Nga Semurah ibn Xhundub përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që ka marrë diçka është përgjegjës për të deri sa ta kthejë.”[1] Transmetojnë autorët e suneneve përveç Nesaiut.
Kjo përfshin atë që merret prej pasurisë së njerëzve pa të drejtë, si grabitja e të ngjashmet me të, dhe ato që merren me të drejtë si malli apo gjëja që lihet peng, apo ajo që jepet me qera.
Lloji i parë: grabitja që është marrja e pasurisë së tjetrit padrejtësisht dhe pa pëlqimin e tij. Kjo është prej padrejtësive më të mëdha dhe prej gjërave të ndaluara. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush grabit një pëllëmbë tokë, ditën e gjykimit do t’i vihet në qafën e tij nga shtatë tokat.”[2]
Grabitësi e ka detyrë ta kthejë atë që ka marrë edhe nëse dëmtohet me kthimin e saj dhe e paguan shumëfish nga vlera e saj, sepse ai ia solli vetes këtë dëm dhe duhet të paguaj qeranë e asaj që ka mbajtur (pa të drejtë) për aq kohë sa e ka mbajtur. E nëse gjëja që ka grabitur prishet duket qenë në dorën e tij, ai duhet ta dëmshpërblejë.
Ndërsa nëse ajo që ka marrë ka qenë me pëlqimin e të zotit dhe miratimin e tij, siç është rasti i gjërave që jepen me qera apo e atyre që lihen peng, apo pasurisë që jepet për tu venë në punë për shkak të fitimit prej saj (mudarabeh), apo ai që punon te toka e tjetrit kundrejt fitimit të një pjese të të vjelave (musakah), apo ai që e punon tokën e tjetrit dhe fitimin e ndajnë mes tyre (muzaraah), apo të tjera si këto. Ai që e ka në dorë diçka ajo i është besuar atij (është në përgjegjësinë e tij) sepse i zoti i mallit ja ka lënë mallin në mirëbesim. Prandaj nëse malli dëmtohet duke qenë në dorën e tij, pa qenë ai tejkalues i kufijve dhe pa u treguar i pakujdesshëm, ai nuk e ka detyrë të dëmshpërblejë (sepse malli është prishur për shkaqe që nuk varen prej tij).
Nëse malli prishet për shkak të tejkalimit të kufijve në të apo për shkak të pakujdesisë së tij, ai mban përgjegjësi për të, duhet ta dëmshpërblejë dhe kur t’i mbarojë koha e përdorimit duhet t’ja kthejë atë të zotit.
E njëjta vlen edhe për mallin që ja jep dikujt për ta përdorur për njëfarë kohe. Ai që e ka marrë në përdorim duhet t’ja kthejë të zotit të tij pasi ta realizojë synimin që kishte prej marrjes së tij, apo nëse i zoti ja kërkon t’ja kthejë. Malli që jepet për përdorim është diçka e lejuar dhe jo e detyruar. Nëse malli prishet pa tejkalim të kufijve dhe as për shkak të përdorimit të tij në mënyrë të shkujdesur, ka prej dijetarëve që thonë se e ka detyrë ta dëmshpërblejë atë siç është fjala më e njohur në medh’hebin e imam Ahmedit. E ka prej tyre që thonë se në këtë rast nuk e ka detyrë ta dëmshpërblejë atë, sepse ai është si gjithë njerëzit që u besohet diçka.
Ka prej tyre që e kanë komentuar në këtë mënyrë: Nëse i zoti i mallit ja ka vënë kusht dëmshpërblimin në rast shkatërrimi të mallit, ai e ka detyrë ta dëmshpërblejë, përndryshe nuk e ka detyrë. Kjo është më e mira e tri fjalëve.
Por nëse pasuria gjendet në duart e një të çmenduri, të një mendjelehti apo të një fëmije, dhe dikush (sh.p. që nuk është si këta të tre më parë por është i përgjegjshëm) e ka marrë për ta ruajtur atë dhe pasuria dëmtohet duke qenë në posedimin e tij, pa tejkalim kufijsh e as pakujdesi, ai në këtë rast është bamirës dhe ndaj bamirësve nuk ka përgjegjësi dëmshpërblimi.
Nëse merr diçka të humbur të cilën lejohet ta marrësh, ai e ka për detyrë ta bëjë të njohur dhe publike atë për një vit të plotë (hixhri). Nëse askush nuk e kërkon atë (pas vitit) ajo është e atij që e ka gjetur atë. Nëse i zoti i saj shfaqet pas një viti dhe e përshkruan saktë atë, atëherë ai ja dorëzon plaçkën e gjetur nëse e ka akoma atë, dhe e dëmshpërblen nëse e ka shkatërruar duke e përdorur apo me ndonjë mënyrë tjetër. Nëse gjëja e gjetur prishet duke qenë tek gjetësi brenda vitit, pa tejkalim kufijsh e as pakujdesi, në këtë rast gjetësi nuk e ka detyrë ta dëmshpërblejë atë sepse ai është si gjithë besnikët dhe ajo nuk ka hyrë në pronësinë e tij. Allahu e di më së miri!
Përktheu: Emin Bilali
————————————————————————–
[1] Hadith i dobët. Transmeton: Ebu Daudi 3561, Tirmidhiu 1266, Ibn Maxhe 2400 etj. dhe hadithin e ka dobësuar shejh Albani në “Iruaul galil” 1516.
[2] Buhariu 2453 dhe Muslimi 1612.
Dosje: amaneti