A lejohet të fal së bashku katër rekate sunet të drekës?

January 5, 2023

Pyetje: Selam alejkum! A lejohet të fal katër rekate sunet të drekës apo të ndonjë namazi tjetër, të gjitha bashkë dhe jo të ndara dy e nga dy siç bëjmë zakonisht?
Përgjigja: Alejkum selam. Namazet nafile apo sunet gjatë ditës apo gjatë natës janë dy e nga dy, siç ka ardhur në hadithin e Ibën Umerit se Profeti alejhi selam ka thënë: “Namazi i natës dhe i ditës është dy nga dy.” E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe etj. dhe e saktëson shejh Albani.
Mirëpo vet Ibën Umeri radiallahu anhu është transmetuar se falte gjatë ditës edhe katër nga katër rekate, siç e ka përcjellë Ibën ebi Shejbe me zinxhir të saktë. Pra kjo do të thotë se lejohet edhe falja me nga katër rekate.
Madje në një hadith ka ardhur si veprim profetik, siç tregon Ali bin ebi Talib radiallahu anhu:
“Profeti alejhi selam falte para drekes katër rekate dhe jepte selam në rekatin e fundit.” E transmeton Nesaiu dhe e saktëson shejh Albani.
Profeti alejhi selam sipas këtij versoni me shumë mundësi i ka falur këto katër rekate siç e falim namazin farz të drekës me dy tehijate, sepse hadithi i Aliut radiallahu anhu ka një shtesë ku thuhet: “Profeti alejhi selam falte para dreke katër rekate, pas saj dy rekate dhe para ikindie katër rekate, duke i ndarë mes tyre me selam melaikeve të afërt, profetëve dhe atyre që i ndjekin prej besimtarëve.” E transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Nesaiu, dhe e saktëson shejh Albani.
Fjala e tij “… duke i ndarë mes tyre me selam melaikeve të afërt, profetëve dhe atyre që i ndjekin prej besimtarëve”, ka për qëllim tehijatin e parë dhe jo selamin e mbarimit të namazit. Kjo ngase tehijati është ai i cili përmban selam për melaiket, profetët dhe besimtarët.
Kjo fetva është fetvaja e shejh Albanit e përmendur në librin “Es-Silsile Es-Sahiha” 1/477.
Dr. Abdullah Nabolli
Loading...