Përkufizimi i jurisprudencës nga ana gjuhësore dhe terminologjike:
Jurisprudenca në termin gjuhësor ka të bëjë me të kuptuarit. Allahu i Lartësuar kur flet për popullin e Shuajbit tregon se ata i thanë Shuajbit: “Ne nuk kuptojmë shumë nga ato që ti thua.” | Hud: 91. Si dhe fjala e Allahut të Madhëruar: “Por ju nuk e kuptoni madhërimin e tyre.” | El Isra: 44.
Jurisprudenca në terminologji është njohja e dispozitave praktike juridike, të marra dhe të përfituara nga argumentet e detajuara. Ka raste kur jurisprudenca mund t’i referohet vetë dispozitave.
Burimet themelore të jurisprudencës:
1- Kurani famëlartë.
2- Konsensusi (ixhmai).
3- Suneti i pastër.
4- Kijasi (analogjia).
Lënda e jurisprudencës.
Lënda e jurisprudencës lidhet me veprimet e njerëzve përgjegjës në mënyrë të përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst fikhu përfshin dhe trajton marrëdhëniet e njeriut me Zotin e tij, me veten dhe me shoqërinë.
Ai trajton dispozitat praktike dhe çfarëdo që vjen prej fjalëve, veprimeve dhe kontratave të lëshuara dhe çdo sjellje tjetër të cilat janë dy llojesh.
E para: Rregullat e adhurimeve si; namazi, agjërimi, haxhi e të ngjashme.
E dyta: Rregullat mbi transaksionet: kontratat, veprimet, dënimet dhe krimet, garancitë dhe gjëra të tjera që synojnë të rregullojnë marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin.
Këto dispozita mund të përmblidhen si më poshtë:
1 – Dispozitat familjare nga fillimi i formimit të familjes e deri në fund të saj. Këtu përfshihen; dispozitat e martesës, shkurorëzimi, prejardhja, shpenzimet, trashëgimia e të ngjashme.
2 – Dispozitat për transaksionet financiare (civile) që kanë të bëjnë me transaksionet e individëve. Shkëmbimet e tyre përfshijnë; shitjen, qeranë, shoqëritë dhe të ngjashme.
3- Vendimet penale. Këto kanë të bëjnë me krimet e kryera nga njerëzit, shkeljet dhe dënimet që meritojnë.
4- Dispozitat e aktakuzave dhe gjyqësorit. Këto kanë të bëjnë me gjykimin e mosmarrëveshjeve, rastet, metodat e provës dhe të ngjashme.
5- Dispozitat ndërkombëtare. Këto kanë të bëjnë me rregullimin e marrëdhënieve mes shtetit Islam dhe vendeve të tjera për paqen dhe luftën, dhe marrëdhëniet e qytetarëve jomuslimanë me shtetin. Ai përfshin xhihadin dhe traktatet.
Frytet e njohjes së jurisprudencës:
Njohja e jurisprudencës dhe praktikimi sipas asaj që siguron drejtësinë e personit përgjegjës, në korrektësinë e adhurimit të tij dhe në drejtësinë e sjelljes së tij. Nëse robi reformohet, shoqëria reformohet. Rezultati në këtë botë është lumturia dhe jetesa e këndshme, dhe në botën tjetër është kënaqësia e Zotit dhe Xheneti.
Vlera e të kuptuarit të fesë dhe nxitjes për ta kërkuar dhe për ta arritur dijen.
Të kuptuarit e fesë është një nga veprat më të mira dhe një nga cilësitë më të vyera. Tekstet nga Kurani dhe Suneti e përmendin vlerën e dijes dhe inkurajojnë në kërkimin e saj. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh. Por prej çdo bashkësie një grup të mbetet mbrapa që të thellohet në mësimin e fesë, dhe të këshillojë popullin e vet pasi të kthehet nga lufta që t’i frikësohet Allahut.” | Et Teube: 122.
Ndërsa i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, i mundëson të kuptojë fenë.” Transmeton Buhariu me nr. 71 dhe Muslimi me nr. 1037.
Të gjitha të mirat varen nga kuptimi i fesë dhe kjo tregon rëndësinë e të kuptuarit, madhështinë e këtij statusi dhe pozitën e lartë të tij. Në një hadith tjetër i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Njerëzit janë si mineralet, më të zgjedhurit në injorancë janë më të zgjedhurit edhe në islam përderisa e kuptojnë fenë.”
Jurisprudenca ka një status të lartë në Islam dhe shkalla e shpërblimit të saj është e madhe. Kur muslimani i kupton çështjet e fesë së tij dhe i njeh të drejtat dhe detyrat që ka, ai do ta adhurojë Zotin me dituri dhe mendjemprehtësi, do t’i jepet sukses në të mira dhe lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.
Marrë nga libri: “El fikh el mujeser”
Shkruar nga grup dijetarësh.
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: fikhu, jurisprudenca