Nuk pranojnë ta falin Bajramin pas atyre që i kundërshtojnë në numrin e tekbireve?

April 19, 2023

Disa të rinj nuk pranojnë ta falin namazin e Bajramit pas atyre që i kundërshtojnë në numrin e tekbireve?

Shejh Muhamed ibn Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë), pasi që përmendi shtatë tekbiret që duhen bërë në rekatin e parë dhe pesë tekbiret që duhen marë në rekatin e dytë, tha:

Por nëse dikush bën diçka ndryshe duke marë pesë tekbire në të parin dhe pesë në të dytin, ose shtatë në të parin dhe shtatë në të dytin, sipas asaj që është transmetuar nga sahabët, për këtë Imam Ahmedi ka thënë: Shokët e Pejgamberit (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) janë kundërshtuar në lidhje me tekbiret (e namazit të Bajramit) dhe të gjitha pikëpamjet e tyre janë të pranueshme. Me fjalë të tjera, Imam Ahmedi mendonte se çështja ishte e gjerë dhe se nëse një person i bën këto tekbire në një mënyrë tjetër, sipas asaj që është transmetuar nga sahabët, atëherë nuk ka asgjë të keqe në këtë.

Ky është mendimi i vetë Imam Ahmedit – ai mendonte se nëse gjeneratat e hershme kishin dallime në lidhje me diçka, dhe nuk kishte tekst vendimtar në lidhje me të, atëherë të gjitha pikëpamjet ishin të pranueshme, sepse ai i respektonte dhe i nderonte pikëpamjet e sahabëve. Ai tha: Nëse nuk ka tekst vendimtar që mund të përjashtojë njërin nga mendimet, atëherë çështja është e gjerë.

Pa dyshim, kjo pikëpamje e Imam Ahmedit është një nga mënyrat më të mira për bashkimin e umetit dhe unitetin e tyre, sepse disa njerëz i marrin mendimet e kundërshtueshme të cilat ixhtihadi i mer parasysh si arsye për ndarje dhe mospajtim, deri në atë masë sa t’i konsiderojnë vëllezërit e tij si të devijuar në një çështje ku vetë ai mund të jetë i devijuar.

Ky është një pjesë e problemit që është përhapur gjerësisht në ditët e sotme, paçka se në ditët e sotme ka optimizëm për këtë zgjim në veçanti tek të rinjtë. Por ky zgjim mund të prishet dhe të kthehet në gjumë të thellë si rezultat i kësaj ndarjeje (përçarjeje), sepse secili prej tyre, nëse vëllai i tij nuk pajtohet me të për një çështje që i nënshtrohet ixhtihadit dhe për të cilën nuk ka tekst përfundimtar, ai shtyhet dhe fillon ta shajë dhe të flasë negativisht për të. Kjo është një sprovë që u sjell gëzim armiqve të këtij zgjimi.

Nëse çështja i nënshtrohet ixhtihadit, atëherë secili prej nesh duhet t’a justifikojë vëllain e tij për ixhtihadin e vet.

Nuk ka asgjë të keqe që të bëhen diskutime të qeta dhe të dobishme mes vëllezërve.

Them: Allahu e shpërbleftë me të mira Imam Ahmedin për këtë qasje të bukur, sepse nëse brezat e hershëm kanë pasur dallime në lidhje me një çështje dhe nuk ka pasur tekst përfundimtar, atëherë çështja është e gjerë dhe të gjitha pikëpamjet janë të pranueshme.

Përfundimi i citimit nga Sherh el-Mumti‘ (5/135-138)

Si do të vepronin këta njerëz nëse do të ishin falur pas Sahabëve të nderuar si Abdullah Ibën Mesudi, Ebu Musa el Eshari, Ebu Mesud el Bedri etj, të cilët kur e falnin namazin e Bajramit merrnin tre tekbire në rekatin e parë dhe tre tekbire në rekatin e dytë?!

A do ta braktisinin namazin pas këtyre njerëzve të mëdhenj?

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...