Afrimi i orës së Kiametit

March 22, 2022

Falënderimi i takon Allahut!

Allahu i Lartësuar thotë: “Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta).” | El-Enbija: 1 |

Ibën Kethiri në tefsirin e tij 3/172 ka thënë: Këtu Allahu po tregon se kjameti po afrohet dhe është afër dhe se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për të, pra ata nuk janë duke punuar dhe duke u përgatitur për të.

Allahu i Lartësuar thotë: “Urdhëri i Allahut do të arrijë patjetër, andaj mos e shpejtoni atë! I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)!” |En-Nahl: 1|

Ibën Kethiri në tefsirin e tij 2/560 ka thënë: Këtu Allahu na tregon për afrimin e Kiametit dhe se ai është afër. Fakti që është shprehur në kohën e shkuar (në arabishten origjinale) tregon se është e vërtetë dhe padyshim që do të ndodhë.

Në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “Kjameti është afruar dhe hëna është çarë.” |El-Kamer: 1|

Ibën Kethiri në tefsirin e tij 4/360 ka thënë: Këtu Allahu na tregon për afrimin e Kjametit dhe kalimin e kësaj bote.

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është Ai që e ka shpallur Librin me vërtetësi dhe drejtësi. E si do ta dije ti që ndoshta dita e kjametit është afër?” |Shura: 17|

Tirmidhiu transmeton në “Es-Sunen” 1980 (Sahih Tirmidhi) se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Si mund ta shijoj jetën kur mbajtësi i surit (apo bririt) e ka vënë surin në buzë, e ka përqëndruar dëgjimin duke pritur urdhrin për t’i fryrë?” Kjo sikur e rëndoi gjendjen emocionale të shokëve të Pejgamberit alejhi selam, prandaj ai u tha atyre: “Thoni: Hasbuna Allahu ve niemel vekil, ala Allahi tevekelna – Na mjafton Allahu dhe Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve! Tek Allahu mbështetemi!”

Ahmedi dhe Muslimi transmetojnë se Ibën Mesudi përcjell nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, se ka thënë: “Kijameti do të ndodhë mbi njerëzit më të këqinj.” Transmeton Muslimi me nr. 5243, dhe Ahmedi me nr. 3548.

Ahmedi dhe Buhariu transmetojnë se Merdas es-Sulemi ka thënë:

Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Njerëzit e drejtë do të zhduken; fillimisht më i miri, pastaj më i miri e kështu me rradhë. Do të mbetet byku pa vlerë si byku i elbit ose hurmave, dhe Allahu i Lartësuar nuk do kujdeset fare për ta.” Shiko librin “Sahih el Xhami” me nr. 7934.

Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Enesi ka thënë: Unë do t’ju tregoj një hadith që askush tjetër nuk do t’ua tregojë pasi të kem ikur unë. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut. paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Prej shenjave të kjametit janë; pakësimi i diturisë, mbizotërimi i injorancës dhe përhapja e zinasë. Atë kohë do të ketë shumë gra dhe pak burra, derisa për pesëdhjetë gra të ketë një kujdestar.” Transmeton Buhariu me nr. 79 (këtë version e ka transmetuar ai). Gjithashtu, e transmeton Muslimi me nr. 4825, Ahmedi me nr. 12735, dhe Tirmidhiu me nr. 2131.

Taberani transmeton nga Sehl ibën Sadi se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Në fund të kohës do të ketë tërmete, shafitje të tokës dhe shndërrim në kafshë [ose shpërfytyrim, deformim]. Kjo ka për të ndodhur kur instrumentet dhe këngëtaret femra do jenë të përhapura dhe vera do të lejohet.” “Sahih el-Xhami” me nr. 3665.

Të gjitha këto tekste tregojnë qartë se Kjameti po afron dhe se shtimi i mëkateve dhe i së keqes është prej shenjave të afrimit të tij. Mosbesimtarët mendojnë se Kjameti nuk ka gjasa të ndodhë dhe se po zgjat shumë, por fakti i çështjes është ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar:

“Me të vërtetë ata e shohin atë (kiametin) larg kurse Ne e shohim shumë afër.” |El-Mearixh: 6-7|

E lusim Allahun të na ruajë në këtë botë dhe në botën tjetër! Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...