Adeti i mbulimit të auretit sipas librit të Allahut

March 17, 2022

Adeti i mbulimit të auretit sipas librit të Allahut!

Allahu i Madhëruar në Kuran në suren El-Araf, thotë:

يَابَنِي آدَمَ قَدْ أَنْزَلْنَا عَلَيْكُمْ لِبَاسًا يُوَارِي سَوْآتِكُمْ وَرِيشًا وَلِبَاسُ التَّقْوَى ذَلِكَ خَيْرٌ ذَلِكَ مِنْ آيَاتِ اللَّهِ لَعَلَّهُمْ يَذَّكَّرُونَ

O bijtë e Ademit! Ne ju zbritëm veshje të cilat ju mbulojnë vendet tuaja të turpshme dhe që janë zbukurim për ju. Ju zbritëm edhe petkun e devotshmërisë i cili është më i mirë. Këto janë disa shenja të Allahut që njerëzit të marrin këshillë.”

يَابَنِي آدَمَ لَا يَفْتِنَنَّكُمُ الشَّيْطَانُ كَمَا أَخْرَجَ أَبَوَيْكُمْ مِنَ الْجَنَّةِ يَنْزِعُ عَنْهُمَا لِبَاسَهُمَا لِيُرِيَهُمَا سَوْآتِهِمَا إِنَّهُ يَرَاكُمْ هُوَ وَقَبِيلُهُ مِنْ حَيْثُ لَا تَرَوْنَهُمْ إِنَّا جَعَلْنَا الشَّيَاطِينَ أَوْلِيَاءَ لِلَّذِينَ لَا يُؤْمِنُونَ

“O bijtë e Ademit, mos t’ju mashtrojë Shejtani siç i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e tyre të turpshme! Ai dhe shpura e tij u shohin prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.” Sure El-Araf: 26-27.

Këto dy ajete flasin rreth veshjes si etikë njerëzore për mbulimin e vendeve të turpshme, të cilat në gjuhën fetare i quajmë auret.

Ajeti i parë tregon për qëllimin e zbritjes së veshjes i cili është mbulimi i auretit dhe zbukurimi, dhe kjo është quajtur veshja e jashtme. Pastaj në ajet tregohet edhe për veshjen e brendshme e cila është devotshmëria, veshje që ruan shpirtin siç e ruan veshja materiale trupin.

Ndërsa ajeti i dytë tregon se Shejtani ka tentuar dhe tenton t’i sprovojë njerëzit për ta shkelur adetin e mbulimit të brendshëm dhe të jashtëm, që nga koha e njeriut të parë Ademit -alejhi selam-. Në ajet tregohet edhe për rrezikun e madh të Shejtanit ndaj njerëzve i cili favorizohet nga fakti se ai na sheh ndërsa ne nuk e shohim atë, dhe se viktimat më të shumta të tij janë ata që nuk besojnë në atë që ka ardhur prej Zotit.

 Nga ajetet e lartpërmendura përfitohet si më poshtë:

E para: Mbulimi i auretit është veprim me rëndësi për njerëzit, sepse Allahu i Madhëruar në lidhje me këtë veprim thërret me thirrjen “O bijtë e Ademit”.

Në Kuran ka disa thirrje dhe ato sipas përdorimit të tyre janë për tërheqjen e vëmendjes për ndonjë punë a mirësi, ose realitet të rëndësishëm me qëllim që dëgjuesi të dëgjojë me vëmendje dhe t’i kushtojë asaj rëndësinë e duhur.

Shembulli i një thirrjeje për një punë të rëndësishme është si ajeti:

يَاأَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ وَالَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O ju njerëz, adhuroni Zotin tuaj i Cili u krijoi juve dhe ata që ishin para jush me qëllim që t’i ruheni Atij.” Sure El-Bekare: 21.

Thirrja në këtë ajet është për adhurimin e Allahut është detyra kryesore për të cilën janë krijuar njerëzit dhe xhindët, dhe nëpërmjet saj fitohet kënaqësia e Allahut dhe shmanget zemërimi i Tij.

Ndërsa shembulli i një thirrjeje për të vënë në dukje një realitet të rëndësishëm është si ajeti që vijon:

يَاأَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنْثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوبًا وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ

O njerëz, Ne u kemi krijuar nga një mashkull dhe një femër dhe u kemi bërë popuj e fise që të njiheni. Më i shtrenjti prej jush te Allahu është më i devotshmi.” Sure El-Huxhurat: 13.

Thirrja në këtë ajet përcjell realitetin e barazisë së njerëzve para Allahut pa dallim race dhe fisi, sepse ata të gjithë kanë një prejardhje dhe janë bijtë e një çifti të vetëm. Dallim bëhet vetëm se me devotshmëri e cila fitohet me besim dhe punë të mira.

Ndërsa shembulli i një thirrjeje për të kujtuar një mirësi me rëndësi të madhe është te ajeti: “O bijtë e Ademit! Ne u zbritëm veshje të cilat u mbulojnë vendet tuaja të turpshme.”

Thirrja në këtë ajet është për të kujtuar rëndësinë e veshjes me të cilën njeriu mbulon pjesët e tij të turpshme nga sytë e të tjerëve.

Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun si shumë krijesa të tjera me organe jashtëqitjeje dhe organe riprodhimi. Organet e jashtëqitjes janë ato që nxjerrin jashtë pisllëqet dhe helmet e trupit të tij, të cilat vijnë nga ngrënia dhe pirja dhe kërkojnë prej tij një kujdes të veçantë që ai të ruaj shëndetin. Ndërsa organet e riprodhimit janë ato që bëjnë të mundshëm shtimin e llojit të njeriut dhe që janë të instaluara në të njëjtat vende ku janë edhe ato të jashtëqitjes.

Funksionet e këtyre organeve ia bëjnë të nevojshëm njeriut mbulimin e tyre, sepse ato në lidhje me procesin e jashtëqitjes ngjallin neveri për të tjerët, ndërsa në lidhje me procesin e riprodhimit ngjallin epsh dhe lindin për shkak të tij probleme të mëdha morale.

E dyta: Mbulimi i auretit është rregull i hershëm që nga koha e Ademit -alejhi selam-.

Ademi -alejhi selam- është i pari i njerëzve dhe thirrja e tyre me “O bijtë e Ademit”, duke ua përmendur atyre emrin e tij, tregon se ky adet i është kërkuar edhe Ademit edhe bijve të tij.

Allahu i Madhëruar në një rast tjetër kur u drejtohet njerëzve me këtë lloj thirrjeje, thotë:

أَلَمْ أَعْهَدْ إِلَيْكُمْ يَابَنِي آدَمَ أَنْ لَا تَعْبُدُوا الشَّيْطَانَ إِنَّهُ لَكُمْ عَدُوٌّ مُبِينٌ

“A nuk ua mora besën juve o bijtë e Ademit që të mos e adhuroni Shejtanin se ai është armiku juaj i hapur?”

Fjala “armiku juaj i hapur” për Shejtanin e cila u drejtohet bijve të Ademit, i është drejtuar edhe Ademit e Havasë që kur ata hynë në Xhenet, siç thuhet në ajetin:

فَقُلْنَا يَاآدَمُ إِنَّ هَذَا عَدُوٌّ لَكَ وَلِزَوْجِكَ فَلَا يُخْرِجَنَّكُمَا مِنَ الْجَنَّةِ فَتَشْقَى

“Ne i thamë Ademit: Ky është armiku yt dhe i bashkëshortes tënde, prandaj të mos u nxjerrë ai nga Xheneti që të mjeroheni.” Suretu Taha: 117. Kjo do të thotë se kur Allahu i thërret njerëzit me thirrjen “O bijtë të Ademit”, porosia që do të përcillet është veprim i kërkuar që nga koha e Ademit -alejhi selam-.

Përfshirja e Ademit dhe Havasë në rregullin e mbulimit të auretit duket mjaft qartë në ajetine dytë, ku thuhet: “O bijtë e Ademit, mos t’ju mashtrojë Shejtani siç i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme!”

Në këtë ajet përmendet edhe Xheneti që do të thotë se mbulimi i auretit ka qenë edhe kur Ademi dhe Havaja ishin në Xhenet. Kjo çështje më gjerësisht është përmendur në disa ajete të tjera para këtyre ajeteve të të njëjtës sure, ku thuhet:

فَوَسْوَسَ لَهُمَا الشَّيْطَانُ لِيُبْدِيَ لَهُمَا مَا وُورِيَ عَنْهُمَا مِنْ سَوْآتِهِمَا وَقَالَ مَا نَهَاكُمَا رَبُّكُمَا عَنْ هَذِهِ الشَّجَرَةِ إِلَّا أَنْ تَكُونَا مَلَكَيْنِ أَوْ تَكُونَا مِنَ الْخَالِدِينَ * وَقَاسَمَهُمَا إِنِّي لَكُمَا لَمِنَ النَّاصِحِينَ * فَدَلَّاهُمَا بِغُرُورٍ فَلَمَّا ذَاقَا الشَّجَرَةَ بَدَتْ لَهُمَا سَوْآتُهُمَا وَطَفِقَا يَخْصِفَانِ عَلَيْهِمَا مِنْ وَرَقِ الْجَنَّةِ

Shejtani u pëshpëriti atyre për t’ua zbuluar auretet të cilat i kishin të mbuluara, dhe u tha: Zoti juaj nuk ua ka ndaluar pemën vetëm që të mos bëheni si melaiket, apo të mos bëheni të përjetshëm. Ai iu betua atyre dhe u tha: Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë! Ai i mashtroi ata me dinakërinë e tij, dhe kur ata i shijuan frutat e pemës iu zbulua aureti dhe filluan të mbulohen me gjethet e Xhenetit.” Suretu El-Eraf: 20-22.

Uehb bin Munebih – një tabiin që ka përcjellë shumë histori të vjetra (Allahu e mëshiroftë – në lidhje me këtë ngjarje tregon: “Veshja e Ademit dhe e Havasë e cila ua mbulonte auretin ishte prej drite. Asnjëri prej tyre nuk shihte auretin e tjetrit deri kur hëngrën nga pema dhe u zbuluan auretet e tyre.” E transmeton Taberiu. Kështu thotë ky dijetar dhe Allahu e di më së mirë se prej çfarë materiali ka qenë ajo veshje. Me rëndësi është se ata ishin të veshur që në Xhenet, që do të thotë se veshja është porosi e Allahut të madhëruar që me krijimin e njerëzve të parë dhe adet i hershëm i tyre.

E treta: Allahu i Madhëruar ua kujton njerëzve adetin e mbulimit të auretit që të largohen nga adeti i zbulimit të tij, adeti i idhujtarisë.

Kjo dobi përfitohet gjithashtu nga thirrja e njerëzve me “O bijtë e Ademit!”, sepse thirrja e tyre në këtë mënyrë i përfshin të gjithë njerëzit; besimtarët me besim të pastër dhe idhujtarët për shkak se ata të gjithë rrjedhin prej Ademit.

Allahu i madhëruar i ka përfshirë të gjithë njerëzit me thirrjen “O bijtë e Ademit”, sepse surja El-Araf është sure e zbritur në Meke dhe njerëzit në atë kohë ishin idhujtarë, përveç një pakice besimtarësh të cilët ishin me profetin Muhamed -alejhi selam-. Idhujtarët në atë kohë kishin shpikur një adet në lidhje me tavafin rreth Qabes, i cili sipas tyre duhej të bëhej ose me rroba të reja të papërdorura në gjynahe, ose me rroba të huazuara nga Mekasit si banorë të vendit të shenjtë. Kush nuk gjente as njërën dhe as tjetrën bënte tavaf lakuriq, deri edhe gratë të cilat kryesisht bënin tavaf natën. Ky lloj adeti edhe pse bëhej nxitur nga madhërimi që ata kishin për Qaben ishte një tjetër lloj mashtrimi prej Shejtanit për t’ua prishur njerëzve moralin dhe për t’i zhveshur ata siç bëri me babain e njerëzimit, Ademin -alejhi selam-. Allahu i madhëruar nuk urdhëron veçse për gjëra të hijshme dhe jo për lakuriqësi e cila është e pahijshme, aq më tepër në shtëpinë e Tij të parë në Tokë.

E katërta: Veshja është mirësi e zbritur prej Allahut të madhëruar sepse Ai thotë:Ne ju zbritëm veshje.

Fjala zbritje sipas komentuesve të Kuranit ka për qëllim ato rroba që i janë zbritur Ademit -alejhi selam- të cilat ishin veshje të gatshme, si shenjë e porosisë së Tij për mbulimin e auretit. Ose janë për qëllim veshjet tona të cilat Allahu i madhëruar na i zbret nëpërmjet gëzofit të bagëtive duke përpunuar leshin, pushin dhe qimet e tyre.

Në lidhje me këtë të fundit, shejhu i Islamit IbnTejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Zbritja e veshjes do të thotë zbritja e saj nga gëzofi i bagëtive i cili është veshje për to. Prej leshit, pushit dhe qimeve të tyre, bijtë e Ademit nxjerrin rroba dhe petka zbukurimi.”[1]

E pesta: Mbulimi i vendeve të turpshme është zbukurim për njeriun, sepse Allahu i madhëruar thotë: “Ne ju zbritëm veshje të cilat u mbulojnë vendet e turpshme dhe që janë zbukurim për ju.”

Allahu i madhëruar e quan mbulimin e pjesëve të turpshme zbukurim, sepse mbulimi i të metave e zbukuron njeriun dhe ai sa më shumë të kujdeset për mbulimin e tyre aq më shumë do të zbukurohet.

Fjala e përdorur në ajet për të treguar zbukurimin e njeriut me mbulimin e auretit të tij, është fjala arabe “rijsh” e cila në origjinë është për pendët e zogut. Zogu bukurinë e tij e ka sa është me pupla, e nëse ato i bien apo ia heqin atëherë ai nuk është më i bukur, dhe kështu është edhe veshja për njeriun.

E gjashta: Allahu i madhëruar siç e ka zbukuruar të jashtmen e njeriut me zbritjen e veshjes e ka zbukuruar edhe të brendshmen e tij me zbritjen e fesë, sepse Allahu i madhëruar thotë: “Ju zbritëm edhe petkun e devotshmërisë i cili është më i mirë.”

Devotshmëria në këtë ajet janë normat fetare si; besimi, frika prej Allahut, turpi, punët e mira, qëndrimet e mira me të cilën njeriu zbukuron të brendshmen e tij siç thonë komentuesit e Kuranit. Allahu i madhëruar e ka krijuar njeriun me trup dhe shpirt. Ai siç ka në trupin e tij vende të turpshme të cilat i duhet t’i mbulojë, ka edhe shpirti e tij huqe si p.sh.; lakmia, urrejtja, frika, padurimi, koprracia, padrejtësia, mendjemadhësia etj., rregullimet e të cilave i bën feja e Allahut.

Kështu, njeriu zbukurohet me devotshmëri ndaj Zotit të tij siç zbukurohet me rroba, dhe që të mos jetë zbukurimi i tij i mangët apo vetëm i jashtëm ka ardhur përmendja e devotshmërisë në këtë ajet.

 E shtata: Zbukurimi i brendshëm është më i mirë se i jashtmi sepse Allahu i madhëruar për petkun e devotshmërisë thotë: “Ai është më i mirë.”

U tha më lart se zbukurimi i jashtëm i njeriut në lidhjen e drejtpërdrejtë është për trupin e tij, ndërsa zbukurimi i brendshëm është për moralet e tij. Atëherë njeriu nëse nuk zbukurohet nga jashtë me veshjen e rrobave do të mbetet lakuriq nga trupi, dhe nëse nuk zbukurohet nga brenda me veshjen e devotshmërisë do të mbetet lakuriq nga moralet. Mbetja e njeriut lakuriq nga moralet është më e dëmshme për të sesa mbetja e tij pa rrobat e trupit, sepse tek ato morale përqëndrohen detyrat karshi Zotit të tij, detyrat karshi sojit të tij dhe detyrat karshi çdo gjëje që e rrethon. Ai nëse i humb ato detyra do të përbuzet dhe do të dënohet, dhe nuk do t’i vlejë mbulimi i jashtëm. Një poet i vjetër arab thoshte:

Nëse njeriu petkun e devotshmërisë nuk e ka veshur,

lakuriq ka për të mbetur edhe nëse rroba mban veshur.

Mosinteresimi i njeriut për të brendshmen në mënyrë indirekte do ta bëjë atë të mos interesohet edhe për të jashtmen, sepse këto ajete -siç u tha edhe më lart- kanë zbritur për shkak se mushrikët bënin tavaf lakuriq, adet që vinte si pasojë e devijimit në besim i cili është baza e devotshmërisë. Pra, ka një lidhje mes të brendshmes dhe të jashtmes sipas së cilës e brendshmja do të lërë pasoja tek e jashtmja. Kjo ishte ajo që ndodhi me Ademin -alejhi selam- dhe gruan e tij, kur ata iu bindën Shejtanit dhe thyen devotshmërinë ndaj Zotit, dhe mbetën të zbuluar në mes të Xhenetit.

E teta: Shejtani do ta shkatërrojë njeriun duke e shtyrë atë për kundërshtimin e Zotit të Tij.

Duke medituar në historinë e Ademit -alejhi selam- me Shejtanin, shohim se shkaku i kundërshtimit të Ademit dhe gruas së tij ishin cytjet e Shejtanit me të cilat ai i nxiti. Shejtani nxitjen e tyre për kundërshtim e realizoi duke luajtur me ndjenjat e tyre, me frikën dhe dëshirën.

Ai luajti me ta nëpërmjet ndjenjës së dëshirës kur u tha: “Zoti juaj nuk ua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni si melaiket.” Kjo ngase gradët e larta të melaikeve janë të lakmuara.

Ai luajti me ta nëpërmjet ndjenjës së frikës kur u tha: “… apo të mos bëheni të përjetshëm”, – duke ua kujtuar në njëfarë mënyre vdekjen sepse vdekja e frikëson njeriun. Kundërshtimi i tyre u shkaktoi dy gjëra; dënim dhe turpërim. Kundërshtimi i tyre u shkaktoi dënim kur për shkak të tij u larguan nga Xheneti dhe u detyruan të përballojnë sfidat e jetës në Tokë, ndryshe nga jeta në Xhenet ku cdo gjë që u duhej ishte e pranishme dhe lehtësisht e arritshme.

U shkaktoi turpërim sepse ata për shkak të tij mbetën të zhveshur në mes të Xhenetit dhe u detyruan nga turpi  prej Zotit të tyre të mbulohen me gjethet e pemëve të Xhenetit.

E nënta: Shejtani është armiku më i rrezikshëm i njeriut, sepse Allahu i madhëruar thotë: “Ai dhe shpura e tij iu shohin prej nga ju nuk i shihni ata.”

Allahu i madhëruar në këto ajete na njofton për rrezikshmërinë e Shejtanit për njeriun. Shejtani ka një armiqësi të hershme ndaj njeriut e cila i buron atij nga zilia që pati ndaj Ademit -alejhi selam-, dhe vazhdon ta ketë atë edhe ndaj bijve të Ademit, edhe pse Ademi ka aq shumë kohë që është larguar sa s’mbahet mend nga askush. Armiqësitë që burojnë nga zilia në përgjithësi janë armiqësi e vazhdueshme sepse ziliqari nuk kënaqet derisa t’ia arrijë qëllimit, dhe janë edhe të egra sepse ziliqari përpiqet me të gjitha mundësitë që ka ta realizojë qëllimin e tij.

Shejtani në të gjitha këto ka epërsi ndaj njeriut sepse Shejtani nuk vdes që t’i ndërpritet aktiviteti. Ai ka mundësi t’ia ngacmojë njeriut zemrën dhe të luaj me ndjenjat e tij, gjithashtu është i padukshëm për njeriun që ai të mbrohet prej tij.

E dhjeta: Besimi dhe devotshmëria e njeriut ndaj Zotit të tij është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga rreziku i Shejtanit, sepse Allahu i madhëruar thotë: “Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.”

Ky përshkrim tregon se njeriu që qëndron larg Zotit të tij ai ka për të humbur, sepse atë do ta kapin Shejtanët dhe duke pasur epërsi ndaj tij humbja për të është e sigurtë. Ndërsa kur njeriu afrohet tek Zoti i tij me bindje dhe devotshmëri, ai do të fuqizohet me Zotin e Tij dhe do të fitojë epërsi ndaj Shejtanit, dhe si rrjedhojë do të fitojë. Faktin që njeriu besimtar fuqizohet me Zotin është shprehur në disa ajete, ku në një prej tyre thuhet:

إِنَّهُ لَيْسَ لَهُ سُلْطَانٌ عَلَى الَّذِينَ آمَنُوا وَعَلَى رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ إِنَّمَا سُلْطَانُهُ عَلَى الَّذِينَ يَتَوَلَّوْنَهُ وَالَّذِينَ هُمْ بِهِ مُشْرِكونَ

“Shejtani nuk ka pushtet mbi ata të cilët besuan dhe Zotit të tyre i mbështeten. Pushteti i tij është mbi ata të cilët miqësohen dhe i bëjnë ortak Atij.” Suretu En-Nahl: 99-100.

 

Dr. Abdullah Nabolli

——————————————–

[1] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 12/255.

Dosje:

Loading...