Adhurimi në muajin e Ramazanit!
O robër të Allahut!
Muaji i Ramazanit është muaj i përfitimeve prandaj shfrytëzojeni këtë muaj; në adhurim, në shtimin e namazit vullnetar (nafile), në leximin e Kuranit, në përmendjen e Allahut, në faljen ndaj njerëzve dhe bamirësinë ndaj tyre. Largojini armiqësitë, urrejtjet dhe inatet që keni mes vete.[1] E falënderoni Allahun për begatinë e agjërimit, sepse ai është shkak për faljen e mëkateve, për fshirjen e të këqijave dhe për ngritjen e gradëve.[2]
O agjërues!
Tani hyri muaji i Ramazanit prandaj nderoje këtë mysafir ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhëruar dhe na ka mësuar i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Dhe mos harro ta falënderosh Allahun e Madhërishëm për arritjen e këtij muaji, sepse arritja e tij është mirësi e madhe. Në Ramazanin e kaluar me ne ishin burra dhe gra të shumtë, të cilët agjëruan, hëngrën syfyr dhe bënë iftar me ne derisa e agjëruan të gjithë muajin. Pastaj gëzuan bashkë me ne në ditën e Fitër Bajramit. Por tani pas një viti, në këtë Ramazan ata nuk gjenden në mesin tonë. U interesuam dhe pyetëm për gjendjen e tyre:
Ku është filani?
A ka ndonjë lajm nga filani?
Dhe përgjigja ishte:
Disa prej tyre tani kanë varrin për banesë dhe tokën për shtrat.
Disa të tjerë dergjen në shtrat të sëmurë.
Ndërsa ne e falënderojmë Allahun që jemi të shëndetshëm dhe në mirëqënie.
Allahu i mëshiroftë të vdekurit tanë, i shëroftë të sëmurët tanë, i begatoftë të gjallët tanë dhe
na bëftë prej atyre që u zgjatet jeta dhe u përmirësohen veprat! Amin!
El-Hakijm / i Urti
Allahu i Madhërishëm e ka quajtur Veten e Tij ‘El-Hakijm’, siç thotë i Madhëruari në librin e Tij: “Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.”[3]
Dhe: “Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti.”[4]
El-Hakijm është ai që vendos çështjet në vendin dhe mënyrën më të mirë. Dhe prej urtësisë së Allahut të Madhërishëm është se Ai ka caktuar për robërit e Tij lloj-llojshmëri adhurimesh.
–Adhurimet me shprehje: Siç është leximi i Kuranit dhe dhikret e ndryshme.
–Adhurimet materiale: Siç është zekati i pasurisë, shpenzimet dhe sadakatë.
–Adhurimet trupore: Siç është falja e namazit, tavafi rreth Qabes dhe saj’i (ecja Safa – Merva për Umre apo Haxh), e lloje të tjera adhurimesh.
Tek muaji i Ramazanit është mbledhur vlera e kohës dhe llojshmëria e adhurimeve, si p.sh.:
- ndalimi nga ngrënia, pirja dhe çdo gjë që e prish agjërimin,
- leximi i Kuranit,
- qëndrimi në xhami për itikaf,
- kryerja e umres,
- dhënia e sadakasë,
- dhënia ushqim agjëruesve për iftar dhe për syfyr, e shumë punë të tjera të mira.
Ezani akshamit – hyrja në Ramazan
Me fjalën e muezinit “Allahu Ekber” në ezanin e akshamit – me shikimin e hënës apo plotësimin e muajit Shaban, ka hyrë nata e para e muajit Ramazan. Prandaj le të jetë preokupimi dhe angazhimi yt shfrytëzimi i këtij muaji në formën më të mirë të mundshme. Dhe mos harro fjalën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ku thotë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin, atij i falen mëkatet e bëra më herët”.[5]
Pra; me besim në Allahun e Madhërishëm, i kënaqur me obligimin e agjërimit, duke llogaritur shpërblimin për të, duke mos e urryer obligueshmërine e tij dhe duke mos dyshuar në shpërblimin e tij.[6]
- Ngrënia e syfyrit.
Mos harro të ngrihesh në fundin e natës për ngrënien e syfyrit. Kjo ngrënie dhe pirje është begati për të cilën ka urdhëruar Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Hani syfyr, sepse në syfyr ka begati”.[7]
Po ashtu ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Dallimi mes nesh (agjërimit tonë) dhe agjërimit të ithtarëve të librit është ngrënia e syfyrit”.[8]
Çifutët dhe të krishterët agjërojnë, porse agjërimi i tyre pas dërgimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është pluhur e hi, ngase ata konsiderohen jobesimtarë. Edhe nëse ata agjërojnë një vit të plotë, kjo nuk merret në konsideratë dhe nuk pranohet prej tyre. Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit nuk do t’i pranohet, dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.”[9]
Kur hanë syfyr çifutët dhe të krishterët?
Përgjigje: Në mesnatë, ngase dita e tyre (sipas besimit të tyre) fillon prej mesit të natës.
Syfyri ka disa dobi.
E para: Zbatimi i urdhërit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur thotë: “Hani syfyr”.
E dyta: Pasimi i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ngase ai hante syfyr. Hapësira kohore mes ngrënies së syfyrit dhe faljes së sabahut ishte sa leximi i pesëdhjetë ajeteve.[10] Pra, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e vononte syfyrin e tij.
E treta: Ngrënia e syfyrit të ndihmon në bindjen ndaj Allahut të Lartësuar, ngase nëse njeriu ha syfyr, kjo do ti mjaftojë për gjithë ditën. Kur nuk je agjërueshëm pi shumë ujë në ditë, por kur je agjërueshëm pirja në syfyr të mjafton për gjithë ditën. I Lartësuar qoftë Allahu! Kjo është prej bereqetit të tij. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: Hani syfyr, sepse në syfyr ka begati”.[11]
E katërta: Shfaqja e kundërshtimit ndaj çifutëve dhe të krishterëve. Syfyri është pika ndarëse mes agjërimit tonë dhe agjërimit të çifutëve dhe të krishterëve, e nuk ka dyshim se shfaqja e kundërshtimit ndaj çifutëve dhe të krishterëve është prej veprave që të afrojnë tek Allahu i Madhërishëm. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”[12]
O agjërues! Allahu t’a pranoftë agjërimin dhe veprat e mira!
Disa agjërues nuk i kushtojnë rëndësi ngrënies së syfyrit dhe as vonimit të tij deri në kohën e fundit. Madje ka të tillë që nuk e hanë fare syfyrin ose hanë para se të flenë. Këtë e bëjnë nga frika se nuk mund të zgjohen, ose nga dëshira për të fjetur më shumë, ose nga mosdija për vlerën e syfyrit.
Kjo është mangësi e madhe të cilën agjëruesi duhet ta eleminojë patjetër. Madje kjo bëhet pengesë që agjëruesi mos të arrijë vlerën dhe begatinë e syfyrit, dhe është në kundërshtim me sunetin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
A nuk e kanë lexuar apo dëgjuar këta fjalën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ku thotë: “Njerëzit do të vazhdojnë të gjenden në mirësi përderisa e vonojnë ngrënien e syfyrit”.[13]
Dhe dihet se e gjithë e mira është në pasimin e udhëzimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), ndërsa e gjithë e keqja në lënien dhe kundërshtimin e udhëzimit të tij. Shejh Salih El-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: “Përderisa njerëzit do vazhdojnë të jenë të kapur mbas këtij suneti, ata gjenden në mirësi. Ngase kapja mbas Sunetit është mirësi.”[14]
Ngrihu në syfyr dhe mos e ler atë qoftë dhe duke pirë një gllënjkë ujë, sepse; “Vërtet, syfyri është begati që Allahu ua ka dhënë juve, prandaj mos e leni atë (por hani syfyr)”.[15]
- Namazi i sabahut në xhami.
Pas ngrënies së syfyrit, merr abdes në formën e përkryer dhe nisu në xhami për faljen e namazit të sabahut me xhematin e muslimanëve. Nëse më herët ke qenë i mangët në këtë aspekt, tani bëhu i vendosur dhe fale sabahun në xhami. Le të jetë muaji i Ramazanit hapja e një faqeje të re për vazhdimësinë e faljes së namazit të sabahut në xhami.
Vijon…
Mblodhi dhe përgatiti: Unejs Sheme
[1] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) në “Ed-Dijaul-Lamiu”, vëll. 2.
[2] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) në “Mexhalis Shehri Ramadan” (79).
[3] En-Nisa: 17.
[4] Et-Tahrim: 2.
[5] Mutefekun alejhi.
[6] Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) në “Mexhalisu Ramadan”.
[7] Shënon Buhariu me nr. (1923) dhe Muslimi me nr. (1095) prej hadithit të Enes bin Malik (radijAllahu anhu).
[8] Shënon Muslimi me nr. (1096) prej hadithit të Amër bin El-Asit (radijAllahu anhu).
[9] Ali Imran: 85.
[10] Shënon Buhariu me nr. (1921) dhe Muslimi me nr. (1097) prej hadithit të Zejd bin Thabit (radijAllahu anhu).
[11] Shënon Buhariu me nr. (1923) dhe Muslimi me nr. 1095) prej hadithit të Enes bin Malik (radijAllahu anhu).
[12] Shënon Ahmedi (2/50) dhe Ebu Daudi me nr. (4031) prej hadithit të Abdullah bin Umerit (radijAllahu anhuma).
[13] Shënon Buhariu me nr. (1957) dhe Muslimi me nr. (1098).
[14] “Sherh Umdeh El-Ahkam”, vëll. 1.
[15] Shih “Sahihul-Xhami” (1636).
Dosje: Bajramet
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve