Mendimi juridik i imam Malikut dhe metoda e tij në veprën “El Muatta”

May 19, 2025

Medhhebi i dytë (nga katër medhhebet) është ai i Malik ibn Enes.

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ishte një imam i ndershëm, mbajtës i dijes (hafidh) të cilit nuk i shpëtonte pothuajse asgjë nga ajo që dëgjonte. Ai e shkruante dijen dhe ishte i pranishëm te mësuesi i tij Rebia Er-Ra’j. Dëgjoi nga tabiinët e mëdhenj dhe nga të tjerë më poshtë tyre.

Sipas kërkesës së guvernatorit ose të udhëheqësit të besimtarëve në kohën e tij ai përpiloi një libër. Ky libër ka ndikim të madh në umetin islam dhe është libri “El Muatta”, që do të thotë i shtruar, i lehtësuar.

“El Muatta” është një libër hadithesh por njëkohësisht edhe libër fikhu. Pse është libër fikhu? Sepse është bazë për librat e dijetarëve malikij në fikh. Ai e hap një kapitull dhe fillon me hadithin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Pastaj sjell fjalët e sahabëve, halifëve të drejtë dhe sahabëve të mëdhenj, pastaj fjalët e dijetarëve të mëdhenj të Medinës dhe më pas të tabiinëve, dhe i radhit ato sipas një rendi të caktuar.

Kjo e bën librin një libër fikhu, pastaj ai shënon edhe mendimin e tij juridik. Prandaj “El Muatta” përmban shumë hadithe, por në të vërtetë është një libër që trajton fikhun e hadithit. Ai u mbështet në të për të kuptuar hadithet duke marrë nga fjalët e sahabëve dhe tabiinëve, e më pas duke komentuar mbi to.

“El Muatta” konsiderohet si libri i parë i dijetarëve malikij në renditjen e fikhut. Imam Maliku jepte fetva, ulej në mësim dhe i bëheshin pyetje, dhe janë shënuar shumë çështje juridike nga ai. E takuan turma njerëzish që e transmetuan dijen nga ai.

Por ne përmendim në mënyrë të veçantë një nga dijetarët e mëdhenj të respektuar dhe mbajtësit e dijes që transmetoi dijen e Malik ibn Enesit, dhe ai është imami i ndershëm Abdurrahman ibn Kasim. Ai përpiloi pyetjet e bëra Malikut, i mblodhi dhe i shkroi ato por jo në mënyrë të renditur.

Më pas takoi një dijetar nga Tunizia, Esed ibn El Furat gjatë udhëtimit të tij. Ai i kërkoi mendimet juridike të imam Malikut dhe pyetjet që i ishin bërë atij, dhe i mori ato nga Abdurrahmani dhe i shkroi. Këto çështje janë të njohura me emrin; “Çështjet e Abdurrahman ibn Kasimit nga imami Malik ibn Enesi”.

Më pas ai (Esed bin Furat) u kthye në vendin e tij dhe atje e takoi imami i ndershëm Sahnunin. “Sahnuni” është një nofkë për një dijetar të madh. Ai dëgjoi prej Esedit por nuk i pëlqyen ato që kishte shkruar dhe radhitur Esedi.

Ai version i shkruar njihej ndër dijetarët malikij si “Esedijja”, në lidhje me Esed ibn el Furat. Sahnuni e mori nga ai por nuk i pëlqeu, kështu që i shkroi vetë dhe më pas udhëtoi te Abdurrahman ibn Kasimi.

Ai dëgjoi prej tij, i paraqiti dhe dëgjoi të gjitha çështjet, pastaj i renditi dhe ia paraqiti Abdurrahmanit. Kjo vepër u quajt “Mudeuena e Malikut” ose “Mudeuena e Sahnunit”, dhe është ajo që njihet sot tek ne me emrin “El Mudeuena”.

“Mudev-vene” është vepër e Sahnunit mbi bazën e (asaj që mori) nga Abdurrahman ibn Kasimi. Ajo ishte një punë shumë madhështore sepse e renditi atë pothuajse sipas renditjes së Malikut në “El Muatta”. Ai përshkroi në të medhhebin e Malikut dhe pyetjet (që i ishin bërë atij), si dhe medhhebin e Abdurrahman ibn Kasimit dhe pyetjet e tij, dhe gjithçka të ngjashme me to prej çështjeve të ndryshme.

Ai u kthye në Tunizi dhe deshi të krahasonte mes asaj që kishte shkruar ai vetë dhe asaj që ishte tek Esed ibn El-Furat nga pyetjet, ose nga ajo që ai kishte transmetuar nga ibn Kasimi. Kështu ndodhi njëfarë përplasjeje mes tij dhe Esedit por nuk iu dha rëndësi kësaj. Kështu, ajo që njihej si “Esedijja” u zhduk siç thonë dijetarët, dhe mbeti vetëm “Mudeuena e Sahnunit”

“Mudeuena e Sahnunit” është themeli i përmbledhjes së fikhut në klasifikimin e fikhut të dijetarëve malikij deri në ditën e sotme. Gjithçka që erdhi pas saj mbështetet mbi të.

Malikijtë thonë se medhhebi i tyre mbështetet mbi pesë libra:

1. “El-Muvatta” e Malik ibn Enesit dhe ajo që përmban prej dijes dhe fikhut,

2. “Mudeuena” e Sahnunit,

3. “El Uadiha” e Habibit,

4. “El Mustehrexha” ose “El Utbijje” e Utbit,

5. “El Muvazijja” e Ibn Muvaz el Iskenderanit, Muhamed ibn Ibrahimit imamit të njohur.

“El Muvazijja” nuk është e plotë por prej saj kanë mbetur vetëm disa pjesë. Dijetarët në Magreb dhe në Andaluzi e vlerësonin shumë këtë libër. Pse? Sepse ajo e kishte renditur fikhun si një përmbledhje të shkurtër. Është përmbledhja e parë (e tillë). Prej saj ndodhen pjesë në Tunizi dhe pjesë në Marok, nëse kujtesa ime është e saktë.

Një numër dijetarësh e kanë konsideruar atë si kulminacionin në përmbledhjen e medhhebit të Malikut, por nuk pati shumë fat dhe nuk u përhap më pas.

Këto libra janë përpjekjet e para për sistematizimin e medhhebit të Malikut, deri rreth vitit 300 hixhri ose pak pas tij. Pas kësaj nuk u shkrua ndonjë përmbledhje që të ishte e besueshme për medhhebin malikij.

Dijetari i madh hafidh ibn Abdil-Berr u përpoq të shkruajë një përmbledhje për medhhebin e Malikut. Ai shkroi librin “El Kafi” i cili është botuar dhe njihet si “El Kafi fi fikh el Medine” sipas medhhebit malikij. Ai është botuar në dy vëllime dhe është i njohur por nuk u mbështetën shumë mbi të.

Më pas erdhën shpjegimet (komentet) e dijetarëve malikij në formën që do të përmendim më vonë.

 

Autor: Shejh Salih Al Shejh

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...