci me atë që u dha Allahu nga të mirat e veta, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë kopraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka. Allahu është i njohur mirë më atë që veproni.” | Al Imran: 180.
Transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra, se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“Nuk ka ndonjë pasanik që nuk e jep zekatin e pasurisë së tij, vetëm se do të hidhet në xhehenem ku do t’i bëhen dy pllaka me të cilat i damkosen dy anët e tij dhe balli. Kjo derisa të gjykojë Allahu mes njerëzve në një ditë që është sa pesëdhjetë mijë vjet. Pastaj i tregohet rruga për në xhenet ose për në zjarr.
Nuk ka ndonjë pronar devesh që nuk jep zekatin e tij, vetëm se ai shtrihet (hidhet) para tyre (që ato t’a shkelin), në një tokë të sheshtë e të gjerë. Ato janë të mbushura dhe të majme, dhe sa herë kalon njëra vjen tjetra, derisa të gjykojë Allahu mes njerëzve në një ditë që është sa pesëdhjetë mijë vjet. Pastaj i tregohet rruga për në xhenet ose për në zjarr.
Nuk ka ndonjë pronar bagëtish që nuk e jep zekatin e tyre, vetëm se shtrihet (hidhet) para tyre në një tokë të sheshtë e të gjerë. Ato janë të mbushura dhe të majme, e shkelin atë me thundra dhe e godasin me brinjë. Lo me brirë të shtrembër e as shyta, derisa të gjykojë Allahu mes njerëzve në një ditë që është sa pesëdhjetë mijë vjet. Pastaj i tregohet rruga për në xhenet ose për në zjarr.”
Muslimani nuk është i lirë në pasurinë e tij, sepse Allahu ka urdhëruar për nxjerrjen e zekatit të pasurisë në librin e Tij, duke thënë: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë, t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat). Njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim. Allahu është Dëgjues, i Ditur.” | Et Teube: 103.
Allahu i Madhëruar ka bërë në pasurinë e të kamurve një pjesë të caktuar për njerëzit nevojtarë, kur ka thënë: “Dhe ata që nga pasuria ndajnë një pjesë të caktuar për lypësin dhe nevojtarin.” | El Mearixh: 24-25.
Në suren Edh Dharijat, Allahu i Lartësuar i ka përshkruar robërit e tij të devotshëm me kryerjen e namazit, dhe i ka lavdëruar për dhënien e zekatit me sjelljen e mirë dhe mbajtjen e lidhjeve farefisnore. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Nga pasuria e tyre kanë përcaktuar një pjesë për lypësin dhe të ngratin (që ka nevojë e nuk lyp).”
Shejh Uthejmini në “Mexhmu el fetaua” 18/14 ka thënë”: Ai është farz me unanimitet (ixhma) të muslimanëve. Kush e mohon obligimin e tij, ka mohuar fenë. Përveç nëse është i ri në fe ose i rritur në një zonë të largët nga dija dhe dijetarët, atëherë justifikohet por mësohet. Nëse pas mësimit sërish këmbëngul në mohimin e tij, atëherë konsiderohet i dalë nga feja. Ndërsa kush nuk e jep nga kopracia dhe parëndësia, këtu ka mospajtim mes dijetarëve. Disa kanë thënë se del nga feja, dhe kjo është një transmetim nga imam Ahmedi. Dhe disa të tjerë kanë thënë që nuk del nga feja por ka vepruar një gjynah të madh, dhe kjo e dyta është më e sakta. Argument se ai nuk konsiderohet i dalë prej feje është hadithi i Ebu Hurejrës, radiallahu anhu. … pastaj ka përmendur hadithin që e transmeton Muslimi.
Veprimi i gruas, pra nxjerrja e zekatit në vend të bashkëshortit të saj nuk vlen aspak dhe nuk është i saktë, derisa i zoti i pasurisë të japë leje për këtë. Kjo leje përmban nijetin e dhënies së zekatit dhe nijeti është kusht që puna të quhet e saktë.
Ka thënë Ibën Kudame në “El Mugnij” (4/88): Medhhebi i të gjithë fakihëve është që nijeti është kusht për dhënien e zekatit, për shkak të fjalës së Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Veprat vlerësohen sipas nijetit.”
Në “El meusua el fikhije el Kuvejtije” (Enciklopedia e fikhut kuvajtian) 21/145, shënohet: “Në borxhet e Allahut në pasuri absolute si; zekati, sadakaja dhe kefaratet (shlyerjet), lejohet autorizimi i tjetrit pavarësisht nëse ai që e ka në ngarkim është i aftë ta kryejë atë apo jo. Është detyrë nxjerrja e pasurisë nga i autorizuari, pavarësisht nëse kjo bëhet për të gjallin apo për të vdekurin. Veprimi për të gjallin nuk lejohet vetëm se me lejen dhe aprovimin e tij, sepse adhurimi ka nevojë për nijet dhe nuk quhet i kryer vetëm se me lejen e tij”.
Atëherë themi: Detyra e gruas është të vazhdojë ta këshillojë bashkëshortin dhe t’i kujtojë atij argumentet që përmendëm më sipër. Allahu është më i Dijshmi!
Autor: Shejh Halid Abdulmunim Er Rifaij
Përktheu: Teuta Xeka
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Drejtësia – Themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Zullumi – rrënuesi i popujve dhe shoqërive Dr. Fatmir Strumi
- Mashkulli dhe femra – Vazhdimësia e njerëzimit Udha e Besimtarëve
- Kur feja kthehet në tifozllëk dhe fanatizëm individësh Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Paralajmërimi i shejh AbdulAziz bin Baz nga fitneja e tebdiut dhe texhrihut Dr. Fatmir Strumi