Agjërimi, rregulla dhe dispozita (Pjesa e parë)
Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!): “Të mbërrish ramazanin është një mirësi e madhe nga Allahu”.[1]
Po ashtu shejhu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Muslimani duhet ta mirëpresë këtë muaj të bekuar me pendim të sinqertë, me përgatitje për të agjëruar dhe për të falur namaz nate, duke qenë i sinqertë dhe i vendosur”.[2]
- Cfarë do të thotë “Es-Sijam”?
Es-Sijam nga ana gjuhësore: Frenim (vetpërmbajtje). Allahu Madhëruar thotë: “Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: “Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj (do të hesht), prandaj sot nuk do të flas me askënd”.[3] D.m.th. jam zotuar (betuar) që të vetpërmbahem nga fjalët (mos të flasë). Prandaj sot nuk do të flas me askënd.
Ndërsa në legjislacionin Islam “Es-Sijam” do të thotë: “Adhurim që i kushtohet Allahut të Madhëruar duke u frenuar nga ushqimet (ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime, pirja e duhanit etj.) duke filluar me agimin e dytë deri në perëndimin e diellit”.[4]
- Cili është gjykimi për agjërimin?
Agjërimi i muajit të Ramazanit është obligim me tekst nga Kurani, Suneti dhe konsensusi i muslimanëve.
Argument nga Kurani: Allahu Madhëruar thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
“O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë detyrim ashtu si ka qenë detyrim për ata para jush,[5] që të mund të bëheni të devotshëm![6]”[7]
Deri tek fjala e të Madhëruarit:
شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآَنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ
“Muaji i Ramazanit, në të cilin është zbritur Kurani:[8] udhëzim për njerëzit, plot me prova të qarta udhëzimi dhe kriter. Kushdo nga ju që e arrin këtë muaj, ta agjërojë atë”.[9]
Argument nga Suneti: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Feja Islame ngrihet mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurhet me të drjetë përveç Alalhut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit në Shtëpinë e Shenjtë”.[10]
Po ashtu ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ta shihni atë (hënën), atëherë (filloni të) agjëroni”.[11]
Konsensusi i muslimanëve: Muslimanët janë të një mendje se agjëirmi i muajit të Ramazanit është obligim dhe se ai është një nga shtyllat e Islamit. Kush mohon obligueshmërinë e tij ai është jobesimtarë. Përveç nëse është rritur (ka jetuar) në ndonjë vend të largët dhe nuk i di dispozitat e islamit. Në këtë rast atij i mësohen. Por nëse pas ngritjes së argumentit ai vazhdon në gjendjen që ishte (pra, vazhdon në mohim) ai është jobesimtarë.[12]
- Pozita e agjërimit të islam.
Pozita e agjërimit në islam është se: Ai është një nga shtyllat madhore të islamit dhe Islami i njeriut nuk është i plotë përveçse duke e kryer dhe këtë obligim.[13]
- Kush janë shtyllat e agjërimit?
Agjërimi ka një shtyllë të vetme: “Adhurim që i kushtohet Allahut të Madhëruar duke u frenuar nga ushqimet (ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime, pirja e duhanit etj) duke filluar me lindjen e agimit deri në perëndimin e diellit”. Është për qëllim me “lindjen e agimit” agimi i dytë dhe jo i pari.[14]
Dy agimet:
- Agimi mashtrues: Agimi në të cilin ndalohet falja e namazit të sabahut dhe lejohet ngrënia. Ky agim është e bardha e shtrirë dhe ndriçuese që ngrihet në qiell si bishti i ujkut.
- Agimi i vërtetë: Agimi në të cilin ndalohet ngrënia dhe lejohet falja e namazit të sabahut. Ky agim është ngjyra e kuqe që përhapet gjerësisht në fusha e kodra që shpërndahet nëpër rrugë e shtëpi. Ky është ai me të cilin lidhen dispozitat e agjërimit dhe namazit.
- Kush është rruga legjitimi për fillimin dhe mbarimin e muajit të ramazanit?
Hyrja e muajit të ramazanit saktësohet me shikimin e hënës ose me plotësimin e tridhjetë ditëve të muajit Shaban. Bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Fillojeni agjërimin me dallimin e hënës dhe përfundojeni atë me dallimin e saj, e nëse keni pengesë nga retë, atëherë plotësojeni Shabanin tridhjetë ditë”.[15]
- A pranohet dëshmia e një personi të drejtë për shikimin e hënës.
Po pranohet tek shumica e dijetarëve. Bazuar në atë që transmeton Ibën Umeri radijAllahu anhuma ku thotë: “Disa njerëz po ruanin hënën (e Ramazanit), dhe unë lajmërova të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që unë e pashë atë. Atëherë ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem agjëroi, dhe urdhëroi njerëzit që të agjërojnë”.[16]
Shënim: Ndërsa për përfundimin e muajit të ramazanit (dhe të gjithë muajt e tjerë) duhen patjetër dy dëshmitarë të drejtë.[17] Rabiu bin Harash transmeton nga një burrë prej shokëve të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ky ka thënë: “Njerëzit u kundërshtuan për ditën e fundit të Ramazanit, por dy beduinë erdhën tek i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe u betuan për Allahun që hëna e re kishte dalë dje në mbrëmje. Atëherë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sle-lem i urdhëroi njerëzit që të mbyllin agjërimin”.[18]
Abdurrahman bin Zejd bin Hatab transmeton se: Ai mbajti hutbe atë ditë që ishte e dyshimtë dhe tha: Unë u shoqërova me shokët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i pyeta dhe ata më treguan se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Agjëroni kur të shihni hënën dhe mbylleni agjërimin kur të shihni hënën, dhe jepini hakun atij (Ramazanit me adhurim). Nëse ju pengojnë retë, atëherë i plotësoni tridhjetë ditë. Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë muslimanë, atëherë agjëroni ose mbylleni agjërimin.”[19]
- A ka ndonjë formë të veçantë legjitime sesi duhet ta presë muslimani muajin e ramazanit?
Nuk di të ketë ndonjë gjë të veçantë për pritjen e muajit të ramazanit. Përveç se muslimani të falënderojë Allahun që ia mundësojë mbërritjen e muajit të ramazanit, sepse mbërritja e muajit të ramazanit është mirësi e madhe nga Allahu.[20]
- A lejohet agjërimi i tri ditëve dhe netëve në ramazan në vend të agjërimit të tridhjetë ditëve?
Një gjë e tillë nuk lejohet. Askush prej dijetarëve nuk e ka thënë një gjë të tillë, sepse nata nuk është pjesë e agjërimit. Prandaj kush e bën këtë ai ka kundërshtuar legjislacionin e pastër islam dhe ka ardhur më diçka që nuk e ka ligjësuar Allahu si dhe ka ngrënë gjatë ramazanit pa pasur arsye. Allahu Madhëruar ia ka bërë obligim muslimanëve (të ngarkuar nga legjislacioni islam) agjërimin e të gjithë muajit të ramazanit dhe nuk lejohet të agjërohet vetëm një pjesë e tij.[21]
- Kur është koha për bërjen e nijetit për agjërim? Dhe a bëhet nijeti me gojë?
Nëse është vërtetuar hyrja e ramazanit me shikim të syrit, apo nga ana e dëshmitarëve, apo me plotësim e tridhjetë ditëve të muajit Shaban, obligohet çdo musliman i ngarkuar nga legjislacioni islam që bëjë nijet për agjërim që në mbrëmje, sepse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kushdo që nuk e bën nijetin për agjërim para agimit, ai nuk ka agjërim”.[22]
Nuk lejohet bërja e nijet me gojë, porse vendi i tij është zemra. Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë : Gjykimi për këtë (shqiptimin e nijetit) është bidat, sepse një gjë e tillë nuk përcillet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Prandaj mjafton nijeti në zemër dhe nuk lejohet shqiptimi i tij.[23]
- Syfyri dhe dobitë e tij.
Enesi radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Hani syfyr, sepse në syfyr ka bereqet!”[24]
Amër bin el As radijAllahu anhu thotë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit, është ngrënia e syfyrit”.[25]
- Ngrënia e hurmave për syfyr.
Tregon Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Syfyri më i mirë për besimtarin është hurma”.[26]
Dijetari i Islamit Ibnul Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) për hurmat ka thënë: “Ajo është fryt, ushqim, ilaç, pije dhe ëmbëlsirë”.[27]
- A eshte kusht ngrenia e syfyrit per saktesimin e agjerimit?
Jo, nuk është kusht.[28]
- Shpejtimi i iftarit.
Prej suneteve të harruara është edhe shpejtimi në çeljen e iftarit. Shkak për këtë janë bërë disa gjëra, prej tyre po përmendim:
- Mosdija.
- Të punuarit me kalendarët (takëimet) që nuk janë të saktë rreth kohës së fillimit dhe mbarimit të agjërimit.
Këto janë bërë shkaqe që muslimanët të largohen nga udhëzimi profetik dhe nga mirësia e cila gjendet në shpejtimin e iftarit nga njëra ana, e nga ana tjetër duke përngjarë me ata që e vonojnë iftarin. Allahu el mustean!
Sehl bin Sead radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë përderisa e shpejtojnë ngrënien e Iftarit”.[29] Nga ky hadith kuptojmë se nëse ne nuk e shpejtojmë iftarin, atëherë nuk jemi në mirësi.[30]
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Feja do të vazhdojë të jetë triumfuese përderisa njerëzit e shpejtojnë iftarin, ngase çifutët dhe të krishterët e vonojnë atë”.[31]
Amër bin Mejmun el Aduij thotë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishin më të shpejtit, më të parët në çeljen e iftarit dhe më të vonuarit në mbylljen e syfyrit”.
Nëse muslimanët e shpejtojnë iftarin, ata do të vazhdojnë të jenë në rrugën dhe sunetin e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe të parëve tanë të mirë.
- Cfarë duaje thuhet në iftar?
Thuhet: “Dhehebe edh-Dhamameu, uebtel-letil uruuk, ue thebetel exhru inshaAllah – Kaloi etja, u lagën venat dhe u arrit shpërblimi inshaAllah”.
Shënim: Kjo dua nuk saktësohet: Transmetohet nga Muadh bin Zehra, se atij i kanë përcjellë, se kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem çelte iftarin, thoshte: “Allahumme leke sumtu ue ala rizkike aftartu – O Zoti im! Për ty agjërova dhe me furnizimin tënd e çela Iftarin.”[32]
Po ashtu duaja: “Allahumme leke sumtu ue ala rizkike aftartu. Allahumme tekabel minna ineke entes-semiaul alim – O Zoti im, për ty agjërova dhe me funizmin tënd bëra iftar. O Zot im, pranoje prej nesh se me të vërtetë Ti je Dëgjuesi, i Dijshmi”. Daif – i dobët. “El Irvau” (4/36).
- A më pranohet duaja kur jam agjerueshem?
Sehl bin Sead trasmeton se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thene: “Tri dua nuk refuzohen: duaja e prindit per femijen e tij, duaja e njeriut qe po agjeron, duaja e udhetarit.”[33]
- Kush vjell pa vullnetin e tij a i prishet agjërimi dhe duhet ta zëvendësojë këtë ditë?
Kush vjell pa vullnetin e tij agjërimi nuk i prishet. Ndërsa ai që e ngacmon vjelljen me qëllim agjërimi i prishet dhe këtë ditë duhet ta zëvendësojë. Argument për këtë është hadithi: Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush vjell pa vullnetin e tij, nuk ka detyrim të zëvendësojë atë ditë agjërimi (nuk i prishet agjërimi), kurse kush ngacmon vjelljen me qëllim, duhet ta zëvendësojë atë ditë agjërimi (i prishet agjërimi)”.[34]
- A prishet agjërimi nëse ha ose pi nga harresa?
Agjërimi nuk i prishet.[35] Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush është i agjërueshëm dhe nga harresa ha apo pi diçka, të vazhdojë agjërimin sepse Allahu i ka dhënë atij të hajë e të pijë.”[36]
- A duhet gruaja t’i agjërojë ditët e lëna në kohën e periodave?
Po, ajo e ka për detyrë t’i agjërojë ditët e lëna. Argument për këtë është hadithi: Transmetohet nga Muadhe se ka thënë: Pyeta Aishen: Si është puna me gruan me perioda që e kompenson agjërimin dhe nuk e kompenson namazin? Ajo tha: “Kështu na ndodhte edhe neve kur ishim me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe urdhëroheshim të kompensonim agjërimin, por jo namazin”.[37]
- A lejohet freskimi apo larja me ujë gjatë agjërimit?
Po, lejohet. Argument për këtë është hadithi: Ebu Bekër bin Abdurrahman transmeton nga një prej shokëve të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ai ka thënë: “E kam parë të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të derdhë ujë mbi kokë nga të nxehtit duke qenë agjërueshëm.”[38]
- A lejohet përdorimi i pikave të syrit gjatë agjërimit të ramazanit?
Lejohet dhe agjërimi nuk prishet.[39]
- A e prish agjërimin pikat që hidhen në hundë?
Nuk e prish agjërimin përveç nëse shija e tyre arrinë në fyt e në stomak.[40]
Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme
[1] “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15
[2] “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15
[3] Merjem, 26
[4] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!).
[5] Janë për qëllim ithtarët e Librit.
[6] Agjërimi është nga shkaqet më të mëdha të arritjes së devotshmërisë, sepse në të ka zbatim të urdhrit të Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij.
[7] El-Bekare, 189
[8] Kurani ka zbritur në natën e Kadrit, të muajit të Ramazanit, prej “El leuhi el Mahfudh” (Librit që është tek Allahu dhe ku është regjistruar çdo gjë), në qiellin e kësaj dynjaje, pastaj me anë të Xhibrilit iu zbrit Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ndarë në pjesë dhe në periudha kohore, sipas asaj që donte Allahu. Për këtë kanë ardhur disa transmetime nga Ibën Abasi dhe shokë të tjerë të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ato i ka përmendur Taberiu në hollësi.
[9] El-Bekare, 185
[10] Buhariu dhe Muslimi
[11] Buhariu dhe Muslimi
[12] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!).
[13] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!).
[14] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!).
[15] Buhariu dhe Muslimi. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) dhe “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15 shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!).
[16] Hadith autentik. “El Irva” (908). “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15 shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!).
[17] “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15 shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!).
[18] Hadith autentik. “Sahihu Ebi Daud” (2027).
[19] Hadith autentik. “Irvaul Galil” (909).
[20] “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15 shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!).
[21] “El-Lexhneh ed daimeh” vëll. 10
[22] Ebu Daudi, Ibën Huzejme dhe El- Bejhakiu.
[23] “El Xhamiu fil fikhi el alameh Ibën Baz”
[24] Buhariu dhe Muslimi
[25] Muslimi
[26] Transmeton Ebu Daud (2345), Ibën Hibbani (3475) dhe El Bejhakij në “El Kubra” (8209). Hadithin e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Es Silsiletu es Sahihah” (562).
[27] “Zadul Mead” vëll. 4
[28] “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 15 shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!).
[29] Muttefekun alejhi
[30] Shejh Muhamed Seid Raslan (Allahu e ruajttë!).
[31] Ahmedi (2/450), Ebu Daudi (2353), Ibën Maxhe (1698) dhë Ibën Hibbani (3503). Hadithin e ka bërë të mirë (hasen) shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu Sunneni Ebi Daud” (2353) dhe në “Sahihu Sunneni Ibën Maxhe” (1387).
[32] Daif, Mursel “Daiful Xhami” (4349_.
[33] “Silsiletu es-Sahihah” nr. (1797)
[34] Hadith autentik. “El Irva” (930).
[35] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!)
[36] Buhariu dhe Muslimi
[37] Buhariu dhe Muslimi
[38] Hadith autentik. “ Sahih Ebi Daud”( 2047).
[39] “El-Lexhneh ed daimeh” vëll. 10
[40] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!)