Çfarë është namazi i Bajramit dhe si falet ai?
Namazi i Bajramit është ai ku imami prezanton dhe i udhëheq njerëzit në faljen e dy rekateve. Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “Namazi i Fitër Bajramit është dy rekate dhe namazi i Kurban Bajramit është dy rekate, të plota dhe jo të shkurtëra, kështu është thënë nga goja e Pejgamberit tuaj. Ndërsa ai që trillon gënjeshtra është i shkatërruar”. Nesaiu, 1420 dhe Ibn Huzejme. Hadithi është klasifikuar si sahih nga shejh Albani në Sahih en-Nasai.
Ebu Se’idi ka thënë: I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dilte në ditën e Fitrit dhe Kurbanit në vendin e namazit dhe gjëja e parë që bënte ishte namazi. Buhariu, 956
Si ta falim namazin e Bajramit?
Në rekatin e parë imami mer tekbirin fillestar duke thënë: “Allahu Ekber” për të filluar namazin. Pas këtij tekbiri ai duhet të thotë edhe gjashtë apo shtatë tekbire të tjera, bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Tekbiret e namazit të fitrit dhe të Kurbanit janë shtatë tekbire në rekatin e pare dhe pesë tekbire në të dytin, përveç tekbirit të rukusë.” Ebu Davudi ndërsa shejh Albani e ka klasifikuar si sahih në Irva’ul-Galil, 639.
Pastaj imami duhet të lexojë suren el-Fatiha dhe pas saj është mirë të lexojë suren Kaf në rekatin e parë.
Në rekatin e dytë, ai ngrihet duke thënë tekbirin, dhe kur të jetë i ngritur plotësisht, ai duhet të thotë edhe pesë tekbire të tjera, pastaj të lexojë suren el Fatiha dhe më pas pëlqehet të lexohet surja El-Kamer.
Çfarë duhet lexuar në namazin e Bajramit?
Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) lexonte suren Kaf dhe suren el-Kamer gjatë dy Bajrameve. Përndryshe mund të të lexojë suren el-A’la në rekatin e parë dhe suren el-Gashije në të dytin, sepse është transmetuar nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ai e lexonte edhe suren el- A’la dhe el-Gashije në namazin e Bajramit.
Imami është mirë ta ringjallë Sunetin duke i recituar këto sure në mënyrë që muslimanët të njihen me traditën e Profeti salAllahu alejhi ve se-lem.
Mbajtja e hutbes pas namazit të Bajramit
Pas namazit, imami duhet t’u drejtohet njerëzve. Një pjesë e hutbes duhet t’u drejtohet posaçërisht grave, duke u treguar atyre për gjërat që duhet të bëjnë dhe duke u tërhequr vërejtjen për gjërat që duhet të shmangin, siç bënte Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Shih Fetava Erkan el-Islam nga Shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë), fq. 398; dhe Fetava el-Lexhneh ed-Daimeh, 8/300-316).
Përktheu: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Namazi me xhemat Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve